Bajrami: Universiteti i Mitrovicës do të shpallet universitet publik

Ministri i Arsimit, Shkencës
dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë se Universiteti në veri të Mitrovicës
do të shpallet universitet publik në Kosovë. Ai ka bërë të ditur se Ligji për
Arsimin e Lartë, mundëson që ky universitet të jetë institucioni i tretë publik
i arsimit të lartë në Kosovë, por që nuk do të ketë status të njëjtë siç e ka
Universiteti i Prishtinës. Sipas ministrit të Arsimit, ky Universitet duhet të
respektojë Ligjin për Arsimin e Lartë dhe duhet të respektojë procedurat e
tjera që kërkohen nga një Universitet Publik. “Nuk kemi ambicie se ky
Universitet të ketë një status të njëjtë siç e ka Universiteti i
Prishtinës,  por me rëndësi që ai është Universitet i Kosovës. E ka
specifikën që ia lejon Plani i Ahtisarit dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale si
dhe kompetencat e komunave veriore”, është shprehur ministri, Bajrami. Ai më
tej ka thënë se ky universitet nuk do të jetë mono-etnik, por do të punohet që
të mundësohet edhe mësimi në gjuhën shqipe, ashtu siç po bëhen përpjekje që në
Universitetin e Prishtinës të hapet katedra në gjuhën serbe. Përndryshe, Universiteti
që vetëquhet i Prishtinës por që vepron në veri të Mitrovicës, është
konsideruar si ilegal nga autoritetet e Kosovës. Kohëve të fundit, ministri,
Arsim Bajrami ka kërkuar që ky Universitet fillimisht të akreditohet nga
Agjencia Kosovare e Akreditimit, pastaj të bëhet barasvlera e diplomave dhe
nostrifikimi i tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kritikon VMRO-DPMNE-në, për vendimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur kritika të ashpra ndaj VMRO-DPMNE-së, …