Kryetari i Komunës së Klinës, Prof.Dr Zenun Elezaj, është takuar me udhëheqësit e Aleancës Kosovare të Biznesit, kryetarin dr. Agim Shahini dhe Lumnije Ajdini, me të cilët është diskutuar për harmonizimin e qëndrimeve për të ndihmuar bizneset vendore, promovimin dhe krijimin e kushteve për investitorë të jashtëm. Është biseduar për hapjen e një zyre të AKB-së në Komunën e Klinës, që do të jetë edhe një pikë reference e bashkëpunimit e koordinimit në mes Komunës së Klinës dhe këtij Agjensioni për çështjet që kanë të bëjnë me biznesin. Kryetari Elezaj, ka treguar se Klina është e interesuar të bëjë promovimin e resurseve biznesore që ka kjo Komunë dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe krijimin e kushteve të favorshme për investitorë të huaj që dëshirojnë të investojnë në Komunën e Klinës. Në takim është biseduar edhe për mundësitë e binjakëzimit të Komunës së Klinës me ndonjë Komunë të Bashkimit Evropian që kanë karakteristika të njëjta. Elezaj dhe Shahini, kanë biseduar edhe për krijimin e lehtësirave për bizneset derisa është kërkuar që taksat që paguajnë në TVSH dhe dogana, bizneset e Klinës, të derdhen në buxhetin e Komunës. “Qëllimi ynë i përbashkët është që të dëgjohet zëri i bizneseve dhe bashkërisht të harmonizohen qëndrimet. Duhet punuar edhe në luftimin e informalitetit. Bashkërisht do të fillojmë që Klinën ta promovojmë edhe në arenën ndërkombëtare”, është thënë ndër të tjera në këtë takim në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të biznesit.