Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: Cilat ishin aspiratat e “kosovarëve”?

Abdullah Hoti iu kundërvu kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në fjalën e ti përshëdetëse për dhjetëvjetorin e shpalljes  së Pavarësisë  së Kosovës me ç’rast ai ( Edi Rama) e hodhi idenë që në dhjetë vjetët e ardhshme të mendohet për një Kryetar shteti  për  Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë konferencë Abdullah Hoti u shpreh  “ propozimi i Edi Ramës për president mbarëshqiptar është mungesë respekti  për aspiratat e kosovarëve  për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe Nato”. Është hera e parë që një njeri e politikan ( e me prejardhje  shqiptare ) të thotë botërisht se populli shqiptarë i Kosovës  nuk paska bërë luftë dhe përpjekje për njëqind  vjetë për çlirim nga Sërbia dhe për bashkim me Shqipërinë. Jam shumë i sigurt që këtë  ide nuk e ka të trashëguar nga paraardhësit  e ti por e ka porosi (dhe të shartuar) nga bashkëpartiakët. Jam  fort i bindur se të gjithë brezat  paraardhës të Abdullahut janë përpjekë dhe kanë luftua për bashkim me Shqipëri  dhe se ata kurrë nuk kanë mendua, e as që u ka shkua mendja  ndonjëherë, se të katër vilajetet shqiptare janë diku jashtë Europe  apo në ndonjë planet tjetër. Në kohën e tyre nuk ka pasë Nato , por të  gjithë i kanë dalë përballë turkut, moskovit (rusit) dhe të gjithëve që e kanë cënua tokën tonë, pra Europën. A nuk po e ditka Abdulah Hoti se të katër vilajetet  tona  së toku kanë qenë  në Europë e jo të  shpërndara nëpër  kontinente sikurse do të dëshironte Sërbia?  A nuk po e ditka Abdullah Hoti se Shqipëria dhe Kosova  vetëm bashkë e begatojnë Europën.  A i din Abdullahu  parimet më të reja  për bashkim në BE? Më poshtë po mundohem ta  zë zanafillen  e kësaj teorie bizantine  që tek ne po çon krye përditë e më shumë dhe po mundohet që ta  helmoj ambientin tonë të pastër shqiptar me këto “aspirate kosovare”.

          Ka një kohë të gjatë që jam duke u mendua se kush po e mbjell këtë farë të keqe tek ne? Kush po mundohet tash e sa kohë me futë pyka në mes  të shqiptarëve? A ka ndonjë plan apo projekt  për çarje ndër  shqiptare?  Kush  është  i  interesuar për t’a arritë këtë përçarje? Kujt  i  levërdis  përçarja brenda shqiptare?  E mbaj mend që nga koha e leximit të vjershave të Esat  Mekulit  për sharraxhinjtë  shqiptarë nëpër  rrugët  e Beogradit.  Atëbotë poeti  ynë i madh i pati ç’veshë  maskat e politikës  sërbe , të kishës  ortodokse dhe të Akademisë Sërbe të Shkencave për përpjekjen e tjetërsimit  tonë  me termin “shiftari” për shqiptarët e Kosovës, kurse “allbanci” për shqiptarët e Shqipërisë. Tjetërsimi  i  shqiptarëve të Kosovës u fut në programet e shovenistëve sërbë vetëm  pas dështimit të projekteve famëkeqe  të ortodokësisë ruso-sërbo-greke për zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e dheut.  Këtë  platform  Sërbia  nuk mundi që t’a realizojë me institucionet e veta  kulturore, arsimore , represive e as me bashkim-vëllazërimin prandaj ia lë kohës. Se ndoshta vije ndoj “devër ” tjetër,  mendonin sërbët?!

          Menduan se “devreja “ tjetër  erdhi  në nëntorin e vitit 1972 me rastin e mbajtjes së Kongresit të Drejtëshkrimit  të Gjuhës shqipe që u mbajt në Tiranë. Tanimë dihet se çfarë kontributi  dhanë shkecëtarët  shqiptarë nga Kosova për unifikimin e gjuhës së sotme shqipe. Kjo e çmendi Sërbinë dhe  në mënyrë tinzare, nëpërmjet Sinan Hasanit u mundua që t’a zhbëjë atë gjuhë të unifikuar duke thënë se  neve nuk na duhet standadi  i shqipes sepse ne e kemi  gjuhën tonë-kosovarishten. Për fatin tonë të mirë atëherë kishim  shkencëtarë  dhe politikanë të mirëfillt dhe këmbëngulës  të cilët  nuk e pranuan përçamjen nga disa renegatë të shitur. Me këtë Drejtëshkrim  u vulos  dhe u sigurua  unjisimi  i  sigurt i shqiparëve në të gjitha  trojet e veta shekullore. Kësaj here Sinanët e  ulën bishtin  dhe u strukën  për  të ngritur kokën në kohë tjera…  Me rëndësi  ishte se me porosinë sllavo-ortodokse ( dhe nën  kujdesin e Sinan Hasanit) u mboll fara e kosovarishtes dhe e kosovarizmit.  Në këtë kohë  mjafton që u legalizua vjedhurazi  termi  “kosovarishte”  e  i cili termë pastaj do të bëhet  virus kanceroz që tenton të ngulfatë trungun shqiptar. Ky virus kohë pas kohe  e çon kokën  si  gjarpër dhe lëshon helm  në farën e pastër  shqiptare.

          Dua ta përkujtoj Abdullah Hotin se Lëvzja e parë, dhe më e rëndësishmja e më kompaktja , pas vdekjes së Gjergj  Kastriotit,  ishte Lidhja e Prizrenit e cila quhej Lidhja Shqiptare e Prizrenit në të cilën ishin të pranishme  që të katër  vilajetet shqiptare. Pra ajo nuk quhej Lidhja  Kosovare e Prizrenit. Çka do të ndodhte me ne sikur ajo Lidhje të merrte emrin sipas kutit apo dëshirës së kastës tënde politike?  Nga historia dihet se deri ku shtrihej Vilajeti i Kosovës. Dihej se edhe cili ishte kryeqyteti  i  Vilajetit. U bënë tashmë 140 vjet nga Muhaxheria e Parë. Nën Mbretrinë  Jugosllave Kosova u coptua disa herë. Pas LDB-re u coptua prap. Mjaft e madhe dhe e fortë kishte qenë. Shumë rrebeshe ranë mbi  të  por kurrë nuk e zbehu dëshirën dhe përpjekjen pë bashkim me trungun shqiptar. Të gjitha partitë politike ilegale shqiptare ( e jo kosovare) brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë në program e kishin luftën e përbashkët  e të gjithë shqiptarëve në trojet e veta  për  Republikën e përbashkët- Kosovën dhe për bashkimin me Mëmën Shqipëri. Se kush e prishi pazarin nuk e di?  Se kush e rrudhi Kosovën sipas dëshirës së AVNOJ-it prap nuk e di? Edhe kjo si është tash nuk duket e qëndrueshme…

          Pas vlimeve demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë lindi nevoja e domosdoshme për një bashkëpunim  dhe bashkëveprim  të përbashkët. Nëse e mbajë mend mirë  diku në vitin 1991/2 akademik Teki Tartari e propozoi mbajtjen e një Kuvendi Mbrarëkombëtar të Pajtimit në mes të forcave politike shqiptare për Shqipëri dhe Kosovë. E kjo do të ishte edhe si një platformë veprimi për arritjen e synimeve  tona qindravjeçare. Ky Kuvend dështoj mbasi nuk u përkrah nga Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova. Arsyet e kundërshtimit të këti Kuvendi i dinë vetëm ata të dy! Por pasojat po i ndiejmë të gjithë së bashku. Nuk vonoj shumë dhe u zbehën edhe marrëdhëniet dhe veprimet e përbashkëta. Bile nga Prishtina filluan të shkruhen edhe artikuj rrefuzues bashkëveprimi. Atëherë mendoja se ato ishin vetëm zhvillime të rastit dhe pa pasoja brendashqiptare. Por kisha qenë i gabuar në këtë vlerësim. Ka momente kur nga Prishtina  ipeshin porosi çoroditëse në drejtim të partive politike me anime të dëmshme partiake.

          Në 5-6 vitet e paraluftës çlirimtare  “Presidenti historik” e fillonte konferencën për shtyp që e mbante rregullisht ditën e “ xhuma” me fjalinë e përafërt “…zgjidhja më e mirë do të ishte një republikë e pavarur dhe e hapur ndaj Sërbisë dhe Shqipërisë”. Kjo paska qenë një taktizim i hollë, e që me kohë, dhe dalngadal e pahetueshëm, me Sërbi do të hapej kurse me Shqipëri edhe mund të mbyllej…

          Në vlugun e luftës çlirimtare në Kosovë  Akademia e Shkencave të Shqipërisë e përpilon një platformë për veprim të përbashkët politik dhe diplomatik për çështjen shqiptare dhe ia dërgon Akademisë së Shkencave të Kosovës për të analizua dhe për të bërë edhe sugjerime të nevojshme dhe pastaj të pranohej kjo si platformë  e përbashkët veprimi. Për këtë nismë akademike pala e Prishtinës nuk ishte e intersuar të bashkëpunoj dhe ajo platformë mbeti vetëm në letër!?

          Ka zëra që thonë se në turbullirat e pranverës së vitit 1997 Bukoshi me qeverinë në ekzil ka mbajtur haptazi anën e njërit krah politik në Shqipëri. Pra i kanë fry zjarrit në vend se të pëpiqeshin ta shuanin atë. Ngjajshëm kanë veprua edhe kur ishte rasti i vrasjes së Azem Hajdarit.

          Kur u kthye delegacioni i Rambujesë nga Franca, Ibrahim Rugova nuk zbriti në aeroportin e  Rinasit dhe nuk deshi të shkonte në Tiranë!? Ky gjest atëherë cilësohej nga opinion si një skandal ndërshqiptar!

          Në vitet e para të çlirimit nisi të ngre krye virusi i “kosovarishtes” të Sinan Hasanit nëpërmjet Sinanëve të rinjë si: Nexhmedin Spahiu, Halil Matoshi, Migjen Kelmendi, dhe disa KOS-istëve ende të maskuar. Po përpunohen në mënyra “shkencore” edhe lindjet e kombeve të reja e sidomos kombi “kosovar” me gjuhën “kosovarishte”. Këto po ndodhin në pikë të ditës me diell dhe askush nga institucionet e shtetit, por as institutet e shkencës, nuk po mirren me këto “cikërrime” dhe me këto mbjellje të farës përçarëse, sikur këto të ndodhnin në një planet tjetër dhe nuk kanë të bëjnë me qenjen tonë.

           Është për t’u habitë se si asnjëra nga partitë politike nuk e ka thënë fjalën e vet rreth kësaj dukurie shëmtuese e cila po na brenë përbrenda. Partitë ndoshta edhe janë të zëna me punë të tjera shumë më  të “rëndësishme” për shtetin! Janë duke e matë dhe “mbrojtë” çdo pëllëmbë toke të Kosovës!? Por as Akademia e Shkencave nuk e merr mundimin dhe t’i thotë disa fjalë  për këtë hata që po lëshon rrënjë në mjedisin tonë.Thonë se heshtja  është miratim. Kështu në heshtje edhe e pazakonta bëhet e zakonshme. A është e mundur që të jetë Akademia e jonë indiferente ndaj këtyre dukurive? Apo mos është rreshtua edhe ajo pas shembullit të disa partive…Mos ka hy virusi edhe aty sepse kam dëgjua se në Akademi po përgatiten me u përpilua fjalorë dhe histori vetëm  për Kosovën! Ndoshta është momenti që të vihen në veprim porositë e Sinan Hasanit sepse edhe ai ishte anëtarë i po kësaj Akademie, e nuk ka kuptim mos me ia çue në vend porosinë.

          I përmenda të gjitha këto ndodhi me rradhë që nga hudhja e farës së parë e deri në ditë e sotit sepse, sipas meje, viruset e kësaj fare kanë fillua të lëshojnë rrënjë të thella dhe po e hedhin shtatin në Kosovën e lirë dhe para syve tanë e pa e dridh as qerpikun e syrit.

          Deri tani ky kosovarizëm më dukej sikur shprehje e rastësishme dhe e pamatur fort nga ne. Vetëm pas përmendjes nga Abdullah Hoti, dhe në raport me Shqipërinë, në mua u shtua doza e dyshimit se mos ky kosovarizëm nuk është i çastit por po kultivohet me dhjetra vite përpara?

          Pas këti fjalori të ashpër e kundërshtues nga Abdullah Hotit ndaj Edi Ramës, njeriu i rëndomtë e shtron pyetjen e pashmangshme se sa herë iu kanë përgjigjur me kësi ashpërsie zyrtarëve të Sërbisë, cili do nga kreu i LDK-së? E zyrtarët e lartë të Sërbisë në midis të Kosovës thoshin botërisht se “ Kosovo je Srbija”! Dhe kurrë nuk kanë marrë kundërpërgjigje nga Rugovët, Mustafët e as nga Hotët

          Opinionit të Republikës së Kosovës Abdullah Hoti ka për detyrim të sqaroj më hollësisht se cilat paskan qenë aspiratat e kosovarëve? Para kësaj ai duhet të sqarohet se çka, sipas ti, don të thotë termi “kosovar”? A i ngjanë termi “kosovar” ati termi të famshëm e jetëshkurtër “ jugosllav” të kohës së Sinan Hasanit dhe të Azem Vllasit apo i termit  “musliman” të Alija Izetbegoviqit? Termi “kosovar” sipas Hotit a është sinonim i shqiptarëve të Kosovës apo i të gjitha “ kombeve dhe kombësive” që jetojnë në Kosovë?  “ Aspiratat e kosovarëve” të Hotit mund dhe duhet t’i sqaroj vetë ai, pra Abdullahu. A është kjo vazhdimësi e “kombit kosovar” të Nexhmedin Spahiut? Apo është kjo luftë për të marrë autorësinë e kombit të sapolindur? E nëse ai ka mendua në aspiratat e shqiptarëve të Kosovës ka gabua shumë që e ka ngatërrua Edi Ramën në këtë mes. Sepse Edi Rama e ka thënë vetëm një dëshirë të gjithëhershme të të gjithë shqiptarëve, deshtën apo nuk deshtën disa individ dhe segmente politike në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …