KFOR-i vëzhgon situatën pranë ndërtesave qeveritare

KFOR-i, si një nga institucionet kryesore ndërkombëtare për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, është mobilizuar për të vëzhguar për së afërmi protestën e sotme që pritet të nis në orën 14:00. Një automjet i blinduar i misionit paqeruajtës është pozicionuar në afërsi të ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit. Udhëheqës të KFOR-it nuk kanë përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes, në rast se protestat përshkallëzohen asisoj, saqë Policia e Kosovës nuk do të jetë në gjendje që të ruajë e vetme sigurinë vë vend.


 


RKL: Protesta e 9 janarit e organizuar nga Opozita në Prishtinë ishte
protesta më masive e pas luftës



Protestat e djeshme, më 9 janar, 2016, organizuar nga  tri partitë e
opozitës, pa dyshim se ishte ndër protestat më masive që është mbajtur
pas luftës në Kosovë. Ashtu sikur kishin paraparë edhe organizatorët,
protesta ishte paqësore deri në mbylljen e saj, por ato që ndodhen më
pas nuk janë  skena që e kemi parë për herë të parë, por po i shohim
dhe po i përjetojmë mbi kurriz prej ditës së nënshkrimit të
marrëveshjeve të gushtit të vitit të kaluar mes Qeverisë së Kosovës
dhe Serbisë, në Bruksel, marrëveshje në dëm të Kosovës dhe në dobi të
Serbisë hegjemoniste dhe antishqiptare.
Përleshjet mes grupve të protestuesve dhe policisë kanë qenë dhe po
mbesin konstanta e të gjitha protestave të organizuara nga opozita dhe
që kanë për qëllim anulimin e marrëveshjeve të dëmshme për vendin.

Opozita e bashkuar: Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe
Nisma për Kosovën, tashmë po paraqet një kualitet të ri të perceptimit
e veprimit në politikën aktuale të vendit, jo vetëm për shkak se
prejardhja kryesore e këtyre tri partive ka origjinë dhe përmbajtje
nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për faktin se
është bashkimi i parë serioz i shqiptarëve për të mbrojtur interesat e
kombit e Atdheut, qysh prej mbarimit të luftës së UÇK-së. Kjo nuk do
të thotë që në mesin e partive përbërëse të koalicionit qeveritar nuk
ka zyrtarë e deputetë, që i shpërfillin interesat kombëtare dhe që
përkrahin të gjitha veprimet e Qeverisë, por kreu i pozitës, ka qenë
dhe po mbetet i lidhur ngushtë në kthetrat e Brukselit, i mbajtur peng
për shkaqe dhe arsye jo edhe aq të panjohura.

Opozita e bashkuar nuk po pretendon ta marrë pushtetin, nuk po kërkon
me çdo kusht rrëzimin e Qeverisë, sepse Qeveria ka numrin solid të
votave në Kuvend, nuk po kërkon ndërrimin e kryeministrit apo
zëvendësit të tij,  por ka treguar dhe po tregon këmbëngulje për ta
ruajtur interesin e vendit nga degradimi i brendshëm dhe i jashtëm,
degradim i cili u thellua me nënshkrimin e marrëveshjes të 25 gushtit
2015, në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, për krijimin e bazës
juridike të një shteti serb brenda territorit të Kosovës,  edhe pse
krijesa  e tillë,  në fillim do të quhej “Asociacion”, por e stisur me
kompetenca të plota ekzekutive të një autonomie territoriale
mono-etnike, pavarësisht se  Kosova me 94 për qind banorë shqiptarë
është shpallur shtet multietnik.
           Një lëshim tjetër në dëm të interesit të Kosovës, u bë edhe
me rastin e përcaktimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi,
ku është nënshkruar marrëveshja, e cila dëmton vendin, duke i
shkëputur  rreth 10 mijë hektarë tokë e pyje, të cilat iu dhanë këtij
shteti sllav, që është krijuar një shekull e gjysmë më parë nga Fuqitë
e Mëdha të së kaluarës, duke zgjeruar territorin mbi trojet shqiptare
në Plavë e Guci, në Sanxhak, Anamal, Krajë e Ulqin dhe duke vrarë e
masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë autoktonë në trojet e tyre. Për
mbrojtjen e atyre territoreve kishin rënë me armë në dorë mijëra
shqiptarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, në luftë kundër Malit të
Zi, Serbisë, Rusisë, Austro-Hungarisë e Monarkisë SKS.
             Insistimi i Opozitës së Bashkuar për anulimin e
marrëveshjeve, apo për heqjen e njëanshme të nënshkrimit të këtyre
marrëveshjeve, qind për qind të dëmshme për vendin, është insistim që
duhet të përkrahet me çdo kusht dhe me çdo mjet e metodë demokratike,
pse jo edhe me aktivizim të përgjithshëm të forcës kombëtare, nëse do
të paraqitet nevoja.  Në të gjitha hartat e ish-Krahinës  Socialiste
Autonome të Kosovës, qofshin ato të Serbisë, Malit të Zi, ish-RSFJ-se
etj, të Shqipërisë, të OKB-së, Kosova ka pasur dhe ka një territor
prej 10.887 km².
          Opozita e bashkuar duhet të përkrahet, edhe për shkak se
deri tani ka treguar unitet, ka treguar forcë të matur të presionit
demokratik, edhe pse me mjete jo aq demokratike, por gjithsesi me
mjete të përmbajtura, sepse në raste të tilla, në rast të një
thirrjeje radikale, situata mund të eskalojë për një moment të
caktuar.  Veprimet virulente të opozitës duhen parë si shkak-pasojë
dhe në asnjë kontest tjetër, sepse si të tilla edhe janë manifestuar e
do të manifestohen, ashtu sikur kudo në botë. Duket normale kur
kërkohet të mos sulmohen institucionet, por kur krerët e
institucioneve shkelin interesin e vendit, atëherë zbresim në logjikën
realiste të kundërshtimit e ballafaqimit, sepse ata nuk e gëzojnë atë
të drejtë.

            Duket jo normale kur sulmohen me gurë policët shqiptarë,
ku merr flakë ndërtesa e Qeverisë, por po aq nuk është normale edhe
ndjekja që iu bën policia e armatosur deri në dhëmbë protestuesve,
prej qendrës deri  në lagjet më periferike të kryeqytetit. Opozita ka
qenë shumë e përgjegjshme dhe shumë e matur deri tani. Nuk mund të
thuhet se në veprime nuk ka qenë e matur edhe qeveria, Kuvendi apo
policia, të pakën deri me veprimin e fundit kur Isa Mustafa urdhëroi
arrestimin e deputetëve. Fakti se nuk ka rënë asnjë viktimë nga radhët
e protestuesve apo të policëve flet për një nivel pjekurie nga të dyja
palët.
            Sa i përket propagandës zyrtare kundër opozitës, (në
fushatën e orkestruar  nga mediet që i financon dhe i kontrollon
Qeveria), kreu politik dhe institucional i Kosovës, po mbështetet
fuqishëm sidomos nga Brukseli zyrtar, ku politikën kundër vendit tonë
e udhëheqin pesë shtetet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e shpallur,
më 17 shkurt 2008. Politika zyrtare mbështetet edhe  nga vendet e
Quintit, nga ambasadori amerikan, në Prishtinë, i cili krejt haptas ka
injoruar opozitën, veprim ky krejt i  kundërt me demokracinë e
proklamuar amerikane, ashtu sikur ishte edhe veprimi prej gangsteri i
ambasadorit Kristofer Dell, disa vjet më parë. Kjo ka të bëjë me
ruajtjen e status-quose, në një kohë kur po shtohet hovshëm ndikimi
rus në strategjinë ushtarake botërore  me intervenimin në Krime dhe
tani së fundi me bombardimet në Siri kundër forcave që po e luftojnë
regjimin kriminal të Assadit.
             Opozita përveç se është në shënjestër të Qeverisë,
diplomatëve të huaj dhe koalicionit antishqiptar të boshtit:
Beograd-Moskë, ajo vazhdon të sulmohet ashpër nga mediet vendore,
sidomos nga portali i gënjeshtrave “Ekspress”, nga Koha Ditore,  Zëri,
Bota Sot, Klan Kosova, e ndonjë medium tjetër. Edhe RTK-ja, sado që po
bën përpjekje të jetë e ballansuar, ajo dashur pa dashur do të mbajë
anën e Qeverisë, nga e cila varet financiarisht. Opozitës nuk i mungon
kuadri profesional në asnjë lëmi, nuk po i mungon guximi as platforma
e veprimit realist, dialektik, por i mungon prania e fuqishme, e
natyrshme dhe realiste në medie.
             Shkaqet dhe arsyet pse duhet mbështetur opozita e
bashkuar janë të shumta dhe janë krejt të natyrshme, sepse kërkesat e
opozitës janë në interes të kombit, në interes të ruajtjes së tërësisë
territoriale të vendit, në interes të ruajtjes së Kushtetutës, të
ruajtjes edhe të pakicave kombëtare të integruara në sistem, të
ruajtjes së vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare.  Opozita
sot paraqet zërin e ngritur peshë në mbrojtje të pavarësisë së
Kosovës, në mbrojtje të integritetit dhe dinjitet kombëtar, në
mbrojtje të gjakut të derdhur rrëke për liri, drejtësi shoqërore,
barazi e vetëvendosje.
Dje në Prishtinë opozita tregoi se ka përkrahje gjithëpopullore.
Prania në protestë e rreth 100.000 pjesëmarrësve, flet më shumë se të
gjitha komentet, kundërshtimet, dënimit që po iu bën qeveria dhe disa
ambasadorë të huja  protestave. Dënimet e tilla ja verbale dhe
paushalle, meqë edhe ata e dinë mirëfilli se  populli ka të drejtë të
protestojë dhe të mos lejojë të realizione marrëveshje që dëmtojnë
interesin e tij për hir të politikave pro serbe të një segmenti të
BE-së.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …