37-vjet më parë, në Prishtinë, ishte zhvilluar një demonstratë popullore në krye me studentët e Universitetit të Prishtinës me kërkesë për themelimin e Republikës së Kosovës. Po atë ditë në qendër të Prishtinës, Komiteti Krahinor i Kosovës organizonte parakalimin e Stafetës së Titos, një manifestim gjithë jugosllav me moton: “Edhe pas Titos-Tito”, që simbolizonte unitetin e bashkim vëllazërimit e të patriotizmit jugosllav. Studentët qysh në mëngjes kishin dalë për të manifestuar kundërshtimet e tyre para barakave të Konviktit, me ç’ rast ishin përleshur me policinë, në përpjekje për të depërtuar në Qendrën e Prishtinës dhe me qëllim për ta penguar parakalimin e stafetës. Në orët e pas ditës, policia speciale jugosllave si dhe policët shqiptarë besnikë të bashkim vëllazërimit kishin sulmuar studentët, punëtorët nxënësit dhe të gjithë qytetarët që kishin marrë pjesë në protestën, e cila ishte zgjeruar në tëra rrugët e sheshet e kryeqytetit. Sulmin më të ashpër dhe më brutal Njësitë Speciale të Beogradit e kishin ndërmarrë në konvikte duke i ndjekur studentët, duke i rrahur, madje disa edhe duke i përplasur nga dritaret. Ishin rrahur brutalisht dhe ishin arrestuar qindra studentë e pjesëmarrës në protestat e asaj dite…
Me rastin e përvjetorit të 37-të të demonstratave studentore të vitit 1981, Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka”organizon manifestim më 26 Mars 2018, Në aktivitetet në përkujtim të kësaj date me rëndësi të historisë sonë do të flasin: Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, dr. Bajram Kosumi, ish pjesëmarrës në protestat e 26 marsit dhe i burgosur politik, pastaj Hydajet Hyseni, veprimtar dhe ish i burgosur politik. Po kështu me këtë rast do të përurohet edhe libri i autorit, Gani Sylaj “Ilegal i viteve shtatëdhjetë” po ashtu i burgosur politik i viteve ‘70 dhe ‘80 të shekullit të kaluar.