Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur sot tryezën e diskutimit “Qëndrimet dhe sjelljet e votuesve të rinj”, gjatë së cilës u publikuan dy raporte të hulumtimit të opinionit lidhur me qëndrimet dhe preferencat politike të të rinjve. Të gjeturat e këtij raporti u bënë objekt diskutimi mes të rinjve, ambasadorit të Britanisë së Madhe në Prishtinë Ruairi O’Connell si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Evgjeni Thaçi-Dragusha (PDK), Fidan Rekaliu (LDK), Fitore Pacolli-Dalipi (LVV) dhe Teuta Haxhiu (AAK). Gjatë prezantimit të të gjeturave Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka theksuar se problemet të cilat janë servuar nga politika në baza ditore gjatë periudhës së fundit disavjeçare, në realitet nuk përbëjnë preokupimet e vërteta që të rinjtë kanë. Çështje si demarkacioni, asociacioni apo formimi i ushtrisë, janë në fund të listës së shqetësimeve që të rinjtë mendojnë se duhet adresuar. “Asnjëra nga qeveritë të cilat kanë udhëhequr vendin gjatë periudhës së realizimit të këtyre dy hulumtimeve nuk janë marrë pothuajse fare me problemet e papunësisë, liberalizimit të vizave, shëndetësisë, apo korrupsionit, pasi që të njëjtat çështje kanë vazhduar të mbesin si shqetësimet kryesore të të rinjve, që nga viti 2016”, ka thënë ai.
Bazuar në hulumtime Cakolli ka thënë se në mesin e të rinjve të Kosovës, ekziston një nivel i lartë i apatisë dhe skepticizmit ndaj partive politike dhe në përgjithësi ndaj politikës si proces. Po ashtu ka treguar ndër të tjera se votuesit e rinj kanë tendencë të mos jenë lojal dhe të disiplinuar ndaj subjekteve politike të tyre të preferuara, dhe gjithashtu nuk janë të prirë të ndikohen nga faktorë tjerë si familja, shoqëria, rrjetet sociale apo feja. Po ashtu ka thënë se votuesit e subjekteve politike në Kosovë nuk ndjekin ideologjinë partiake dhe kanë tendencë të mos jenë lojal ndaj subjekteve që i kanë votuar.
Ndërkaq Ahmet Rushiti nga KDI-ja, duke folur mbi të gjeturat e raporteve ka theksuar se KDI rekomandon që me qëllim të rritjes së nivelit të besimit ndaj institucioneve nga të rinjtë, të ketë përfshirje sa më të madhe të tyre në procesin e përditshëm vendimmarrës. “Partitë politike duhet t’u ofrojnë të rinjve më shumë hapësirë gjatë përpilimit të platformave politike, duke mos i kufizuar ata në aktivitete të forumeve rinore. Në këtë mënyrë, do të kishte më shumë alternativa për zgjidhjen e problemeve që të rinjtë kanë”, ka theksuar ai.
Njëkohësisht ka potencuar se Qeveria duhet të adresojë me prioritet problemet e papunësisë tek të rinjtë, liberalizimit të vizave, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik dhe arsimit, probleme të cilat janë identifikuar në të dy hulumtimet. “Rekomandimi tjetër i KDI-së ka të bëjë me atë që qeveria dhe institucionet e vendit të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe të nevojshëm që të zhvillojnë plane afatgjate në zhvillimin ekonomik, të arsimit dhe të projekteve që përmirësojnë cilësinë e jetesës në Kosovë, dhe që të njëjtat plane të ofrojnë perspektivë të qartë për të rinjtë dhe të mos e konsiderojnë këtë kategori vetëm si një pjesë demografike që ka nevojë për projekte të vogla në kulturë dhe sport”, ka thënë Rushiti ndër të tjera.