1878: Çare s’kemi pa e lëshue Ulqinin, – kem Stambollin “muhasere”!
2018: Çare s’kemi pa e lëshue Kullën e Qakorrin, – kem liberalizimin “muhasere”!
…. : Çare s kemi pa e lëshuar Veriun, kem ulësen në OKB- muhasere!
Kanë kaluar tri vjet të rënda e të mundimshme, me përpjekje për ta ruajtur një pjesë të territorit të Kosovës, në kufi me Malin e Zi, por edhe pas të gjitha këtyre përpjekjeve, të cilat janë manifestuar edhe me protesta të fuqishme të opozitës, e veçmas të Vetëvendosjes, doli se tërë përpjekja jonë ashtu si gjithherë, ishte si puna e Gurit të Sizifit, meqë më në fund ashtu sikur shumë herë deri tani prej vitit 1878, edhe kësaj radhe Kosovës iu mor një pjesë e territorit dhe iu dha Malit të Zi, të cilit dikur Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Plavën, Gucinë, Anamalin, Ulqinin, Tivarin e vise të tjera, por ai nuk ishte ngopur as po ngopet dot, sepse nuk thuhet kot që, “oreksi vjen në kohën kur fillon të hash”.
Në krahasim me humbjet historike të territoreve, me rrudhjen e tyre të skajshme, kjo nuk duket shumë, sepse nga Vilajeti i dikurshëm i Kosovës me 61.000 km2, Kosovës nuk po i mbesin as 10.000 të plota, ( nëse i hiqet Veriu) por edhe ky territor i ngushtuar deri ku nuk ka ku shkon më tej, nuk po i përmbush orekset e fqinjëve, gjithnjë grabitqarë dhe gatishmërinë historike të shqiptarëve për të mos u treguar cikërrimtarë me fqinjët, sepse jemi popull i vjetër, i kulturuar, i emancipuar…
Këtë kulturë pacifiste për mikun e fqinjin e kemi edhe sikur një punë kodeksi, sepse jemi edukuar në frymën e fqinjësisë së mirë, pa çka se fqinjët zevzekë, grabitqarë e vrastarë, nuk po kënaqen, me lëshimet tona. Greqisë nuk i ka mjaftuar Çamëria, Suli, Arta, Perveza, Parga, Janina dikur qendra të botës shqiptare, por tani do edhe një disa kilometra katrorë të detit, kërkon të ngihen sa më shumë përmendore e memoriale greke me mbetje eshtrash të atyre banditëve të saj, që i kishin lënë kockat në përpjekje për ta pushtuar Shqipërinë edhe ashtu të pushtuar nga Italia.
Euforia e miratimit të demarkacionit, për ata që e kanë nënshkruar është sikur flaka e kashtës, e cila merr flakadan drejt qiellit, por shuhet me të shpejtë dhe nuk mbetet tjetër veçse bloza e zezë, të cilën e shpërndanë madje edhe një puhizë. Pa kaluar as disa orë nga kjo “detyrë e shtëpisë”, që iu kishte caktuar BE-ja institucioneve të Kosovës si kusht për një notë kaluese, zërat që shpërthyen nga Brukseli e shuan euforinë. Sepse ata zëra bënë të ditur menjëherë se ka edhe kushte të tjera, madje të tilla të cilave nuk u dihet fundi…
Në një deklaratë të përbashkët të shefes së BE-së, Federika Mogherini, komisarit për migrim dhe punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos si dhe komisarit për fqinjësi dhe negociata të zgjerimit, Johanes Hahn, përshëndetet ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin, sikur thuhet si një prej kritereve kyçe për liberalizimin e vizave, duke e bërë të qartë në këtë mënyrë se ai nuk ka qenë kushti i fundit. Burime të ndryshme të BE-së në Bruksel, thonë se tash fokusi duhet të jetë në përmbushjen e kushtit të fundit, atij që lidhet me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pastaj mund të pasojnë edhe kushte të tjera si demarkacionin me Serbinë, heqja dorë përfundimisht nga veriu e çështje të tjera, me të cilat BE-ja dëshiron që Kosovën ta trajtojë si një vend të askujt të përshtatshëm për të zgjidhur orekset e fqinjëve dhe problemet afatgjata në Ballkan.
Fakti se Bashkimi Evropian ende nuk e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës, i lë mundësinë që me territorin tonë të sillet si të dojë, sepse jemi vetë ne ata, që ia kemi falur besimin, madje pak më shumë se dikur Baba Sulltanit.
Për Evropën jemi në gjendje të bëjmë “harakiri” nacional, sepse ajo ka fort kujdes të madh për ne, na do e na çmon si një ish-Vilajet të errët të Stambollit, na i plotëson të gjitha kërkesat, një nga një, natyrisht me kushtëzime, pasi ne paraprakisht t’ua kemi plotësuar kërkesat të gjithë fqinjëve tanë.
Dikur në kohën e Kongresit të Berlinit, në vitin 1878 pacifistë e kohës, bejlerët e agallarët u thoshin shqiptarëve se “Qare s kemi pa e lëshue Ulqinin, kem Stambollin muhasere”, sot 140 vjet më vonë na thuhet: “Qare s kemi pa i lëshue 8.200 hektarë tokë Malit të Zi, sepse liberalizimin e vizave e kemi muhasere, por edhe kjo nuk është e tëra, sepse fqinjët që janë mësuar të marrin lehtas tokat tona, meqë ato as kanë pasur as kanë Zot shtëpie, ose i kanë pasur dikur, të tillë sikur i kemi sot, edhe pse ne u kemi thurë këngë e lavdi se ata kanë bërë nam e batërdi, me jataganë e sinxhi.
E vërteta është se edhe atëherë edhe sot, kjo tokë është larë me gjak dhe nuk është lëshuar as po lëshohet me dëshirë, por si atëherë edhe sot po lëshohet për interesa dhe fitime të dikujt, qofshin ata bejlerët e agallarët e dikurshëm, qofshin këta kryetarët e kryeparët e sotëm, jo për popullin e mjerë, i cili shpëtimin e sheh te një vizë, për t ia “therë” drejt Evropës me shpresë për ndonjë punë, qoftë edhe duke pastruar kanalizimet dhe duke bërë çdo punë që nuk e bëjnë dot nazeqarët e Evropës.
Tani Kosovën e presin sfida të reja në bisedimet me Serbinë, në themelimin e Asociacionit në Veri, me luftën kundër korrupsionit, të cilën nuk ka kush e udhëheq kur të gjitha institucionet dalin të jenë me të korruptuar njëra se tjetra, të korruptuara gjykatat e prokuroritë, super të korruptuar UNMIK- dhe EULEX-i , pastaj me Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. Pastaj, shumë kohë më vënë edhe demarkacioni me Serbinë, po kjo nuk do të ndodh derisa Beogradi ta zhvat edhe “de jure”, veriun e Kosovës. Pasi ta ketë marrë veriun, pasi të rikonfirmojë eksterritorialitetin e kishave e manastireve serbe, pasi ta ketë ndarë Trepçën e pasi të zgjidh të gjitha çështjet me kompromis, Serbia do të ngopej nëse Kosova shpallet shtet i përbashkët i serbëve dhe i shqiptarëve, ashtu sikur po propozon kryetari i Serbisë, Vuçiq. Është parashikim ndjellakeq, por edhe një Kosovë sipas shijes së Vuçiqit do të gjejë mbetjet shqipfolëse që do ta përkrahin, tekefundit 30 vjet më parë me ndërrimet kushtetuese ishin vetë jugo-komunistët që i ranë në krevat Serbisë.
Natyrisht se ne, shumica, turma, të pakënaqurit, të varfrit dhe të nëpërkëmburit nuk do të pajtohemi lehtë, por në fund të fundit edhe do të pajtohemi, ashtu sikur janë pajtuar të parët, sepse vetë nuk kemi qenë as jemi të aftë t’ i zgjidhin çështjet tona sipas shembullit të Adem Jasharit, Adem Demaçit e të Ukshin Hotit. Sepse ne, numerikisht përbëjmë shumicën, por kur vjen lufta, vetëm 5 për qind e shqiptarëve merr pushkën, 10 për qind i mbështesin ata dhe pjesa tjetër nuhat kah iket nga vendi, më lehtë dhe pa pasoja.
Duke marrë për bazë të kaluarën, jo aq shumë të lavdishme sikur e ekzagjerojmë me qëllim për edukimin patriotik të brezave, ne kënaqemi duke iu kënduar trimave dhe duke u trimëruar vetë me veprat e tyre. Në këtë mënyrë, na duket sikur po e kryejmë një borxh ndaj tyre, sepse ata kanë derdhur gjak e ne ua kthejmë me këngë akteve të tyre të trimërisë, duke i përcjellë jo vetëm me sharki e çifteli, por edhe me rafalë pistoletash e automatikësh. Kush thotë se shqiptarët nuk janë trima, ai thjesht rren ose është tradhtar. Që ka pasur e ka trima në mesin tonë askush nuk e vë në dyshim, por trima të çartur të përçartur jemi kur luftojmë dhe i sulemi njëri-tjetrit, por kundër të huajve, e ruajmë urtësinë, burrërinë, zemërgjerësinë, veti këto që kurrë nuk na kanë munguar në të kaluarën, nuk do të na mungojnë as tani, sidomos kur është fjala për të huajt atëherë jemi “lepe-peqe”, “jes okej”.
A mund ta merrni me mend një politikan apo një zyrtar të sotëm shqiptar t’ i drejtohet BE-së, me fjalët sikur dikur iu kishte drejtuar Enver Hoxha, i cili në vitin 1975 nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Helsinkit për mos ndryshimin e kufijve të shteteve të Evropës. E kemi harruar këtë, madje ai akt, nga politikanët e sotëm në Shqipëri e në Kosovë, trajtohet si marrëzia e kokëfortësia e tij.
***
1878: Çare s’kemi pa e lëshue Ulqinin, – kem Stambollin “muhasere”!
2018: Çare s’kemi pa e lëshue Kullën e Qakorrin, – kem liberalizimin “muhasere”!
Ka mbetur edhe një qare pa qare…
. . . : Çare s kemi pa e lëshuar Veriun, kem ulësen në OKB- muhasere!
Dhe çaret e zararet në dëm të kombit e atdheut po ndodhin me hir e me pa hir, apo sikur thuhet sot, me shkop dhe me karrotë.
- 3. 2018
(Ahmet Qeriqi)