Për nder të njëzet vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari Kuvendi Komunal në Kaçanik mbajti Seancë Solemne. Mbledhjen e kryesoi Kryesuesi i Kuvendit Kemajl Murseli i cili tha se, kur kujtojmë sakrificën e Adem Jasharit dhe të familjes së tij me pietet të madh kujtojmë edhe të gjithë Dëshmorët e Kombit dhe gjithë ata që në forma të ndryshme janë sakrifikuar për Lirinë dhe Pavarësinë e vendit. Ka shumëçka të thuhet për luftën e UÇK-së dhe bëmën e Komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari. Ajo nuk ishte një bëmë e zakonshme por një bëmë historike. Mënyra e vetëflijimit të Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij dramatizoi gjendjen dhe fatin e popullit shqiptar nën sundimin e regjimit serb, dhe përcolli fuqive të huaja një mesazh shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar që shqetësoi pambarimisht shumë Evropën, SHBA-në dhe ndërgjegjen e botës Demokratike në përgjithësi. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Komandantin Adem Jashari, familjen e tij dhe gjithë Dëshmorëve të Kombit. Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, theksoi se 5 -6 dhe 7 Marsi i vitit 1998 hyri në historinë më të re të Kosovës me tërë tragjedinë dhe madhështinë e vet, ditët që në ritmin e vet brenda kalendarit do të ishin të rëndomta e që në rrethana të veçanta e morën shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe u shndërruan në Epope. Sot në përkujtim të 20 vjetorit të rënies heroike në altarin e lirisë po e përkujtojmë dhe nderojmë veprën e vizionarit dhe kryekomandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jasharit heroit të Kosovës, figurën më madhështore të udhëheqësit dhe të frymëzuesit tonë për liri, i cili me vetëmohimin e tij si dhe familjes së tij i kapërcejnë kufijtë e reales dhe të mundshmes duke u shndërrua në frymëzim për brezin tonë dhe për brezat që do të vijnë. Sot përulemi para varrezave të Jasharajve dhe të kombit, përkujtojmë trimërinë dhe sakrificën e tij për të shkruar një faqe të re në historinë tonë, për nxitjen, zhvillimin dhe përshpejtimin e proceseve për Liri e Pavarësi të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë. 5-6 dhe 7 marsi i vitit 98-të do të shënojë përfundimisht fillimin e një historie të re. Me gjithë dhembjen dhe tragjedinë kjo ngjarje na jep dhe krenarinë, na dha shembull vetëmohimi e sakrificë jo vetëm popullit tonë por dhe gjithë botës se liria nuk ka çmim, por mbi të gjitha për ne u bë udhërrëfyes dhe shembull për të ndjekur rrugën e sakrificës, vetëmohimit që vetëm e vetëm e ardhmja e popullit të jetë Liria dhe Pavarësia, të jetojmë të barabartë si gjithë popujt e tjerë që jetojnë në paqe e Demokraci. Sot kur kujtojmë 20 vjetorin e rënies së familjes Jashari kujtojmë dhe nderojmë gjithë martirët e kombit, nderojmë veteranët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare, respektojmë sakrificën dhe qëndresën titanike të vet popullit tonë që i dhanë kuptim edhe vet historisë së popullit tonë. Dëshmorë, heronjtë dhe martirët e kombit kanë dal nga populli dhe kanë rënë për popull, prandaj historia e kombit tonë është histori e Dëshmorëve dhe martirëve të kombit që po ja hoqëm historisë pothuaj se nuk mbetet asgjë, pra pa dëshmorët e humbasim historinë dhe për pasoj edhe ardhmërinë. Realitetin që jetojmë sot është trashëgimi e dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Lavdi jetës e veprës së familjes Jashari, Dëshmorëve të Kombit dhe gjithë atyre që kontribuuan për çështjen Kombëtare. Seancën e përshëndetën edhe përfaqësuesit e partive Politike Duke ngritur lart veprën e Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.