Rexhep Qosja

Rexhep Qosja: Kryetari i përbashkët

Në fjalimin e tij në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me 18 shkurt të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përpos të tjerash, tha se në shënimin e 20 vjetorit të pavarësisë së saj, Kosova mund të ketë një kryetar që do të jetë kryetar i përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovësdhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Dhe, ky do të jetë kryetar i unitetit kombëtar shqiptar.

Kjo deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u prit me gëzim prej numrit më të madh të shqiptarëve kudo që jetojnë ata sot, por u prit mosdurueshëm, refuzueshëm prej një numri të njerëzve politikë shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri.

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryetarin e përbashkët Shqipëri – Kosovë u prit mospajtueshëm, por matur mospajtueshëm, prej Bashkimit Evropian dhe dëshpërueshëm prej Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri.

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë u prit me bajoneta prej Serbisë dhe kritikisht prej Greqisë.

Qëndrimet e tilla, mospajtuese të BE-së dhe Ambasadës Amerikane me deklaratën në fjalë të kryeministrit Edi Rama janë të kuptueshme. SHBA-ja dhe BE-ja janë faktorë tëmëdhenj politikë, diplomatikë dhe ekonomikë, që bëjnë politikë botërore me të cilën vetvetiu ndiejnë obligim të kënaqin si thuhet, “krejt botën dhe babanë”.

Është i kuptueshëm edhe qëndrimi i Greqisë ndaj kësaj deklarate të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Greqia, mike historike e Serbisë, nuk do të vetëquhej e lumtur po u bënë shqiptarët faktor me rëndësi të veçantë politike dhe gjeostrategjike çka do t’i bënte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë që ajo, si dikur, pa të drejtë, e quan Shqipëri e Madhe!

I kuptueshëm është edhe qëndrimi i vrazhdë, i egër, i Serbisë ndaj idesë për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Pse jo? Serbia vazhdon të jetojë me mitin mesjetar në kokë për Kosovën si krahinë të saj!

I pakuptueshëm është, ndërkaq, qëndrimi i të parëve të Partisë Demokratike e të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shqipëri dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kosovë.

Nuk ka dyshim se ky qëndrim i tyre, i tri partive tona të përmendura, bie ndesh me interesat historike të popullit shqiptar.

Dhe, nuk ka dyshim se ky qëndrim i tyre është shprehje e një botëkuptimi krahinorist prej të cilit ende nuk janë liruar disa subjekte politike dhe një numër i njerëzve politikë as në Shqipërinë shtetërore, as në Kosovë.

Ata që i kanë përcjellë dhe i përcjellin paraqitjet politike të Edi Ramës qoftë si kryeministër, qoftë si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ata e dinë se deklarata e tij për kryetarin e përbashkët Shqipëri – Kosovë nuk përfaqëson ide të re në veprimtarinë e tij politike. Jo. Ajo në të vërtetë është vazhdim, është përthellim, është qartësim përmbajtësor i politikës së tij kombëtare me përbërës mbarëkombëtarë. Propozimeve të tij për zhvillimin e disa veprimtarive të përbashkëta Shqipëri-Kosovë në një varg fushash politike, diplomatike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore e të tjera tani u është shtuar edhe propozimi për kryetarin e përbashkët të Shqipërisë-Kosovës pas njëzet vjetësh.

Propozimit të tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, në të vërtetë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila, natyrisht, do të kishte një kryetar të përbashkët tani i është shtuar propozimi për kryetarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Nuk është e nevojshme të theksohet veçmas se disa prej këtyre propozimeve e, sidomos, propozimi për krijimin e një Akademie Mbarëkombëtare të Shkencave dhe të Arteve me kryetar të përbashkët nuk është propozim i shqiptuar vetëm prej kryeministrit Edi Rama por edhe prej disa intelektualëve të tjerë.

Por të gjitha këto propozime njësuese kombëtare kryeministri Edi Rama i ka përtashësuar duke e shtuar interesimin e opinionit jo vetëm kombëtar por edhe mbarëkombëtar, në radhë të parë evropian dhe ballkanik, për to.

Le ta themi më në në fund atë që e kam thënë edhe një herë: kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, është politikani i parë shqiptar, i cili në takimet, në bisedat e në bisedimet me politikanë, diplomatë e shtetarë para sëgjithash ballkanikë dhe evropianë ka sjellë qëndrime shqiptare në të vërtetë mbarëshqiptare më të drejtpërdrejta, më të hapëta, më të dinjitetshme se asnjëherë më parë në historinë e politikës shqiptare, duke i liruar ato prej ngurrimeve, tkurrjeve, paragjykimeve, servilizmeve prej të cilave gjuha jonë politike e diplomatike nuk ishte gjithnjë e liruardhe as nuk po mund të lirohet.

Ç’është e vërteta, me deklaratën në fjalë prej kundërshtarëve dhe mediokriteteve të nxjerrë prej kontekstit kuptimor të fjalimit të tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka kërkuar ndryshimin e gjendjes shtetërore të përtashme të Shqipërisë dhe të Kosovës, por deshi s’deshi vetë ai dhe deshën s’deshëm kundërshtarët e tij, e ka parathënë një ardhmëri të këtyre dy shteteve që në perspektivën historike është e pashmangshme.

Mendja historike, prandaj, këtë ardhmëri nuk e mohon në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë trysnish.

Nuk ka dyshim se kundërshtia e të parëve të partive të sipërtheksuara shqiptare ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama është e pakuptueshme dhe e palejueshme jo vetëm pse me të interesin historik mbarëshqiptar ata ua flijojnë interesave të tyre të ngushta të përtashme partiake, por edhe pse është kundërdemokratike, anakronike dhe dogmatike. Ata janë shprehur ashtu kundërshtueshëm thuajse jetojmë ende në vitet tetëdhjetë a nëntëdhjetë të shekullit të kaluar! Ata janë shprehur ashtu kundërshtueshëm thuajse s’e shohin dhe s’e kuptojnë njëmendësinë e sotme organizuese evropiane! Bashkimin Evropian sot e përbëjnë 26 shtete.

Të gjitha shtetet që e përbëjnë BE-në janë shtete të pavarura, me kryetar të tyre, me ushtri të tyre, me polici të tyre, me ministri të jashtme të tyre e me të gjitha institucionet e tjera që përbëjnë shtetin e pavarur. Por, Bashkimi Evropian ka sot edhe kryetarin e përbashkët, që quhet, Zhan-Klod Junker, ka edhe ministren e Jashtme të përbashkët, që quhet Federika Mogerini, kurse tani e sa kohë po bisedohet që të ketë edhe një forcë të përbashkët ushtarake, që nuk do të mohojë ushtritë e shteteve të veçanta.

Në qoftë se Bashkimi Evropian paska një kryetar të përbashkët për të gjitha shtetet që e përbëjnë këtë Bashkim dhe një Ministri të përbashkët të Politikës së Jashtme për të gjitha këto vende, pse Shqipëria dhe Kosova të mos kenë një kryetar të përbashkët, një Ministri të Politikës së Jashtme të përbashkët dhe ambasada të përbashkëta në shtete të ndryshme në Botë?

Shqipëria e Kosova nuk u dashka të kenë as pas njëzet vjetësh e as kurrë, as Kryetar të përbashkët, as Ministri të Jashtme të përbashkët e as ambasada të përbashkëta për hir të feudalizmit dhe të feudalëve tonë, për shkak të mungesës së qartëpamjes dhe për shkak të mungesës së vizionit largpamës të tyre e më së shumti për shkak të servilizimit ndaj vartëseve!

Një të ardhme të tillë të Shqipërisë e të Kosovës shqiptarët jo vetëm se nuk u dashka të kenë, por as ta ëndërrojnë për arsye se një ardhmëri të tillë nuk e pranojnë, nuk e duan feudalët tonë, që po bëjnë dhe që do të vazhdojnë të bëjnë politikë feudale!

Por, feudalizmin dhe feudalët populli shqiptar qe shumëvjet i ka çuar në arkivin e terratisur të historisë. Dhe do t’i çojë në atë arkiv sa herë të paraqiten në jetën tonë politike, kulturore e shoqërore në përgjithësi.

DEKORATAT

Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti, kaloi, por dekoratat, që, zakonisht, kurdo e kudo, jepen brenda një dite, vazhdojnë të jepen!

Dekoratat, që në Fjalorin e Shqipes së Sotme quhen edhe medalje, janë mjete, prej lëndëve më të shtrenjta a më të lira, me të cilat shtetet dhe regjimet i nderojnë njerëzit në raste të ndryshme: në raste të përvjetorëve të ngjarjeve të rëndësishme historike dhe në raste të përvjetorëve të personaliteteve të rëndësishme të përtashme a historike.

Dekorata japin shtetet demokratike, shtetet tiranike, shtetet despotike dhe shtetet diktatoriale, domethënë të gjitha llojet e shteteve.

Dihet se më së shumti dhe më së shpeshti dekorata ndajnë e shpërndajnë shtetet diktatoriale, tiranike e despotike.

Shumë dekorata ndodh të japin edhe regjimet e vendeve demokratike në të vërtetë të vendeve pseudo-demokratike. Dhe regjimet e këtilla japin shumë dekorata kur e kuptojnë se sa të paçmuara, se sa të mos duruara janë bërë për qytetarët. Ndoshta edhe për këtë arsye u dha edhe kuintali i dekoratave nga regjimi i sotëm i Kosovës! Dhe jo vetëm.

Njëri prej filozofëve më të rëndësishëm të politikës në kohën e Rilindjes italiane, Nikolo Makiaveli, thoshte se dekoratat janë mjete me të cilat pushteti me çmim të ulët fiton shumë ithtarë.

Siç kemi parë e mësuar dikur dhe siç po shohim e po mësojmë sidomos sot dekoratat u jepen njerëzve të ndryshëm për arsye të ndryshme. Disave dekoratat u jepen vërtet për t’i nderuar. Disave u jepen për t’i bërë që të heshtin, domethënë që të mos flasin keq për pushtetarët dhe për pushtetin! Disave u jepen për t’i nxitur të shkruajnë mirë, sa më mirë, për drejtësinë e qenë a të paqenë të shtetit dhënës, për humanizmin e tij, të qenë a të paqenë, për ekonominë e tij, të zhvilluar a të shkatërruar, për gjyqësorin e tij, të pavarur a të kapur!

Disave dekoratat, ndërkaq, u jepen për të shkruar mirë, sa më mirë, sa më zmadhueshëm, sa më glorifikueshëm për vetë pushtetarët, në mënyrë të veçantë për ata pushtetarë me duart e të cilëveu jepen dekoratat!

Kjo, arsyeja sigurisht jo e fundit për të cilën jepen dekoratat, është më e shpeshtë në vendet tiranike, despotike dhe diktatoriale, por kur e kur edhe në vendet demokratike, në të vërtetë pseudodemokratike.

Shtetet demokratike, ndërkaq, nuk i dekorojnë, nuk i “zbukurojnë” nënshtetasit e vet për çka krejt i dekorojnë, i “zbukurojnë” ato shtetet e tjera.

Shtetet vërtet demokratike, zakonisht, nuk janë shtete që kërkojnë shumë, që kërkojnë çka kërkojnë haptazi e fshehurazi prej të dekoruarve vendet jodemokratike. E kuptueshme: shtetet demokratike nuk japin dekorata për të blerë përkrahës, lavdëruese, servilë, por për të nderuar të dekoruarit, dhe veten.

Për arsye se janë demokratike, shtetet vërtet demokratike nuk u japin dekorata medieve pavarësisht sa të merituara mund të jenë ato në pikëpamje profesionale, kombëtare, kulturore, në përgjithësi shoqërore.

Në Kosovë këto ditë e mësuam të kundërtën: me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dekorata më së shumti iu dhanë pikërisht medieve dhe gazetarëve – të gjallë dhe të vdekur. Dikush mund të thotë: po prej gazetarëve që nuk janë më të gjallë nuk mund të sigurohet kurrfarë përkushtimi dhe kurrfarë adhurimi ndaj pushtetit a dhënësve të dekoratave. E vërteta, megjithatë, është tjetër: duke iu dhënë dekorata të vdekurve, herët më të shpeshta sigurohet përkushtimi i të gjallëve, në radhë të parë i njerëzve të të njëjtit profesion.

Regjimi ynë ka dëshmuar jo një herë se përkushtimin, shërbimin, servilizmin e medieve posaçërisht të disa medieve, e blen edhe me mjete të tjera: edhe me tenderë, edhe me sponsorime, edhe me dhënie të ndryshme, të mbuluara me emra të ndryshëm, por kur e ku edhe me frikësime, me kërcënime, me shantazhe e me mjete të tjera të mendjeve despotike dhe sulltanore!

Nuk ka dyshim se me dekoratat dhe me këto mjetet e sipërtreguara regjimi ynë po blen edhe dy përkushtime që mund të quhen kundërdemokratike dhe kundërkulturore: po blen, në njërën anë censurën, kurse në anën tjetër lavdërimet dhe glorifikimet e regjimit dhe të disa pushtetarëve.

Shembull i përkushtimit të këtillë herë servilizues e herë zmadhues, glorifikues janë në radhë të parë, sado jo vetëm ato, RTK-ja dhe Klan Kosova, që me censurën ndaj studiuesve e krijuesve, në përgjithësi ndaj intelektualëve kritikë, posaçërisht ndaj disave prej tyre, në njërën anë, kurse me tejlavdërimet, me glorifikimet e me krijimin e kultit të individit të ndonjërit prej pushtetarëve, të krijimit të veçanësisë në parëndësi, në anën tjetër, po na kthejnë në kohë të errëta të regjimeve të cilat shuajnë sundimin e ligjit, drejtësinë, të vërtetën, mendimin dhe fjalën e lirë! E të tjera.

Dhe, kështu në disa vende e në disa kohë dekoratat vërtet luajnë rolin famëkeq që e luanin edhe në kohën e Makiavelit gjenial: bëhen frymëzuese dhe privilegjuese të shpirtrave të shitur që vihen në shërbim të despotëve.

Në vazhdim të këtij shkrimi po bëj një pyetje: çka tregoi dhënia e kësajhershme e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë, që vazhdojnë të jepen kush e di dhe sa ditë e javë në Kosovë?

Tregoi shumëçka.

Tregoi çka dihej dhe tregoi çka nuk dihej, tregoi çka pritej e tregoi çka nuk pritej!

Dhënia, kujtdhënia, kujtmosdhënia dhe, sidomos, pasdhënia e dekoratave kësaj herë në Ditën e madhe të Pavarësisë dhe për Ditën e madhe të Pavarësisë në radhë të parë tregoi si kuptohet, si shfrytëzohet dhe si shpërdorohet politika në Kosovë sot!

Dhe, tregoi çfarë idesh, çfarë ndjenjash, çfarë durimesh e çfarë mosdurimesh e përcaktojnë dhe e ndryshojnë këtë politikë të regjimit tonë.

Dhe, tregoi se si disa nga pushtetarët, dikur çlirimtarë e sot autokratë, nuk ngurrojnë të bëjnë betejë politike kundër ish mësuesve të vet, sot kritik tëautoritarizmit të tyre e dje ndërtues të politikës së çlirimit të Kosovës prej okupacionit serb e jugosllav kur ata vetë ende bartnin stafetën e Titos, duke përdorur në këtë betejë edhe ish rrogëtarë e agjentë të regjimit të Millosheviqit tani autoritete në shtet a në propagandë regjimore!

Pas nënshkrimit pa konsultuar Kuvend dhe pa konsultuar ekspertë, domethënë pas nënshkrimit “baba Kros vetë shkruan e vetë vulos” të Marrëveshjes për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe pas krijimit duke ndërruar Kushtetutën të Gjykatës së Veçantë, që sollën shumë çrregullime politike të shprehura si krizë institucionale, edhe dhënia, mosdhënia dhe pasdhënia e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë me solemnitetet përcjellëse tregoi se sa diletante, se sa e privatizuar, se sa e parend e rregull mund të jetë politika jonë shtetërore!

Si sqarimet, përshtjellimet dhe komisionet për vijën kufitare me Malin e Zi, si ofensiva e pushtetarëve kryesorë për krijimin e mandej “ofensiva” duar fshehur e të njëjtëve për shfuqizimin e Gjykatës së Veçantë, po ashtu edhe dhënia, pas dhënia, në të vërtetë “sqarimi” katër ditë pas shpalljes së Listës me emrat e kandidatëve për dekorim, së cilëve s’u jepet dekorata e që u fshi shpejt prej faqes së internetit të presidencës së Kosovës, treguan se dhe gënjeshtrat e mashtrimet janë bërë metodë e politikës sonë shtetërore, që vjen gjithnjë e më dukshëm duke e komprometuar këtë politikë në sytë e ndërkombëtarëve dhe nësytë e qartshikuesve tanë.

Këtyre të këqijave që shfytyrojnë politikën tonë shtetërore sidomos në sytë e ndërkombëtarëve t’ua shtojmë edhe një të keqe formale e në të vërtetë shumë treguese: mungesën elementare të kulturës së protokollit qoftë edhe në solemnitete shtetërore! Po të mos vuanim prej kësaj çorodie politike nuk do të ndodhte që me rastin e parakalimit të Trupave të Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë, në mjedisin e Tribunës të krijuar me atë rast, të radhiten vetëm pushtetarët e sotëm e të djeshëm të Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, kurse të vetmit mysafirë evropianë, miqtë e shumëmerituar për institucionalizimin e Kosovës menjëherë pas luftës, Bernar Kushneri dhe Dan Evertsi, të “braktiseshin” në skajet e kësaj tribune ku nuk i kapnin as kamerat televizive! Atyre madje nuk iu dha as mundësia për një fjalë rasti a fjalë përshëndetjeje.

Dhe, më tej, në sallën ku shfaqej Koncerti kushtuar 10 vjetorit të Pavarësisë, në hotelin “Emerald”, nuk do të ndodhte që mysafiri më i çmuar në këtë manifestim, kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë menjëherë pas Luftës, Bernar Kushner, të lihej në rreshtin e tretë, pas shpinës së kryetarëve, kryeministrave, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave, deputetëve e të tjerëve,të kurdisur në dy rreshtat e parë të kësaj salle!

Dhe, kështu e treguam në të vërtetë e komprometuam kulturën tonë protokollare dhe kështu e cenuam bujarinë, mikpritjen tonë dikur të lavdishme kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …