SHFHDK: T’u njihet statusi “dëshmor i kombit” të gjithë të rënëve!

Sendërtimi i amanetit të dëshmorëve të kombit për një Kosovë plotësisht të lirë, të pavarur dhe sovrane, si dhe mbrojtja e Republikës së Kosovës duhet të çohet në vend, përndryshe çdo protestë e organizuar është e mirëseardhur.Sakrificat e shumta që populli ynë ka bërë shekuj me radhë ndaj pushtuesve të ndryshëm, rënia heroike e heronjve dhe dëshmorëve të kombit në periudha të ndryshme historike gjatë dhe pas luftës çlirimtare gjithnjë kanë zgjuar ndërgjegjen atdhetare për të reaguar ndaj zhvillimeve jo të favorshme për Kosovën. Në këtë kontekst janë edhe zhvillimet e fundit të cilat, për fat të keq, nuk janë në përputhje me amanetin e heronjve dhe dëshmorëve të kombit të rënë para dhe gjatë luftës çlirimtare në Kosovë për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të Republikës së Kosovës. Shkelja e Kushtetutës përmes dy marrëveshjeve të fundit të dëmshme lidhur me Bashkësinë e komunave me shumicë serbe si dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi, shkelje këto që i konfirmoi tashmë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shton edhe më shumë indinjatën e familjarëve dhe dëshmorëve të kombit përse këto marrëveshje koncesionuese në dëm të Kosovës nuk anulohen me tërheqjen e nënshkrimeve të Qeverisë së Kosovës. Konsiderojmë se çdo qeveri e Kosovës e ka për obligim të mbrojë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, sepse është gjaku i heronjve dhe dëshmorëve të kombit të rënë për një Kosovë krejtësisht të lirë, krejtësisht të pavarur e me sovranitet të plotë, e që është edhe vullnet i popullit shqiptar, që i obligon të sendërtojnë në vepër këtë amanet dhe vullnet. Shoqata po ashtu tërheq vërejtjen se Qeveria e Kosovës po neglizhon paradoksalisht njohjen zyrtare të heronjve dhe dëshmorëve të kombit të rënë para luftës çlirimtare, duke mos u zbatuar Ligjin në fuqi, gjegjësisht nenin 8 pika 2 e këtij ligji. Duke parë një injorim të tillë të kërkesave tona, kemi kërkuar disa herë takim me kryeministrin e Kosovës, por kërkesa jonë ka hasur në vesh të shurdhër, ashtu siç jemi injoruar dhe siç është neglizhuar njohja e statusit të të rënëve qysh prej përfundimit të luftës nga të gjitha qeveritë e deritanishme, sidomos prej shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kërkesa për takim i është dorëzuar edhe kryetarit të Komisionit Qeveritar për Verifikim, Agim Çeku, i cili nuk e ka parë të arsyeshme të dëgjojë kërkesat tona. Shi për këtë, SHFHDK do ta shqyrtojë organizimin e një proteste për të kërkuar edhe një herë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që të plotësojë kërkesën tonë të drejtë për zyrtarizimin e statusit të heronjve dhe dëshmorëve të kombit siç e rregullon edhe ligjit aktual, që do të thotë t’u njihet statusi dëshmor i kombit edhe të rënëve para luftës çlirimtare.

Në këtë kontekst, çdo protestë paqësore e organizuar me qëllim të sendërtimit në vepër të amanetit të dëshmorëve të kombit për një Kosovë krejtësisht të lirë, të pavarur dhe sovrane, gjegjësisht në mbrojtje të Republikës së Kosovës, është e mirëseardhur, në mënyrë që kërkesat dhe vullneti i popullit të plotësohen.

Shoqata e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (SHFHDK)Prishtinë, 05.01.2016

 

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …