Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: Copëza jete II

 Dialog për normalizimin e marrëdhënieve, apo për kantonizimin e Kosovës…? (II)

Qeveria e Kosovës është shndërruar në këshill për pajtimin e gjaqeve…

Qeveria serbe e cila ka zgjedhur momentin për të bërë presion në palën shqiptare në Kosovën Lindore, për të rrënuar lapidarin e luftarëve të UÇMB-së, qëllimisht po krijon një situatë konfliktuoze, për të devijuar politikisht shkeljen sistematike të shqiptarëve në ato komuna, duke vu shenjën e barazimit me lapidarin e ushtarëve të rënë në luftën për mbrojtjen e “pragut të derës”. Institucionalistët e Kosovës Lindore duhet të rrisin kërkesat politike esencialisht, të një jete normale, barabar me atë të serbëve në Kosovë, jo të lejohet që Serbia të neutralizojë të drejtat e tyre me legalizimin e lapidarit, por për këtë të kujdesen komunarët. Larg këtyre zhvillimeve me të drejtë qëndronë anash Qeveria e kosovës, publikisht, ngase Serbia pretendon që lapidarin ta krijojë si temë të bisedimeve. Mungesa e një bashkëpunimi të ndërsjelltë të strukturave udhëheqëse komunale me strukturat e shtetit shqiptar dhe atij të kosovës, por edhe implikimi i “maskave halloween” të AKSH-së, po krijon një disperzion të pakuptueshëm të fuqisë së tyre politike.

Zhvillimet e fundit në Bruksel, fatkeqësisht kanë nxjerrë si të drejtë skepticizmin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, por edhe të shumë qytetarëve, analistëve, opinionistëve…, se dialogu teknik është harruar dhe ka marrë konotacion krejtësisht politik dhe ka shndërruar palën kosovare në “sparing partner” në mes të BE-së dhe të palës serbe. Dalëngadalë, ashtu si ka filluar, qeveria e Kosovës po shndërrohet në Këshill për pajtimin e gjaqeve në mes të shqiptarëve dhe serbëve, duke përdorur një retorikë të ripërsëritur të pajtimit, për nënshkrimin e traktatit të paqes me Serbinë.

Kështu si shkojnë punët në Bruksel, të një dialogu të pabarabartë, në mes të kryeministrit Thaçi, të papërgatitur, dhe kryeministrit serb Daçiq, i cili po zyrtarizon projektin e Millosheviqit, dhe atë të Kushtunicës, duke zbehur Marrëveshjen Ahtisaari, për të rikthyer Kosovën mbrapa institucionalisht, përmes hapjes së temave të tejkaluara, të kornizuara me rezolutën serbe të Kosovës “më pak se republikë më shumë se autonomi”, që po përpiqet ta legalizojë Daçiqi.

Si pranon këtë nënshtrim pala shqiptare është e pakuptueshmeshumë ngase gjërat janë në mjegull, dhe klima e krijuar politike në strukturat politike pozitë e opozitë, se Kosova kishte fituar “betejën” në Asamblen e Përgjithshme të OKB-së për çdo ditë po bëhet megahit i humorit të zi, po ribëhet aktuale mbyllja e informatës se ç’bëri konkretisht delegacioni “laraman” (gati një autobus) i Republikës së Kosovës në New York, më 2010, përvesçe piknikut dhe shitëblerjes së “ndërresave të brendshme”, për dallim nga qytetarët-spektatorë të habitur në Kosovë, të cilët si zakonisht janë zënë në bisht të ngjarjeve, derisa liderët e tyre ishin ambientuar bukur në përcjelljen e sesionit të asamblesë së përgjithshme nga ulëset e buta. Cili ishte kontributi konkret i tyre dhe sa ishin këta akterë të vendosjes, përveq këmngulsisë stoike të qëndrojnë së bashku për të pa për së afërmi punimet e Asambles. Për t’u rritur atëherë numri i tifozëve ishte angazhuar sinqerisht, me tërë potencialin e tij fizik e afarist edhe Behgjet Pacolli. Prishtina pra kishte dërguar në New York pozitën (presidentin, kryeministrin, ministrin e PJ, zëvendës ministren, këshilltarë, body guard…etj) dhe opozitën e atëhershme, tash pozitë, të cilën e kryesonte Behgjet Pacolli, i cili shoqërohej nga miqët afrikanë. Deri më tash nuk u panë efektet diplomatike të njohjeve përveç takimeve miqësore me ambasadorë në holet e KB-së, vlen të përmendet edhe darka e shtruar e Pacollit për miqtë afrikanë si shumë e qëlluar.

Dr. Ibrahim Rugova kishte vepruar kështu gjatë viteve të 90-ta, kur në arenën ndërkombëtare nuk kishte njohuri të mjaftueshme për Kosovën, por dosido koktejet e tilla sponzorohen nga shtetet anëtare të OKB-së, prandaj Dr. Rugova i bashkërendiste aktivitetet e tilla së bashku me korin diplomatik të Shqipërisë, atëherë. Tash po shihen defektet e një diplomacie shterpe të Kosovës, me pranimin pakusht të dialogut “teknik”, tash të bisedimeve të rënda, Thaçi-Daçiq, ku pala shqiptare e Kosovës është “sparing partner” i BE-së. Meqenëse pas këtij “maskenball-i” nuk ka ndonjë zë të qartë të qeverive të cilat u involvuan në harmonizimin e qëndrimeve të BE-së dhe të Serbisë, të modifikimit të tekstit të projektrezolutës e cila më vonë u aprovua, u hedhë në votim si tekst i 27+1, i BE-së dhe Serbisë; mbetet të pranohet konstatimi i evropianëve se rezoluta e 27+1 është neutrale.

Projekt rezoluta nuk kishte si qëllim kapitullimin e njërës nga palët, ashtu siq na “bindë” kryeministri, ajo më tepër favorizon pretendimet e Serbisë për inkuadrim sa më të shpejtë në BE, kjo rezolutë më tepër karakterizohej me arritje të theksuar që Serbia të shkëputet nga sqetullat e Rusisë dhe të përfitoj nga përqafimi i BE-së. Rezoluta e balansuar “shpëtoj” evropianët nga “kokëdhembja” që iu krijua Serbia pas opinionit këshillëdhënës të GJND-së dhe, jo që kishte ndonjë interesim të përkushtuar për Kosovën. Sigurisht që BE-ja vazhdimisht po e mban gjallë ëndrrën e kosovarëve, për pranim të ndërsjellt të Serbisë dhe Kosovës, por situata në terren është pak më ndryshe, Kosova akoma nuk po arrin të sigurojë sovranitetin e plotë territorial të saj.

Kërkesa për hapjen e bisedimeve dhe marrja e hapave arbitrar bisedime me çdo kusht, pa spjegim të agjendës nga institucionet më të larta kosovare, po largon vëmendjen e tyre nga problemet konkrete të përditshme, papunësia, rritja e krimit të organizuar, vetëvrasjet, si dhe vrasjet e shqiptarëve, por edhe krijimi i një situate, të pamundëshme për të jetuar, në pjesën veriore të Kosovës…

Eshtë çështje tjetër pse shqiptarët kanë pranuar bisedimet pa parakushte, dhe pa konkretizim të qartë të kornizës së bisedimeve dhe pa deklarim të qartë të pranimit të kufijëve të jashtëm të Kosovës, ashtu siç i kishte në ish Fedratën Jugosllave. Ish-Jugosllavia u shpërbë me luftë, dhe nga asnjë nga subjektet ish-federale nuk u kërkua zbatimi i standardeve para statusit apo formula etnike e decentralizimit, meqë decentralizimi do të mbetet kryetemë e bisedimeve shqiptaro-serbe, Ahtisari plus.

Sigurisht që nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet palëve pa ndonjë presion të evropianëve, në këtë rast Kosova do të bëjë koncesione të mëtejme si gjithnjë, si palë më e dobët, ndërsa Serbia nga pozicioni i humbësit të luftës po rikthehet me haraq.

Meqë janë qarta qëndrimet e politikanëve serb edhe më heret, ata kishin mbështetur ato forca të serbëve në Krajinë (ngjashëm si forcat ekstreme në Mitrovicën e Veriut) që të refuzomim Planin e Lordit Vance, Planit Cutileiro, Planit Vance-Owen, Planit Owen-Stoltenberg, Planit Z4 etj.., për të cilat Koshtunica deklaronte atëherë se serbet ne Krajinë nuk mund të pranojnë autonominë në disa komuna, apo siç thonte ai ne “Tudman counties”disa Kounti të Tuxhmanit. Si duket ato plane të dështuara atëherë do të gjejnë konsumatorët e rinjë, palën kosovare. Prandaj, Nikoliqi dhe kryeministri i qeverisë serbe Daçiq nuk do e ndërrojnë pozicionin nacionalist asnjëherë, derisa nuk ndërron gjendja në terren.

Janë shumë të paqarta bisedimet që do të përcaktojnë funkcionalitetin e shtetit të Kosovës, kur ato në fakt përmes decentralizimit po dobësojnë dukshëm pushtetin qendror dhe funkcionalitetin institucional. Kriteret përcaktuese në këtë fazë janë vetëm ato që kanë “stampën” etnike serbe, prandaj edhe kufiri ndarës do të mbetet aty ku ka serb duhet komunë, aty ku ka kishë duhet komunë, kjo nuk i gjason aspak formulës multietnike.

Ekipi kosovar ka shkelë në dërrasë të kalbur dhe nëse vazhdon kështu vërtet është duke përgatitur terrenin që mitologjia serbe të jetë bazë e zhvillimeve të reja, dhe kështu të plotësohet thirrja e kreut çetnik se në një pjesë të Kosovës po “bosnjëzohet” Kosova dhe po krijohet miti i “Jerusalemit”serb (po kështu është njëjtë siç ishte në kohën kur në Beograd rraheshin shtetasit izraelit duke fyer edhe Auschwitz-in, kampin në Poloni, ku u ba krematizimi i hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, me po të njëjtat tendenca të SPS-it, që është parti e koalicionit qeverisës në Serbi që pretendonte që Avenynë kryesore në Novi Sad ta emëroj me emrin e Millosheviqit). Si të binden shqiptarët që kjo në të ardhmen e afërt nuk do të ndodhë, dhe atë përmes procesit të decentralizimit kur pushtetin lokal në disa komuna po e marrin serbët, sigurisht që i njëjti skenar po rikthehet në Kosovë. Dihet fakti se çdo politikanë serb fiton fuqinë politike në Kosovë, për çdo vjet shfrytëzohet Gazimestani dhe Graçanica për t’u shfryerë mllefi nacionalist mbi shqiptarët, kështu që problemet e thjeshta administrative po fitojnë edhe konotacione kishtare, dhashtë Zoti të mos jetë kështu.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …