(Me rastin e 20 vjetorit të rënies, lexo me zë!)
1.
sonte
në Prekaz
flakët e lirisë
Komandantin përkujtojnë
me shkëlqimin e flakës
lirisë njerëzishëm ia hapem derën
më në fund erdhën lulet edhe nder ne
se bashku me pranverën
sakrificë e paparë
e padëgjuar nder shekuj
shqiptarët qëndruan të pathyer
kurrë nuk e mohuan rrënjën e vet
o botë e madhe a dëgjon
këngët tona të fuqishme
që luftëtarët e lirisë i kënduan
një shekull këngë
një shekull rrugëtim
një shekull qëndresë
deri me sot
sot në agim
gjithë kjo rrugë e këngës sonë
për t’u kënduar sonte
tek Jasharët
me zemrën tonë
tek të pavdekshmit
tek të gjallët
tek kulla të gjithë
së bashku
me Jasharët
2.
Adem
sonte pa ty
këngët e lirisë nuk do të kishin kuptim
pa ty
pranvera nuk do t’i sillte lulet e lirisë
pa ty
marsi do të ishte muaj i rëndomtë
pa ty
nuk do të kishin harmoni notat e melodisë
Adem
ylli i hyjnisë
Adem
frymëzim i djalërisë
Adem
palca e shqiptarisë
Adem
sonte do thërrasim deri në kupë të qiellit
në Prekaz
aty ku ka lindur s’pari
rrezja e diellit
3.
Adem
po
me ty erdhi pranvera
me ty
krenarinë kombëtare madhështojmë
me ty
të kaluarën e lavdishme nderojmë
në flakën e zjarrit që sonte për ty ndizet
u dogj robëria e gjatë
në Prekaz
në arenën legjendare
ku kanë rënë si me le burrat dhe gratë
atje ku themeli i lirisë është i lashtë
atje ku loza jote sonte shkëlqen flakë
atje ku lirisë i këndohet gjatë
atje ku burrat e dheut flasin pak
atje ku krisma e mitralozit të lirisë
ndihet larg
atje ku flakë do të ndezim prapë
e prapë do ringjallesh ti
për Plavë Ulqin e Guci
Preshevë Medvegjë e Çamëri
për Bujanoc Tetovë e Strugë
për Kerçov Gostivar e shqiptari
atje në Prekaz
ku po linden përditë
Adema të ri
atje ku ngrihemi dhe biem me emrin Shqipëri
atje ku ëndrrat i shohim shqip
atje ku ti ke vënë s’pari këmbën mbi dhe
atje ku kemi shumë shokë e miq
atje ku trimërisht këngën e the
për liri
për atdhe
për besë e dhe
Adem
flakë e rrufe
4.
sonte
zjarret do ndezim
sonte do qajmë e do qeshim
sonte do vallëzojmë deri në mëngjes
sonte lot do qesim
nga malli e mallëngjimi
për ju nëna
për ty nënëmadhja Zahide
nënë e të gjitha nënave
nënë e Mic Sokolave
nënë e shtojzovalleve
nëna e zanave
nëna jonë arbërore
sonte në gjunjë do biem për ty
lokemadhja Zahide
nusja e Shaban Plakut
motra e bacë Osmanit
nderi i konakut
bija e Llaushës
mbesa e Shaban Polluzhës
nëna e Ademit djalit
nënë e Hamzës
nëna e shqipeve të malit
nëna e Zarifës e Hidajetës
nëna e Igballit e Valdetës
nëna e Igballës e Feridës
nëna e Afetës e Besimit
nëna e Selvetës e Blerimit
nëna e Fatimës e Blerinës
nëna e Adilës e Fitimit
nëna e Kushtrimit
nëna jonë
nëna e madhe e shqiptarisë
nëna e lirisë
lavdia e Shqiptarisë
5.
sonte do kujtojmë
motrat
nuset
fëmijët
baballarët
bacë Shabanin
Hamzën
Ademin
do kujtojmë djalërinë kryengritëse
Prekazin legjendar
pushkët e lirisë
kushtrimin shqiptar
pushkën e parë
Komandantin tonë Legjendar
me sy shqiponje
dhe ballin zjarr
6.
në ballë të atdheut kush po prinë
si gjithmonë luftë në Prekaz
bacë Shabani me martinë
po ia vret Serbisë ushtrinë
o ta puthsha çarkun e pushkës
mustaqen e bardhë
shallin me qeleshe
kalin me shalë
ballin e oxhakut
vatrën e konakut
buka jote shtruar mbi sofër
zjarrin ndezur në votër
mauzeri varë
dera hapur për shtegtarin e parë
hapur për luftëtarë të lirisë
ngrohtësi e mikpritje bujare
Shaban plaku
kërthiza e tokës shqiptare
njëherë ka lindur burri
dragua në këtë konak
ku flakët sonte prekin qiellin
për çdo yll bajrak
flamur përjetësie
mbi varr të bacë Shabanit
brezat shohin diellin
nën qiellin e përflakur
mbi këtë tokë të gjakut
të biem në gjunjë në shenjë nderimi
me respekt ta puthim
muranën e Shaban plakut
shqipen e bajrakut
e s’do i dalim hakut
rreke lumi i gjakut
gjak lirie
të lumtë ne që të kemi
ty o burrë Shqipnie
7.
sonte në Prekaz
nata është ndezë flakë
troket në ndërgjegjen tonë
të kujtohemi pak
për ata që ranë
për ata që gjymtyrët e trupit
peng lirie
në gjoks të atdheut
si medaljon i falën
i lanë
dëshmi të një kohe
testament pavarësie
flamur mbi kullë të Jasharëve
pranverë mbi tokën tonë
në zemër të shqiptarëve
fole dashurie bënë
ata
kurrë nuk u penduan
kurrë nuk u ankuan
asgjë nuk kërkuan
kurrë nuk u hamenden
kurrë nuk u lëkundën
kurrë nuk u mashtruan
respekt nga gjithë ne
respekt për këtë dhe
respekt për jetë
për gjymtyrët e këputur të luftëtarëve
që i dhanë
për liri të atdheut
8.
sonte t’i kujtojmë
edhe ata që nuk kanë kulm mbi kokë
edhe ata që nuk kanë sa duhet për të ngrënë
edhe ata që dita e nesërme nuk i gëzon
edhe ata që nuk kanë natën ku ta bëjnë
edhe ata që “koha” po i harron
edhe ata që skamja po i sfidon
edhe ata që në heshtje digjen zjarr
e gjoksi tym u lëshon
mos harroni amanetin
bacë Shabani pati thënë
lirinë të gjithë së bashku do ta ndajmë
të robëruar toka s’na pranon
sofrën thatë për askënd
ta nderojmë secilin luftëtar të lirisë
nga një trëndafil të kuq
për secilin birë të denjë të shqiptarisë
9.
Sonte
do ti kujtojmë edhe ata që u vranë
në oborre të shtëpive të veta
rrugëve me botën në sy
duke ikur nga zjarri i barotit
nga thika e xhelatit serb
kolonave të pikëlluara në trishtim
me shpirtin peng
të zhdukurit
ata që në mesin tonë më nuk janë
që varret s’ua dimë ku i kanë
që nuk kemi një lule ku me e vënë
që nuk dimë mbi cilin gurë t’i qajmë
t’i kujtojmë ata
që eshtrat larg Kosovës i kanë
që atdheut i pret
i kërkon
të prehen qetë tek toka mëmë
as sot
nuk u gjend gjurmë as nishan
që nënat
nuset
motrat
më të dashurit e tyre të kanë ku t’i qajnë
i kujtojmë
i kërkojmë
të gjallë a të vdekur
se zemrat e nënave në gjoks janë kallë
se edhe ëndrrat janë tharë
se shpresat tona për ta
janë vrarë
sot
ata nuk janë mes nesh
as të vdekur
as të gjallë
pritje të gjata me decenie
pritje që nuk paguhet me as një çmim
pritje që Kosovës i sollën trishtim
në pritje na shkoj jeta
sonte
kujtoni bijtë tanë të zhdukur
kujtoni gjithë këtë kohë të humbur
toka e Kosovës do të gjëmojë
derisa ata të kthehen
në gjirin e tokës së vet
në gjirin e Kosovës nënë
ku do të prehen të qetë
10.
sonte
kujtojmë edhe të syrgjynosurit
të mërguarit
të djegurit
të humburit
të sosurit mërgimtarë
t’i kujtojmë ata
që për ne
ndanë kafshatën e bukës
ata
që i treti muzgu i rrugës
larg përtej shtatë bjeshkëve
përtej deteve oqeaneve
ata që iu mungojnë
motrave
nuseve
nënave
fshatrave dhe qyteteve të atdheut
që mungojnë në gëzimet tona
që bëjnë jetë mërgimi
me mall
të djegur nga pikëllimi
ata që në sofrën e atdheut mungojnë
për pashkë krishtlindje e bajram
për nëntor janar e mars
mungojnë në lojërat e djalërisë
ata që aq ndërgjegjshëm
ndihmuan flakën e pushkëve të lirisë
ata që i dhanë kuptim këtij shekulli
ata që menduan më shumë për ne
se sa për vete
ata që para bote na nderojnë
ata që me punën e tyre të ndershme
ndrisin dinjitetin e atdheut
ata që ëndrrat i shohin në Kosovë
ata që bien e zgjohen me kujtimin për ne
ata që Kosovës ia kanë shndritur shtatin
ata që kudo nëpër botë
për Kosovë
lartë kanë ngritë bajrakun
ata që për atdhe
kanë dhënë djersën dhe gjakun
mërgimtarë me zemër të plasur
në mërgim një jetë
me shpirt në Kosovë
me trup në kurbet
shkapërderdhë nëpër botë
lidhur me atdhe e besë
me zemër të thyer
e shpirtin e ndarë në dy pjesë
11.
sonte
dikush si hije përfton
pas hijeve të flakëve do fshihet
nata e zezë fytyrën ia mbulon
sonte dikë
flakë e lirisë përcëllon
para bote e tallë
shenjë i vë në ballë
a ka gjë më rëndë
për ata që ikin nga flaka e lirisë
për ata që mohojnë se janë bijtë e Shqipërisë
për ata që vetëdijshëm i bëjnë gropën atdheut
për ata që vrasin idealin e djalërisë
për ata që i bënë dredhi lirisë
për ata që shkelen betimin e dhënë
guri i betimit ka për t’i vrarë
ka për t’i zënë
12.
sonte edhe ju
pa përbuzje do ju shohim
në flakën e kuqe të kandilit
pa vrasje ndërgjegje
pa skuqje
kuqësinë tuaj do e djegim sheshazi
sonte do të takohemi
për të ia thënë njeri-tjetrit të gjitha
nder sy
sonte mund edhe të mos puqemi
sonte mund edhe të skuqemi
nga gjithë kjo flakë që atdheun po e ndriçon
sonte në këtë natë zjarresh
a mbet ndonjë fjalë pa u thënë
a do të ketë lum që të ligjtë i lanë
a do të ketë flakë që i thanë
a do të ketë kush i qanë
13.
sonte festoni edhe ju
së bashku me ne
sonte kujtoni
gjymtyrët e këputura të trupit tonë
Çamërinë
Preshevën
Medvegjën
Bujanocin
Shkupin
Tetovën
Strugën
Manastirin
Plavën
Gucinë
Ulqinin
Peshterin
atje
ku flaka e lirisë pret të ndizet
atje
ku zjarri i robërisë po djeg liridashësit
atje
ku plaga e vjetër e atdheut tonë
peng e ndërgjegjes mbet
atje ku ajo që kërkohet nga ne
nuk jemi duke e dhënë
atje ku rrugët e lirisë
gjak po kullojnë
atje ku yjet vranësirat po i luftojnë
atje ku një ditë mbi të ligat
do të fitojmë
përfundimisht
shqipatrisht
14.
sonte
flakët e lirisë nuk shuhen dot
i ndezi Komandanti
i ndezën Jasharajt
i ndezi Ushtria Çlirimtare
e tokës shqiptare
sonte ushtarët e vërtetë
me flakën e lirisë në gjoks
krenar festojnë
ata
kujtojnë ditët e mira
kur u mobilizua djalëria
kujtojnë ditët e liga
kur toka shqiptare po digjej
kur dikush po piqej
kur dikush po hiqej
kur dikush po krihej
kur dikush po fshihej
kur dikush po zgërdhihej
kur dikush po qëndronte
kur dikush po marshonte
kur dikush po shante
kur dikush po ikte
kur dikush po dhunohej
kur dikush po therorizohej
ku dikush po flijohej
kur dikush po masakrohej
kur dikush po vendnumëronte
kur dikush në anën e armikut shkonte
kur dikush po meditonte
kur dikush po mohonte
bijtë e atdheut
15.
sonte ata festojnë qetë
modestë e të çiltër
si gjithmonë
me shpirtin e tyre të dëlirë
zhveshur nga ligësitë
ata na shikojnë pa ndrojtje në sy
të vërtetën e madhe
e kanë thënë me vepra
e kanë thënë me zemrën valë
jo me fjalë
të nderuar
të respektuar
kudo në Shqiptari
bijtë tanë më të mirë
me zjarrin e lirisë në gji
në qiellin tonë të kuq
yje prush
16.
sonte
si dje
edhe nesër
të heshtur e njerëzor
njerëz të tokës e modest
pjesë të historisë
të mbuluar me petkun e lavdisë
ata
pa e tepruar sonte festojnë
të vetëdijshëm për peshën mbi supe që kanë
ata sonte shkëlqejnë
sonte ata nuk rrëmbehen
sonte ata flakën s’e ndalin
sonte ata mallëngjehen për më të dashurit
që shqiptarisë ia falën
me shpirtin e madh
me zemrën e kuqe si flaka
sonte ata janë nder ne
me burra
me gra
me fëmijë
me djem
me pleq e plaka
me tokën
me dhe
sonte ata janë
krenaria jonë kombëtare
sonte ata janë me ne
nëse kjo mjafton
ata
për jetë do të mbesin
dinjiteti
dhe krenaria jonë
17.
sonte
rreth kësaj flake
dikush gëzon e këndon
dikush qanë e kujton
dikush skuqet e fshihet
dikush paturpësisht zgërdhihet
dikush nëpër poret e pushtetit përbirohet
dikush hiqet si zot e nuk durohet
dikush ulë kokën e turpërohet
dikush nuk digjet nga skuqja
dikë skuqja e djeg
dikush po ha bukën ulur
dikush po ha në këmbë
dikush kafshon buzën
dikush zë gjuhën me dhëmbë
dikë s’e zë turpi
dikush turpin me bukë e hanë
dikush krenar e ballëlartë
dikë e shpo dhimbja
dhimbja
deri në asht
18.
sonte do t’i këndojmë lirisë
për një çast
s’do t’i sjellim nëpër mend
kujtimet e hidhura
nesër
të përpiqemi për ditë më të mira
të kujtojmë të pabërat
të gjykojmë të paburrat
të shpëtojmë atdheun nga skuqja
nga vuajtja
nga nëpërkëmbja
nga përbaltja
nga përçmimi
të ecim krah botës me hallet tona
si gjithë të tjerët
të jetojmë të lirë
në atdheun tonë të shtrenjtë
në atdheun tonë të mirë
19.
sonte
ndizet flaka e madhe
në shenjë kujtimi
porosi për brezat
mos luani me fatin e atdheut
se kjo flakë ju djegë
mos luani se atdheu nuk është lojë
mos luani se për të keq
përjetësisht do t’ju kujtojmë
atdheut shërbim
atdheut nderim
mos ta shajmë atdheun
atdheun mos ta mohojmë
mos ta keqpërdorim atdheun
se toka brenda
nuk do të na le
tunduni
fjalë e madhe është
ATDHE
20.
edhe sonte
jetë e mot
flakën e kuqe do ndezim në Prekaz
në vatrën e lirisë
në kërthizën e shqiptarisë
sonte e përgjithmonë
do kujtojmë me dinjitet
Komandantin tonë legjendar
atë që ndezi flakët e lirisë
flakën e parë
në zemër të atdheut
në Prekaz
në zemër të shqiptarisë
Komandantin
Adem Jashari do e kujtojmë
si sonte
përjetësisht
emri i tij qoftë lavdue
për të populli ka me këndue
sa të jetë jeta me jetue…..
… Poema vazhdon, ka mbi 3000 vargje- autor Mehmet BISLIMI.
Zvicër, mars 2018