Në përkujtim të Konferencës së Bujanit 31. 12. 1943- 2.1.1944

72-vjet më parë, prej 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar 1944, në fshatin Bujan të Malësisë së Tropojës, është mbajtur Konferenca e Bujanit,  në përpjekje për ta afirmuar të drejtën e kombeve për vetëvendosje pas luftës kundër forcave fashiste italiane e gjermane. Po ashtu kjo konferencë mund të interpretohet edhe si rezultat i  mospërfshirjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën sundimin e ish Mbretërisë SKS-së në  vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ –it, që ishte mbajtur  në Jajce, më 29-30 nëntor të 1943 ku Kosova nuk ishte përfshirë si entitet i veçantë etnik territorial, por ishte trajtuar si pjesë e Malit të Zi.


Konferenca u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, ku ndodhej edhe  Shtabi i UNÇ-së të Kosovës të Komitetit Krahinor për Kosovë dhe  Rrafsh të  Dukagjinit. Në Konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste.  Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar) ish-Prefekt i Gjilanit, Pavle Joviçeviq, nënkryetar, Tefik Çanga, sekretar, ndërsa anëtarë u zgjodhën: Xheladin Hana Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Zekeria Rexha, Milan Zeçari dhe Ali Shukriu.


 


 


 


3. 1. 2016    ora 16.00   18.00


 


Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, ka deklaruar  se ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greig Delawie, është duke u rreshtuar përkrahë të korruptuarve dhe të shantazhuarve. Ambasadori Greg Delawie sërish ka thënë se Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ani pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se plotë 23 nene shkelen me marrëveshjen për “Zajednicën”. Thënë të drejtën nuk jam e sigurt nëse e kemi lexuar të njëjtin aktgjykim, përndryshe nuk ka se si shpjegohet këmbëngulësia e padrejtë e tij! Ambasadori Delawie poashtu paska thënë se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018.


Me siguri se i njëjti është në dijeni se kush i fiton zgjedhjet dhe sa përqindje marrin!!!


Është koha e fundit kur edhe ambasadoret t’i kuptojnë shqetësimet e qytetarëve të Republikës në lidhje me marrëveshjet e dëmshme. Rreshtimi përkrah të korruptuarve e të shantazhuarve, si Isa Mustafa e Hashim Thaçi nuk i bën nder as Republikës as qytetarëve. Qytetarët më 9 janar do ta vendosin përcaktimin e tyre!


 


Njëri prej aktivistëve kryesor të Lëvizjes Vetëvendosje, në Vushtrri, Naim Bunjaku, thotë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka maltretuar brutalisht. Ai ka akuzuar 5 policë se e kanë rrahur shumë, madje ka postuar edhe fotografitë e tyre. Policët më kanë pyetur ku ka qendruar Albin Kurti para se te dalë ne protestën e 28 Nentorit. Pasi nuk isha përgjigjur ata prapë filluan të më rrahin. Më pyesnin për Dardan Molliqajn dhe prapë filluan te me rrahin. Mbi 20 minuta me kanë pyte per Dardanin, Nol Nushin e të tjerë.  Disa policë më thoshin pse nuk po e vret kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin. Naim Bunjaku ka paralajmëruar kallëzim penal kundër policëve që e kanë maltretuar fizikisht  sapo ta marrë raportin mjekësor nga Qendra e paraburgimit në Lypjan.


 


Qeveria e Kosovës ka premtuar shumë prioritete zhvillimore për vitin 2016. Por, në të njëjtën kohë, paralajmërohet edhe një front i ri i opozitës së bashkuar për ta rrëzuar qeverinë aktuale, në mënyrë që vendi të mbajë zgjedhje të parakohshme gjatë muajve të ardhshëm. Sido që të jetë, për Qeverinë, prioriteti kryesor, theksohet të jetë zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për krijimin e një ambienti joshës për investitorët e huaj. Kryeministri Isa Mustafa ka veçuar prioritetet e qeverisjes së tij në vitin 2016. Do të përqendrohemi maksimalisht në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e punësimit, dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakusht që ne ta kemi besimin më të madh të ardhjes së investimeve të huaja në Kosovë”, ka thënë Mustafa.


 


Nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Driton Çaushi, deklaron se nëse nuk ka dorëheqje të Qeverisë dhe vazhdohet me insistimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjendja mund të eskalojë. Ne besojmë se çdo përpjekje për të vazhduar me procedurat që vijnë pas marrëveshjeve, që janë dekreti dhe statuti në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk ka asnjë kuptim dhe përkundrazi do të ishte një provokim, i cili do të merrte një përgjigje shumë të fuqishme të opozitës, pra do të ishte një thirrje për eskalim të situatës”, ka deklaruar Çaushi.


 


Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate të lëshuar, e ka dënuar dëmtimin e varrezave katolike në fshatin Romajë të Hasit. “Thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga qeveria. Populli i Kosovës,  është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare. Qeveria ka thënë se qëndron pranë familjeve të prekura dhe shpreh mbështetjen e plotë për banorët e fshatrave Romajë e Dedaj.


 


Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke folur për postin e saj aktual ka thënë se nuk do të kandidoj për një mandat të dytë, ndërsa aktiviteti i saj në cilësi të kryetares së vendit përfundon më 6 prill 2016, ka thënë Jahjaga për mediet. E pyetur nëse në mandatin e dytë do të ishte edhe më e suksesshme, ajo ka thënë: “Kam ende gjëra që më duhet t’i përmbyllë. Dhe mos harroni ende kam për të luajtur rol në tejkalimin e krizës aktuale. Kudo që do të jem, do të vazhdoj të jem e përkushtuar që të kontribuoj në forma të ndryshme në shumë çështje, të cilat i kam iniciuar në rolin tim si presidente.  Sa i përket kandidimit të Hashim Thaçit për president të ardhshëm, presidentja Jahjaga ka thënë se kjo do tu takoj deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Është çështje e 120 deputetëve, që janë të thirrur me Kushtetutë, të zgjedhin presidentin e Republikës së Kosovës. Kjo del përtej detyrave të mia kushtetuese të jap vlerësim për këdo nga ky pozicion”,ka thënë Jahjaga.


 


Adresa e objektit të ri të Ambasadës amerikane në Prishtinë nuk do quhet më rruga Ahmet Krasniqi, sikur e kishte emëruar is- administrata komunale e prejardhur nga LDK-ja, gjatë shumë viteve të qeverisjes, por ka kërkuar që ajo rrugë të quhet “Pavarësia, meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë në pavarësinë e vendit tonë. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se personeli  amerikan në ambasadë ka kërkuar që objekti të jetë në rrugën, që mban emrin e pavarësisë dhe ai ta ketë numrin e parë të rrugës. Vite më parë kur Komuna e Prishtinës udhëhiqej nga LDK, u emëruan shumë rrugë me emrat e zyrtarëve të LDK-së, ashtu sikur ishte emëruar edhe Sheshi i Pavarësisë  me emrin Ibrahim Rugova.


 


Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar kundër përdhosjes, fyerjes e denigrimit që po i bëjnë UÇK-së, bijtë e inspektorëve të UDB-së dhe jugo-gazetarët e KTV-së e Kompanisë Koha. Në emër të kësaj organizate ka reaguar Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku  i cili thotë se  humori i përgatitur për Vitin e Ri nuk ka asgjë të vërtetë me UÇK-në dhe kjo është hapur politikë tendencioze e KTV-së.  Nuk duhet të lejohet të bëhen tallje e shpifje me vlerat e kombit shqiptar, siç është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sepse dalin të jenë të kota përpjekjet e për t’ia humbur vlerën një Ushtrie që “me gjakun e saj i siguroi Kosovës atë që sot po e gëzojnë qytetarët e saj”. “Vlerën e UÇK-së janë munduar ta humbin që nga paslufta e këndej, me arrestime, montime të proceseve gjyqësore politike, etiketime e shpifje – si nga vendorët e po ashtu edhe ndërkombëtaret. Por, kot e kanë sepse ai lum gjaku që është derdhur për këtë gjysmë lirie, që ata po e përqeshin, nuk do të shkojë huq. Sepse kurdo do ta fitojmë lirinë e plotë dhe do t’i kemi gjyqet e pandikuara politikisht e ku do t’i ndjekin të gjithë ata që i bëjnë të keqija vendit”, thotë Klinaku.


 


Deputeti, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress, gjatë komentimit të ngjarjeve të vitit 2015  ka deklaruar se ashtu sikur  u shkarkua, deputeti serb Aleksandar  Jabllanoviqi, ashtu do të shkarkohet edhe kryeministri Isa Mustafa. Kurse, propozimin që Hashim Thaçi të bëhet kryetar i Kosovës, e sheh si një çmenduri që vështirë se do të ndodhë, nëse kihet  parasysh koha intensive prej janarit të  këtij viti. Kurti  përmbledh me një kronologji të gjitha ngjarjet që ndodhen në vitin 2015. Shkarkimin e Jabllanoviqit e quan sukses të protestave dhe presionit që u bë përmes këtyre protestave. Ai  thotë se kishte manipulime edhe me Trepçën, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur e ngujuar, e okupuar së bashku me  veriun e Kosovës. E së fundmi opozita e përbërë prej Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, nisën kundërshtimin e një procesi tjetër që do të nënshkruhej në Bruksel, për krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Për Kurtin, por edhe për dy partitë tjera opozitare, në Kosovë po krijohet një Republikë Serpska dhe këtë fuqishëm e kundërshtuan për tre muaj rresht në Kuvendin e Kosovës, me tym lotsjellës dhe me protesta.


 


Ish-ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Konuzin është shprehur i bindur se Brukseli do të kërkojë nga Serbia që të pranojë pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë për ‘Sputnik’ të Moskës, ai ka thënë se BE do të gjejë ndonjë formulë që këtë të mos e kërkojë në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Jam i bindur se BE do të kërkojë nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Është pyetje tjetër se si do të ndodhë ajo, ndoshta nuk do të jetë direkt. Por, gjithsesi se presioni do të rritet. Më duket se serbëve, në një mënyrë apo tjetër, do t’i përdorët aso lloj formule që në fund do të përkthehet si njohje faktike e pavarësisë së Kosovës”, ka vlerësuar Konuzin. Ish-ambasadori rus, më tej, ka theksuar se Serbia si kandidat për anëtarësim në BE, vazhdimisht gjendet para presioneve të tilla.


 


Demografi  i Shkencave Sociale,  Goran Penev   vlerëson   se në të ardhmen për trendet demografike të Serbisë, vështirë se mund të presim ndryshime pozitive dhe se në Serbinë qendrore dhe Vojvodina, sipas vlerësimeve deri në vitin 2060, do të jetojnë rreth pesë milionë njerëz. Panev  për agjencinë  e lajmeve Beta deklaroi se Serbia qendrore dhe Vojvodina në vitin  2060, do të ketë dy milion banorë më pak se sa tash,  si  pasojë e natalitetit të ulët   të gjendjes së keqe ekonomike në vend. “Shteti mund të ndryshojë të ardhmen demografike të serbëve nëse krijon kushte të favorshme për jetën e të rinjve. Ndersa për të krijuar kushte të favorshme për rittjen e natalitetit  është e nevojshme të ulët norma e papunësisë së të rinjve”, tha Penev. Nëse bëhet një krahasim del në shesh se në Serbi brenda një viti zhduket një qytet i madhësisë së Jagodinës kurse në Kosovë lindë-krijohet  një qytet i vogël. Në Kosovë çdo vit lindin më shumë se 27.000 foshnje kurse vdesin rreth 7000 njerëz. Demografët serbë kanë theksuar se rënia e popullsisë do të ndikojë në tërheqjen e vëmendjes së popullsisë afrikane për mërgim në këtë shtet.


 


Nesër, më  4 janar, në 17-vjetorin e fillimit të transmetimit të programit, Radio-Kosova e lirë pret në vizitë, ish-anëtarë të stafit të kohës së luftës e pas luftës, gazetarë, bashkëpunëtorë, veteranë dhe invalidë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve dhe dëgjues të Radios. Pritja e organizuar bëhet prej orës 10.00 deri në orën 16.00, në objektin e Radios, rruga, Thimi Mitko numër 6, në Prishtinë.


 


Nga bota


 


Si rezultat i pesë sulmeve vetvrasëse në bazën ushtarake irakiane në veri të Bagdadit, sot janë vrarë së paku 15 pjesëtarë të forcave irakiane ndrësa së paku 22 të tjerë janë plagosur. Zyrtarët e sigurisë thanë se dy nga sulmuesit i kanë shpërthyer eksplozivët e tyre tek porta perëndimore e Camp Speicher, një ish-bazë amerikane jashtë qytetit Tikrit. Tre sulmues të tjerë i kanë shpërthyer eksplozivët e tyre në hyrje të bazës, në një pjesë ku shfrytëzohet për trajnim të policisë irakiane. Përmes një deklarate në internet, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Sulmi vjen disa ditë pasi forcat irakiane të sigurisë, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit të drejtuar nga SHBA-të, njoftuan se e kanë rimarrë qytetin Ramadi.


Zyrtarët në Kabul thonë se tre ushtarë afganë janë vrarë pasi që është rrëzuar një helikopter i ushtrisë në provincën Logar, në jug të Kabulit. Zëdhënësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes, Davlat Veziri, tha se helikopteri i prodhuar nga rusët Mi-17, u rrëzua të dielën si rezultat i problemeve teknike. Ai tha se edhe dy ushtarë të tjerë afganë janë plagosur gjatë aksidentit. Qeveria e SHBA-ve i ka blerë helikopterët Mi-17 nga Rusia, i ka renovuar dhe më pas ia ka dhuruar ushtrisë afgane.


 


Autoritetet në Nju Delhi thonë se numri i trupave indiane, të vrarë gjatë një sulmi në bazën e forcave ajrore indiane, është rritur në shtatë. Përveç dy ushtarëve të vrarë gjatë sulmit në kufi me Pakistanin, autoritetet indiane kanë njoftuar se edhe katër ushtarë kanë vdekur si rezultat i plagëve. Një ushtar ndërkaq është vrarë gjatë një shpërthimi që ka ngjarë sot. Katër militantë të dyshuar islamikë u vranë gjithashtu gjatë betejës në bazën ajrore Pathankot, në Indinë veriore. Baza Pathankot ndodhet në një autostradë kryesore që çon në Kashmir, pjesën që administrohet nga India. Katër militantët e armatosur kanë hyrë në një pjesë të bazës ajrore mëngjesin e 2 janarit dhe janë përleshur me forcat e sigurisë. Zyrtarët ushtarakë në Nju Delhi thanë se militantët nuk kanë arritur të hyjnë në zonën ku janë të vendosur helikopterët dhe pajisjet e rënda ushtarake.


 


Ukraina ka njoftuar se që nga data 10 janar do t’i ndalojë prodhimet ushqimore ruse që të hyjnë në Ukrainë.


Kjo është përgjigje e Kievit ndaj veprimeve të ngjashme nga Moska që kanë hyrë në fuqi nga data 1 janar.


Sanksionet nga ana e Ukrainës që janë publikuar në faqen e inbternetit të qeverisë ukrainase, përfshijnë ndalimet për mishin, peshkun, produktet e qumështit si dhe pemët dhe perimet. Rusia i ka ndaluar produktet ukrainase me 1 janar duke thënë se një veprim i tillë është i nevojshëm me qëllim të ruajtjes së tregut të brendshëm rus. Hyrja në fuqi e Marrëveshjes për tregëti të lirë në mes Ukrainës dhe BE-së, sipas Rusisë, mund të bëj që Ukraina, produktet ruse t’i transportojë për në Evropë pa paguar taksat doganore.


Një përpjekje e Rusisë për ta penguar Marrëveshjen e tregëtisë së lirë në mes të BE-së dhe Ukrainës, kishte dështuar në vitin 2013. Në këtë kohë ishin shkaktuar protesta që çuan më pas në rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës.


 


 


 


 


 


 


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Arben Mustafa: Pesë propozimet e PDK-së për dalje nga kriza ekonomike

Arben Mustafa: Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti

Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka deklaruar se në qeverinë …