Frank Shkreli

Thanas L. Gjika: Portret biografi kushtuar gazetarit Frank Shkreli II

Vepër me vlera të spikatura politike, kulturore e shkencore

Libri i Frank Gjeto Shkrelit “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA Tiranë, 2016, 476 f.), sponsorisuar nga gazeta Telegraf, është një përmbledhje me artikuj, ese, analiza, recensione veprash, përkujtim datash historike për ngjarje dhe personalitete, etj. Dalja e këtij libri përbën një hap përpara në përpunimin e mendimit politik, shoqëror e shkencor shqiptar lidhur me të djeshmen komuniste dhe të sotmen tranzicionale për demokratizimin dhe ecurinë e Shqipërisë dhe të Kosovës drejt Bashkimit Europian. Shumë shkrime të këtij libri trajtojnë probleme që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë e të Kosovës dhe me politikën e SHBA-ve dhe BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nuk lihet jashtë vëmendjes as politika e jashtme e Rusisë dhe e Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe as politika e brendshme e shteteve fqinjë që vijojnë t’i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre.

Po ashtu ka dhe shumë shkrime të tjerë që trajtojnë probleme të ndryshme të traditave kulturore, letrare e shkencore të popullit shqiptar, si dhe me vlerësimin e figurave të sotme të letërsisë dhe të shkencës shqiptare që jetojnë e punojnë brenda ose jashtë atdheut.

Shpresa do ta mundë dëshpërimin.

Udhëheqja e PPSH-së në vitin 1990-1991, ashtu si kishte pranuar Mikail Gorbaçovi më 1989, pranoi dhe ajo dështimin e sistemit të diktaturës së proletariatit. Mirëpo, ashtu si ustai i Moskës edhe kupola e PPSH-së, u tregua djallëzore. Për të mos e humbur pushtetin përgjithmonë dhe për të siguruar trashëgiminë e pasurive të Shqipërisë, ajo hartoi një plan, zbatimi i të cilit filloi me hapjen e “valvulës së shkarkimit”. Ky plan parashikonte largimin nga Shqipëria të kundërshtarëve të vërtetë politikë dhe të të pakënaqurve, për të mos i pasur nëpër këmbë gjatë viteve të ardhëshme kur do të pranohej e zbatohej pluralizmi politik. Me rrugë e forma të ndryshme filloi nxitja për largimin nga Shqipëria të shumë të burgosurve dhe të internuarve. Para se të liroheshin, këta u këshilluan që të kërkonin largimin nga Shqipëria për t’u bashkuar me njerëzit e tyre që ishin arratisur në Europën Perëndimore dhe Amerikë. Më 2 korrik 1990 u hapën portat e ambasadave në Tiranë, kurse gjatë viteve 1991 e 1992 u organizuan eksode me vaporë për në Itali dhe hapja e kufirit me Greqinë.

Me anë të agjentëve të fshehtë u organizuan shumë shkatërrime dhe plaçkitje të pasurisë kombëtare. Krahas kësaj pune të mbrapshtë, për t’ua lënë vendin “tokë të djegur” forcave demokratike që po i sillte në pushtet pakënaqësia dhe revolta popullore, kjo kupolë formuloi dhe propagandoi shprehjet “Shqipëria u shkatërrua, Shqipëria s’ bëhet më”. Të tilla shprehje filluan t’i përsëritnin edhe ata që nuk ishin pjesë e kupolës komuniste dhe as forca në shërbim të saj, por njerëz pa formim të shëndoshë. Të tillë të gënjyer vijojnë t’ i riprodhojnë këto shprehje edhe sot, kur janë kryer shumë ndryshime gjatë këtyre 26 vjetëve të tranzicionit dhe Shqipëria e ndihmuar prej diasporës së re, SHBA-ve dhe BE-së, ka bërë shumë ndryshime materiale, politike dhe ligjore.

Frank Shkreli, gazetar i kualifikuar dhe i talentuar, me përvojë të gjatë pune, është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por pa i munguar orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27 vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe qytetare. Ai ka të drejtë kur thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).

Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera

Temë e pëlqyer për këtë gazetar është lufta për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë. Për keqësimin e gjendjes së gazetarëve në Turqi, ai sjell të dhënat e një takimi ndërkombëtar që kryen nëntë organizata botërore në Stamboll disa ditë para se në Shqipëri Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, të kryente shkeljen e tij ndaj lirisë së shtypit shqiptar.

Pasi sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, autori në shkrimin “Shtypi nën presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës. Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejton dhe ky Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij dhe ka përhapur në publik informacione të pavërteta. Ai i kërkoi Gjykatës që ta detyrojë gazetën “Telegraf” t’i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej 10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim detyre. Edhe të dhëna të ndryshme të analistëve shqiptarë dëshmojnë se zyrtarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së medias duke hedhur në gjyqe gazeta, televizione, website të cilat guxojnë të jenë kritike ndaj punës së tyre. Më tej ai citon pjesë nga fjalimi që mbajti në Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet e qeveritarëve.

Veprimi i z. Gjiknuri, sipas autorit, paralajmëron rrezikun se në Shqipëri do të ndodhin edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, ku demokracia është e brishtë…

Frank Shkreli, si bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin përndjekja e Kishës dhe e klerit katolik gjatë regjimit komunist solli pasoja shkatërrimtare, gjen rast herë pas here të kujtojë plagën e shkaktuar gjatë diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasoja të saj. Kështu ai vë re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At’ Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë” e këtij poeti, sqaron autori, midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, sidomos për pjesën e popullit shqiptar që jetonte në Jugosllavi, ka luajtur rolin e “Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni, biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund të shkrimit autori pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”, urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë dhe turpi.

Mbeturina të mendësisë komuniste sheh ky autor edhe në vlerësimet e gabuar ndaj Ernest Koliqit, kësaj figure shumëdimensionale që u shqua si shkrimtar realist, Ministër i Arësimit gjatë pushtimit italian kur ai hapi shkolla shqipe në tokat shqiptare që iu kthyen Shqipërisë më 1941, botues i revistës kulturore dhe shkencore “Shejzat” në Itali, mbledhës dhe studiues i traditave kulturore dhe folklorike të popullit tonë, njeriu që nuk u ligështua dhe nuk e humbi besimin për ditë më të mira, parashikues i rihapjes së kishave dhe luftëtar për një Shqipëri të lirë dhe të virtutshme, etj. Për vlerat e mëdha që ka vepra e Ernest Koliqit, thekson ky autor, duhet studiuar sa më parë dhe duhet bërë pjesë e programeve mësimore në të gjitha shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë e Kosovës dhe shkollat shqipe të Maqedonisë (f. 107).

Ajo që e shqetëson edhe më shumë analistin Shkreli është mbajtja gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës. Me rastin e festimit të 5 majit 2014, u panë tek vorrezat e dëshmorëve foto të diktatorit në prani të fëmijëve të shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në Shqipëri këto veprime kanë lidhje me persona që janë në pozita kyçe partiake dhe qeveritare, përfshirë dhe tempullin e popullit, Kuvendin e Shqipërisë. Të tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart dëshmon se: “Ata… jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar… se janë të paaftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ai përballet, se ata i thanë botës se gjithnjë janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur” (f. 459 – 460).

Si zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona… Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të ndodhin kurrë më” (f. 458 – 459).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …