LUFTA PËR BARAZI NË KUSHTET E SOTME
Për kundër egërsimit të imperializmit dhe forcimit të tij; lufta anti kolonialiste dita më ditë po zgjerohet dhe po shkon drejt ngadhënjimit. Në kolonit klasike zhvillohet luftë klasike, andaj edhe kushtet janë të ndara qartë në shtypës dhe të shtypur.
Kushtet e luftës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, ndryshon rrënjësisht nga ato të popujve në kolonit klasike, sepse edhe pozita e popullit shqiptar dhe marrëdhëniet kolonialiste ndaj tij ndryshojnë shumë nga ato në kolonit klasike. Diferenca kryesore përbëhet prej dy elementeve: se populli shqiptar është koloni e copëtuar brenda tri republikave jugosllave – pra elementi në shtetin e vetëquajtur “socialist”; dhe se klasa punëtore dhe populli shqiptar nuk zhvillon luftë vetëm antikolonialiste, por edhe revolucion socialist. Vështirësitë e kësaj lufte në krahasim me luftën në kolonit klasike qëndrojnë te metodat e kolonializmit.
Demagogët jugosllav kanë improvizuar barazinë kombëtare dhe pas saj kanë vu aparatin shtetëror të dhunës – armatën dhe policinë. Ata i fshehin armët, por kohë pas kohe i reklamojnë ato, për të treguar se për çdo raste janë të gatshëm. Pikërisht për shkak të marrëdhënieve të tilla kolonialiste, me demagogji kombinojnë improvizimin e barazisë dhe reklamimin (kanosjen me armë) e armëve si dhe reklamimin e mirëqenies në mjetet e informimit publik dhe me anën e disa “sheqerkave” mundohen ta mashtrojnë dike se gjoja ende po punohet për zhdukjen e diferencave në zhvillim dhe se për disa gjëra ende nuk janë pjekur kushtet. Këto ndikuan që në njerëz të krijohen mendime të ndryshme me të cilat bredhin në hapësirë të pafund, kështu që si rezultat kanë pasur krijimin e rrymave të ndryshme të masat e gjëra popullore shqiptare, ndërsa disa nga njerëzit progresiv përfundonin në demobilizim e pasivizim.
Ky ishte edhe qëllimi i fundit i forcave reaksionare – demobilizimi dhe pasivizimi i çdo rezistence gjegjësisht i çfarëdo qëndrese para kërkesave kategorike për pavarësi dhe barazi klasore e nacionale. Imponimi i një oportunizmi tek masat e gjëra popullore ndaj kësaj çështjeje është ushtruar në mënyra të llojllojshme prej imponimit të unitarizmit si mënyrë e mendimit e gjerë te krijimi i një injorance ndaj veçorive dhe individualitetit kombëtar si diçka të tejkaluar dhe të prapambetur, se gjoja krejt çka është kombëtare është konzervatizëm i tij. Duke injoruar kështu çështjen kombëtare, rekcioni gjithnjë ka vu si element më të rëndësishëm çështjen sociale edhe atë në nivel të standardit jetësor momental pa e shikuar në mënyrë esenciale si diçka që s’ka të bëjë me standardin e përgjithshëm të klasës punëtore dhe kombit – popullit punonjës, si diçka të pa rëndësishme për të ardhmen. Siç shihet nga mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje është dashur të arrihet efekti që çështja nacionale të shikohet si diçka që ka të bëjë me traditën, kulturën e më së largëti me arsimin në gjuhën kombëtare.
Duke u munduar që në mënyrë artificiale të ndahet çështja nacionale nga ajo klasore dhe në këtë mënyrë, interesat e klasës punëtore shqiptare në Jugosllavi të përgjithësohen me ato të klasës punëtore jugosllave. Duke ia mohuar njohjen njëherit edhe interesat e saja të veçanta, që fundi i fundit iu kanë nënshtruar një eksploatimi të pa skrupull të maskuar suksesshëm. Këtë e dëshmon vet gjendja ekzistuese në republikat që e nënshtrojnë klasën punëtore, popullin dhe territorin shqiptar, ku mbar popullit shqiptar i mohohet njohja si komb, i mohohet njohja e madhësisë si popull, për kundër faktit se ai (populli shqiptar në Jugosllavi) paraqet jo pakicë (siç e kane emërtuar për ti ja mohuar të gjitha të drejtat ligjore që i takojnë një populli tjetër në Jugosllavi), për gjysmën e popullit dhe territorit shqiptar që gjendet në Jugosllavi, i cili për kundër të gjitha pasurive natyrore që i ka, është pjesë më e pa zhvilluar në RSFJ.
Ne gjërat i zbërthejmë në elemente të qarta e njerëzit të cilët në mënyrë sipërfaqësore e përcjellin gjendjen e klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ, habiten kur kohë pas kohe hasin në disa elemente në shtypin jugosllav, mbi gjendjen ekonomike në Kosovë. Atëherë nga shifrat zbulohet diçka, por jo të gjitha sepse prapambeturia e popullit shqiptarë në rrafshin e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe arsimor nuk shpjegohet ashtu si është, d.m.th. nuk tregohet gjendja reale që është, se kështu e imponon një prapambeturi të tillë dhe se kjo del nga ajo se populli shqiptarë është i copëtuar dhe i nënshtruar, ku eksploatimi nënkuptohet por me një maskë të zbehur dhe me monotoni përsëritet vargu se “e kaluara historike” ka ndikuar që Kosova të jetë 68% nën mesataren jugosllave e mos të flasim për krahinat shqiptare që gjenden nën sundimin e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sikur harrojnë që për historinë e Kosovës janë vetë fajtor e jo dikush nga qielli.
Në mes të çështjes klasore e nacionale, në mënyrë staliniste (Stalini e pat shfaqur mendimin që të gjitha kombet janë produkt i revolucionit borgjez dhe se ato pas ngadhënjimit të revolucionit socialist duhet të shkrihen në një “komb socialist”) të unitaritëve jugosllav (unitaristët jugosllav duan që të gjitha kombet brenda RSFJ të unisohen në “kombin jugosllav” – e majta ekstreme), edhe mes shikimit të kësaj çështjeje nga aspekti hegjemonist-kolonialist të forcave reaksionare jugosllave (e djathtë ekstreme) që e nënshtrojnë popullin shqiptar dhe punën dhe pasurin e tij, përbëjnë një tërësi të taborit antishqiptarë dhe antimarksistë e në esencë edhe anti jugosllav. Këto dy rryma ekstreme në të majtë e në të djathtë gjithsesi kanë krijuar çerdhe tradhtarësh edhe në mes të mikroborgjezisë burokratike-karrieriste shqiptare dhe me ta manipulojnë.
Si më parë edhe tani, ne (PKMLSHJ) i kemi forcat tona brenda LKJ dhe qeveris jugosllave, e cila me vështirësi, por marrë tërësisht qëndron në rrugën e drejtë marksiste – leniniste, duke veçuar fraksionin e brendshëm revizionist që është infiltruar dhe mban disa pozicione brenda tyre. Ata vështrojnë situatën dhe kohë pas kohe mundohen ti zmbrapsin nga populli shqiptarë hegjemonistët e bile në mënyrë evolutive mundohen që të krijojnë mundësi të shkohet përpara. Në këto reaksioni-fraksionist revizionist borgjez reagon në mënyra të ndryshme që edhe ai të përfitoj diçka. Ndërmjet këtyre forcave antisocialiste edhe brenda popullit shqiptar po ashtu janë krijuar rryma të ndryshme si rezultat i treguar i gjendjes që e cekëm më lartë. Këto kushte të klasës punëtore dhe popullit shqiptar, gjegjësisht avangardës së tyre e cila paraqet, gjithë secila specifiket në lëvizjen kombëtare, e bëjnë situatën të ndërlikuar dhe delikate gjë që e dëshmojnë disfatat e njëpasnjëshme politike të LK të Kosovës – komuniste shqiptarë në vinë e LKJ, e organizatës krahinore në platformë të PPSH në RSFJ, të cilave në këto kushte të ndërlikuara politike u mungoi aftësia dhe pjekuria e duhur politike që të dalin fitimtare mbi armikun e përbetuar antishqiptar e antimarksistë-revizionizmit, hegjemonist-kolonialistë dhe unitarizmit shtetmadh jugosllav.
Më në fund doli dhe u ngrit PKJMLSH, e cila hapi frontin kundër reaksionit dhe filloi të udhëheqë luftë intensive me metoda dhe forma të reja më të qëndrueshme dhe me energjike, para të cilave as sot borgjezja e kalbur nuk po paraqet far kundërshtari. PKMLSHJ nuk shpiku as gjë të re, por vetëm mësoi se revolucioni klasik paraqet vetëvrasje për ata që mendojnë të arrin diç me anën e tij, prandaj kjo modernizoi format dhe mënyrën e veprimit duke shkuar përpara drejt fitoreve të reja me hapa të sigurt. Revolucioni afatgjatë di të depërtoi në të gjitha poret e jetës shoqërore në mënyra dhe kombinime revolucionare, të cilat nuk është e thënë të jenë të zhurmshme, po të kenë rezultate dhe ku nuk duhet të na habisë vetëmburrja dhe vetëkënaqësia me kurrfarë fitoresh të vogla. Nuk ka kohë të përcaktuar për ngadhënjimin e revolucionit. Kryesore të mos shkaktohen pasoja të rënda gjatë tij, por të korren suksese dhe të paaftësohet armiku për ndërmarrjen e kundër aksioneve të popullarizuar revolucionare që duhet të kenë jehonë dhe të paraqesin strategji të re, e cila përfshin të gjitha sferat shoqërore. As kush nuk mbetet neutral, por të gjithë vinë në një mënyrë në tjetrën në pozitë të deklarohen si luftëtarë për pavarësi e barazi, ose si armiq e tradhtar të popullit dhe klasës të cilës i takojnë, rrugë të tretë nuk ka.
Iniciativa e PKMLSHJ që të vijë gjer te bashkimi i të gjitha forcave progresive shqiptare e sidomos të tri fronteve ideologjike, është e drejtë dhe shumë e nevojshme. Këto tri fronte janë – LK e Kosovës – komunistët shqiptarë në vinë LKJ:
Organizata krahinore me platformë të PPSH në RSFJ – irredentizmi dhe
PKMLSHJ në platformën e së cilës duhet të orientohet bashkimi.
Kjo është rrugë më e sigurt për ngadhënjimin e revolucionit socialist,
PRA:
NUK KA BARAZI NACIONALE E KLASORE PA BARAZI DHE PAVARËSI;
– EKONOMIKE
– POLITIKE DHE
– TERRITORIALE
Pa këto elemente vëllazërim-bashkim nuk ka
(vëllezërit të cilët nuk sillen vëllazërisht ndaj njëri tjetrit bëhen armiq – Tito)