RrGK kërkon urgjentisht zbardhjen e rastit të Antigona Morinës. Dje, me datë 18 mars 2018, është raportuar për skandalin e radhës nga ana e organeve të drejtësisë lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës së ushtruar ndaj grave në Kosovë. Rasti i tanishëm vjen një javë pas raportimeve për lirimin e personit të akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitit, në mungesë provash, gjersa ky rast karakterizohet me zhdukjen e dokumenteve zyrtare të ankesës nga ana e Prokurorit të rastit për rastin e Antigona Morinës. Po të mos ekzistonte presioni i raportimit nga mediat, por edhe nga familja, kjo viktimë do të harrohej nga drejtësia kosovare.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon urgjentisht reagim adekuat të drejtësisë në Kosovë lidhur me rastin e të ndjerës Antigona Morina, me ç’rast dyshohet se Gjykata në Rahovec ka zhdukur ankesën e bërë nga Prokuroria pas vendimit i cili ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin kryesor, Hilmi Zekën. Poashtu RrGK kërkon që sa më shpejt të adresohen edhe lëshimet për këtë rast meqë asgjësimi i shkresave zyrtare nuk paraqet vetëm përgjegjësi disciplinore por është vepër serioze. RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtyre rasteve në përputhshmëri me kërkesat e Kodit Penal të Kosovës, ku në njërin prej neneve, përkatësisht Nenin 415 parashihet edhe dënimi deri në 3 vite me burgim.
Ju rikujtojmë që e ndjera kishte vdekur 6 vjet më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të.
Prandaj, përmes këtij reagimi RrGK përsëri u bën thirrje institucioneve të drejtësisë, respektivisht Gjykatës së Apelit në këtë rast, të vazhdojë hetimin në lidhje me rastin e Antigona Morinës, duke çuar para drejtësisë autorin e dyshuar për vdekjen e saj.
RrGK beson që vetëm me vendime të drejta organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit. Ngritja e përgjegjësisë institucionale gjatë trajtimit të dhunës me bazë gjinore do të rrisë raportimin e këtyre rasteve, duke u siguruar të ketë drejtësi, mbrojtje dhe rehabilitim për rastet e dhunës me bazë gjinore. RrGK do të kërkojë drejtësi për Antigonën edhe me protestë në orën 12:00 te objekti i Gjykatës në Rahovec me datën 23 mars 2018. Rrjeti i Grave të Kosovës është rrjet i 126 organizatave të ndryshme të të drejtave të grave në gjithë Kosovën që synon të mbrojë, promovojë dhe mbështesë të drejtat e grave dhe vajzave.