Në Klinë u mbajt manifestim me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit

Me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë, ka organizuar ceremoni, ku janë nderuar me mirënjohje dhe libra nxënës e arsimtarë të dalluar dhe ata punëtor arsimor që janë pensionuar në mes të dy festave. Fillimisht, zyrtarët e Komunës së Klinës, kanë nderuar me homazhe dhe kurora lulesh pranë bustit të tij, ish- punëtorin shumëvjeçar të arsimit dhe kryetarin e parë të Klinës pas luftës, Ismet Rracin. Në ceremoninë e mbajtur në Sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, në të cilën kanë marrë pjesë nxënës, arsimtarë dhe prindër, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka uruar gjithë punëtorët arsimorë për këtë festë dhe ka thënë se, kur përkujtojmë këtë ditë të veçantë për arsimin shqip, ngjallim nderimin dhe respektin për të gjithë ata pishtarë të dijes dhe të diturisë, të cilët që nga kohërat e hershme hapen shkollat shqipe dhe me punën e tyre sublime ruajtën frymën kombëtare të arsimit shqip në Kosovë. “Rruga historike e arsimit shqip, është rrugë e sakrificës së madhe të të gjithë pishtarëve të arsimit, shumë prej tyre edhe kanë rënë në këtë rrugëtim të shkronjave shqipe, duke e ngritur nga një altar në shërbim të popullit dhe të atdheut. Me punën e tyre sublime plejada të tërë mësuesish, ruajtën frymën kombëtare të arsimit shqip”, tha kryetari Elezaj. Kurse, Drejtori i Arsimit, Arben Limani, foli për historikun e shkollës shqipe, duke përmendur sakrificën e madhe që kanë bërë gjenerata të tëra për mbijetesën e arsimit shqip.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …