Në 19 vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit të ZOLL të UÇK-së Sabit Rrahimi, Bedri Ahmeti, Ismet Asllani, Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu dhe Ragip Ademi më 24 mars do të mbahen manifestime përkujtimore. Në këtë ditë kur forcat e NATO-së filluan bombardimet ndaj caqeve serbe në të gjitha frontet e luftës u zhvilluan beteja të ashpra në të cilat ranë edhe shumë dëshmorë të kombit. Kështu Sabit Rrahimi, shef i shërbimit informativ pranë Brigadës 152 “Shaban Shala” ra heroikisht në fshatin Buzëllap (ish Dobërdol) derisa ishte në frontin e luftës për të penguar forcat serbe që të depërtojnë nga fshati Livadhi (ish Dumnicë). Bedri Ahmeti, komandant kompanie pranë Brigadës 151 “Zahir Pajaziti” ra në fshatin e lindjes në Llapashticë ku ishte gjatë tërë luftës, Ismet Asllani,komandant i logjistikës në Brigadën 153, ra në rrugën Lipjan-Prishtinë përkatësisht në fshatin Konjuh, ndërsa dëshmorët Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu ranë në Tashefc në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi prej nga tentonin të depërtojnë forcat serbe që të hyjnë në Kosovë. Po aty një ditë më vonë ra edhe dëshmori Ragip Ademi.
Në shenjë përkujtimi për këta dëshmor do të bëhen homazhe, vendosen kurora lulesh në vendet e rënies dhe pranë varreve të tyre në Gegaj (ish Dobratin), Llapashticë, Prapashticë, Repë dhe Ahishtë (ish Zhiti). Në këto manifestime përpos familjarëve të dëshmorëve, përfaqësueseve të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtarëve të dëshmorëve pritet të marrin pjesë edhe shumë liridashës tjerë nga Llapi,gollaku e më gjerë. ( M . K . )