Adem Jashari

Ahmet Qeriqi: Legjendari i legjendave të Shqipërisë

Kolosët si Adem Shaban Jashari lindin rrallë. Megjithatë, ata dalin në kohë dhe në rrethana të caktuara, si Hektori  në kohën antike si Spartaku në Romën e lashtë, Simon Bolivari në shekullin e 19-të, apo Çe Gevara në shekullin e 20-të. Adem Jashari i tejkalon përmasat e heroit kombëtar, meqë vepra dhe akti vetëflijues me tërë familjen, janë ngjarje unike dhe të veçanta në tërë historinë e qytetërimit njerëzor.

Fenomenalë janë njerëzit e veçantë, të cilët me veprat dhe bëmat e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme në momente të caktuara të historisë së një kombit të caktuar apo edhe të historisë së përgjithshme njerëzore.

Një fenomen i tillë, me përmasa të piedestalit jo vetëm kombëtar, është ADEM SHABAN JASHARI, i lindur në Prekaz të Drenicës, më 28 nëntor të vitit 1955 dhe i rënë në pavdekësi, më 7 mars të vitit 1998, po në Prekaz.

Përmasat heroike, sakrifikuese, të Adem Jasharit dhe të Jasharëve të tjerë të Prekazit, tani dëshmorë të kombit, janë përmasa të veçanta, unike në historinë e qytetërimit botëror.

Nuk janë të rrallë shembujt e heroizmit madje as  tani në botën tonë moderne, kur mendohet se legjendat i përkasin së kaluarës dhe ato shërbejnë vetëm për ta rikthyer atë, në kujtesë. Por, një legjendë tipike shqiptare ka hyrë në historinë tonë më të re ashtu si legjendat e motit, ashtu sikur edhe legjendat e dhembshme të historisë njerëzore, pse jo edhe  si legjendat urbane të kohës me plot tronditje, në të cilën po jetojmë.

20 vjet më parë, në kullën e jasharëve të Prekazit por edhe përreth  lagjes Jashari përgjithësisht, natën vonë ishte strukur lubia me shtatë krerë. Si pjellë e satanait,  ajo po priste agun e ditës për të filluar sulmin shkatërrimtar kundër kullave të qëndresës, të cilat për një kohë të gjatë nuk kishin lejuar marshimin e forcave të territ nëpër rrugët e lagjes së tyre dhe më gjerë…

Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit  1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit, legjendën e Halil Patronës, Oso Kukës, rrethimi i Ali Pashë Tepelenës me një ushtri të tërë  dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit  shqiptar nëpër shekujt e së kaluarës.

 Legjendari, Adem Jashari,  për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që mund të paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve. Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij “Shteti apo kombi”?, botuar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike.

Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga njëra ndër makineritë më të  tmerrshme e krimit, që ka sunduar ndonjëherë në botë.

Filozofi më i madh gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit e caktuar”.

Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhënjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unik, të flijimit kolektiv të familjes, fenomen ky rrallë i përsëritshëm në historinë e qytetërimit.

Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unik i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.

Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vend-pelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.

Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.

Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.

Me përvjetorët sakrificës  dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej  fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve  bëjnë homazhe para varrit të legjendarit,  do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin  në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …