Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të pafajshëm në të tri akuzat, ish-imamin e Xhamisë së Madhe, mulla Shefqet Krasniqi, i cili me paragjykime dhe pa fakte e argumente akuzohej për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi.
Dr. Shefqet Krasniqi pas lirimit nga akuzat në një prononcim për media tha se e drejta doli në pah. “Kam qenë i bindur, si ju dhe ata që kanë urdhëruar të më arrestojnë, se nëse në vendin tonë ka vetëm një shkëndijë drejtësie, puna ime është shumë e qartë dhe pa asnjë shibël do të del në pah, dhe fal Zotit kjo u vërtetua. Faleminderit për të gjithë ju që më keni përkrahë, pavarësisht të gjitha lakimeve që kanë qenë herë-herë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, është akuzuar se “në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun dhe përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve Kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste”. Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar në vazhdimësi nga imami, Shefqet Krasniqi.
Fushata kundër dr. Shefqet Krasniqit, ishte fushatë tipike kundër islamit
Të përkujtomë me këtë rast se fushata kundër dr. Shefqet Krasniqit kishte marrë një dimension të fushatës kundër islamit në Kosovë si dhe kundër institucioneve fetare të myslimanëve në përgjithësi. Nga frika e kësaj fushate, imamit Krasniqi nuk i doli në mbrojtje as Bashkësia Islame e Kosovës, për shkak se duke u bazuar në akuzat që i bëheshin atij dhe disa shqiptarëve, që kishin marrë pjesë në luftën e sirianëve kundër regjimit kriminal dhe fashist të Bashar al Assadit, Kosova ishte shpallur tokë e pëlleshme e ISIS-it. Krejt kjo fushatë ishte bërë me qëllim që Qeveria e Kosovës ta bindte faktorin ndërkombëtar se ishte e përkushtuar ta luftonte terrorizmin islam dhe se këtë luftë e kishte fituar. Po ashtu, ajo kishte fituar edhe sa e sa donacione nga organizata të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare, një pjesë prej të cilave ua kishte ndarë medieve anti islame dhe antikombëtare në Kosovë, sidomos disa “gazetarëve” tru-shpërlarë nga klane të shërbimeve të caktuara, të cilat veprojnë edhe sot në Kosovë, të koordinuar me politikat e Beogradit dhe të Athinës. Janë organizuar dhe organizohen të ashtuquajturat ligjërata për deradikalizim, me fonde të majme që u shpërndahen profiterëve të shumtë, por edhe ndonjë imami që nuk i njeh as edhe parimet bazë fetare në përgjithësi dhe ato islame në veçanti.
Fushata kundër Imamit të Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi u manifestua vulgarisht edhe si fushatë kundër Radios-Kosova e Lirë, për shkak se për disa vite, në bazë të një kontrate të arritur mes drejtorisë së Radios dhe Imamit Krasniqi, veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai mbante një emision të rregull javor të kontaktit, me stafin e tij. Pavarësisht se ai ishte i pranishëm edhe në shumë medie të tjera të shkruara dhe elektronike, prania e tij në Radion-Kosova e lirë, u mor si shkas për ta dëmtuar financiarisht këtë Radio, e cila programin dhe konceptin e vet kombëtar nuk e ka lënduar me as edhe një emision të vetëm, prej ditës së parë të transmetimit më 4 janar të vitit 1999 e deri sot.
Programi i Shefqet Krasniqit nuk ka pasur të bëjë me Radion, meqë orët e programit kanë qenë të rezervuara dhe në pajtim me rregulloren e medieve, të cilat kanë të drejtë ta shesin deri në 25 për qind të programit ditor. Gjatë asaj kohe për dy vjet Radio ka transmetuar edhe programin fetar të krishterë nga Radio K 7, 1 orë në ditë program fetar, sipas marrëveshjes.
Në kohën derisa Shefqet Krasniqi ishte nën hetime, Drejtoria kishte marrë vendim ta ndërpriste emisionin javor, edhe për shkak të kërcënimeve që kishte marrë nga grupe dhe individë të caktuar, të njohur për Redaksinë. Pavarësisht nga fakti se dr. Shefqet Krasniqi është shpallur i pafajshëm, fushata kundër islamit në Kosovë as ka pushuar as do të pushojë ndonjëherë, sepse janë derdhur e po derdhen shumë fonde për këtë fushatë, e cila ka për qëllim ta dëmtojë tolerancën fetare në mesin e shqiptarëve, ta prish dhe ta shpërbëjë unitetin shekullor, vëllazëror, shqiptar në këtë drejtim.
Lufta kundër islamit nga qarqe të caktuara masone e politike në Kosovë po konsiderohet si luftë e drejtë
Lufta kundër islamit nga qarqe të caktuara po konsiderohet si luftë e drejtë, si një strategji me qëllim për ta bindur Evropën se shqiptarët i takojnë besimit të hershëm të krishterë dhe vetëm sipërfaqësisht dhe me emra janë myslimanë. Kjo hipokrizi e laramani fetare, në mesin e një shtrese shqiptarësh, analistë, gazetarë, politikanë, zbulon fytyrën e tyre të vërtetë, hipokrizinë të cilën e shpërfaqin hapur, por duke qenë labilë dhe pa identitet të mirëfilltë, nuk marrin hap për t’ u deklaruar hapur si të krishterë, ashtu sikur kishin bërë disa intelektualë në Drenicë, disa vite më parë.
Fushata kundër islamit është në radhë të parë fushatë e botës së krishterë, është një vazhdimësi e kryqëzatave shekullore dhe në këtë luftë ne jemi vetëm viktima nga cilado anë ta marrësh. Po të fitojë ideja e ISIS-it ne konsiderohemi ta tradhtarë të fesë, po të fitojë krishterimi, ne jemi tradhtarë të fesë së të parëve tanë.
Në këtë luftë dhe në këtë fushatë, me qëllim për ta dëmtuar dhe për ta zhbërë kulturën historike të tolerancës fetare ndër shqiptarë, humbësit më të mëdhenj jemi ne vetë, sepse nëse i besojnë një Zoti dhe nëse kemi të përbashkët po thuajse të gjitha mësimet fetare identike, atëherë përse u dashke të jemi vetëm të krishterë apo vetëm islamë?
Fakti se te ne ka mbijetuar deri në ditët tona toleranca fetare, e cila iu ka nënshtruar interesave të kombit e atdheut, fakti se luftën për çlirim nga Perandoria islame e kanë bërë pikërisht shqiptarët me besim islam, qofshin ata ideologë kombëtarë si: Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Ismail Qemali e shumë të tjerë, apo luftëtarë e strategë si Ali Pashë Tepelena, Zenel Gjoleka, Sylejman Vokshi, Isa Boletini, Hasan Prishtina e qindra të tjerë, tregon mirëfilli se islami ndër shqiptarë ka specifika historike dhe nuk mund të zhbëhet me fonde, qofshin ato nga Lindja apo Perëndimi.
Fati unë i keq historik ka bërë të jemi kështu si jemi, në tokat tona mes Romës e Bizantit, Mes Turqisë e sllavëve të Ballkanit, mes Lindjes e Perëndimit dhe duke qenë në një vend që është atakuar dhe atakohet nga mujsharët e botës, ne vazhdimisht jemi si trungu para kullës së kovaçit, ku provohen sëpatat e mprehura.
Uniteti, identiteti dhe qëndresa shekullore shqiptare për ta ruajtur gjuhën, traditat, besën si fondament identiteti, nuk është rrezikuar nga krishterimi, as mund të rrezikohet nga islami. Nëse i qëndrojmë fuqishëm këtij bazamenti të shqiptarisë, do të mbijetojmë edhe në këtë katrahurë të ndeshjes së ashpër mes islamit dhe krishterimit. Po ky idealizëm kombëtar shqiptar, tani po atakohet nga brenda, nga grupet e rrezikshme masone, nga ata që shpallin Kosovën tokë të pëlleshme të ISIS-it vetëm sepse 200 nga rreth dy milionë shqiptarë sa ka Kosova paskan shkuar të luftojnë në Siri, apo nga ata që përvetësojnë emrin e Allahut për të arritur qëllimet e tyre, jo fetare, por në radhë të parë materiale.
Në anën tjetër, asnjëherë nuk u hapën hetime kundër priftit katolik, Anton Kçira, i cili kishte akuzuar regjimin e Milosheviqit, jo për shkak se kishte masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë të besimit islamë, por që nuk ua kishte shkurtuar kokat edhe 1 milionë e 900.000 të tjerëve, pra të gjithë shqiptarëve myslimanë të Kosovës. Madje ai prift mori edhe mirënjohje nga ish kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani që ndante deri në 100 mirënjohje në ditë. Edhe një klerik tjetër katolik lëshoi një deklaratë të tillë, por për deklarata të tilla nuk hapen hetime, kjo vetëkuptohet…
Në Kosovë nuk ka shqiptarë që fut kilogramët e trotilit në trup dhe shpërthen në erë bashkë me ta, sepse nuk ka motiv për një gjest të tillë, përveç ndonjë rasti të izoluar të një të çmenduri të mundshëm, por që deri tani nuk ka ndodhur. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të gjendet ndonjë i tillë i çmendur. Por kur gjendet dhe arrestohet një serb me trotil, sikur ka ndodhur, tërë kjo relativizohet dhe mediet e caktuara që bërtasin kundër ISIS-it nuk komentojnë me asnjë rresht, sepse e hidhërojnë Beogradin, apo Athinën. Dhe ky Serbi me trotil dënohet më pak se një imam i cili në xhami ka ligjëruar se është haram që gratë myslimane të zhvishen lakuriq para publikut.
Shqiptarët që kanë fondament dhe identitet primar shqiptarinë, interesin e kombit të e atdheut të ndarë në gjashtë pjesë, të nëpërkëmbur në brenda e jashtë, preokupimet e tyre kombëtare në vazhdimësi i kanë vënë mbi ato fetare, krahinore, fisnore e grupore. Legjendari, Adem Jashari me familjen e tij dhe të gjithë të rënët në luftë për çlirim, nuk janë sakrifikuar për islam, as për krishterim.
Por edhe një gjë duhet të mos e harrojmë se, janë pikërisht shtetet e krishtera të Evropës, të cilat luftën tonë çlirimtare e kanë quajtur dhe po e quajnë terroriste, dhe pikërisht këto shtete e kanë detyruar Kosovën të themelojë Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. Ato shtete nuk kanë kërkuar Gjykatë speciale kundër serbëve të krishterë, të cilët kanë masakruar myslimanët në Bosnje, madje nuk kanë kërkuar Gjykatë Speciale për krimet monstruoze, masakrimin për dy ditë të 8.000 myslimanëve në Srebrenicë. Ushtarët e Evropës gjatë masakrave kanë bërë sehir, kanë incizuar dhe kanë lejuar të ndodh njëra prej krimeve më të shëmtuara, e njëjtë me përmasa të krimeve të Hitlerit kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.