Sindidata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka vendosur që më 12 mars mësimdhënësit të shkojnë në një grevë njëditore. Kjo nëse qeveria Haradinaj deri me këtë datë nuk e dërgon në Parlament, Projektligjin për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta. Në Kongresin që e kishte mbajtur SBASHK-u më 24 shkurt të këtij viti ishte vendosur që nëse kërkesat e tyre nuk realizohen nga qeveria, atëherë më 12 mars mësimdhënësit do të mbajnë grevë gjithëditore. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari. Ai ka thënë se greva vlen për të gjitha institucionet arsimore përveç çerdheve.
“Kongresi i mbajtur më 24 shkurt ka aprovuar rezolutën e cila flet për veprimet sindikale. Dhe në këtë rezolutë thuhet se punët si po shkojnë, më 12 mars do të ketë grevë njëditore përveç çerdheve, pasi natyra atje e punës është tejtër dhe nuk duam t’iu krijojmë telashe prindërve që punojnë dhe nuk kanë ku t’i lanë fëmijët e tyre. Ndërsa shkollat fillore dhe të mesme, e universiteti do të jenë në grevë njëditore, dhe atë të dy ndërrimet. Arsimtarët dalin nga ora 8-12 në shkolla, dhe do të fillojnë grevën për të dy ndërrimet. Mësim nuk do të ketë fare gjatë asaj dite”, ka bërë të ditur Jashari.