Nga dita e sotme pritet që çdo automjet i cili do kalojë në Rrugën e Kombit të bëjë pagesën nga 5 deri në 10 euro vajtje-ardhje. Paralajmërimet për taksën rrugore në “Rrugën e Kombit”, që përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor në historinë e Shqipërisë, janë komentuar në mënyra të ndryshme nga përfaqësues të institucioneve në Kosovë. Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka bërë se është i interesuar që sa më parë të definohen gjërat sa i përket autostradave, duke thënë se do të merren parasysh modelet me të mira për zhvillimin e këtij projekti. Sipas tij, duhet të shikohet mundësia e koncesionimit të taksës rrugore me kushtin që mirëmbajtja e rrugëve të bëhet nga koncesionuesi.
Ndërsa, Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës , tha se një taksë e tillë për autostradën do të gjenerojë shumë më tepër efekte negative se sa pozitive. Ai sqaroi se ekzistojnë barriera të mjaftueshme në mes të një populli të ndarë në dy shtete, dhe kjo do të jetë një barrierë shtesë që do të godasë më së shumti kosovarët.