Shkas për të shkruar u bë protesta në Prishtinë kundër ngacmimit seksual të studenteve nga pedagogët dhe asistentët e tyre! E di që dikush mund të më thotë: Pse a s’po ke çështje më të rëndësishme për të shkruar a? Sidomos këto ditë kur Kuvendi i Republikës votoi që Malit të Zi t’i dhurohen edhe 8 200 hektarë tokë shqiptare, pastaj “loja” e rrezikshme për ta ringjallur “zajednicën” e negociuar nga Hashim Thaçi dhe e firmosur nga Isa Mustafa, por që e kishte rrëzuar Gjykata Kushtetuese, etj. Mirëpo, pa i harruar këto dhe çështje tjera kapitale për lirinë, sigurinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës, mendoj që nuk mund t’i mbyllim sytë e veshët para gjendjes në shhkollat dhe universitetet tona… Keni dëgjuar deklaratatë e krerëve të shtetit të mbushura me plotë “përkushtim” e “shqetësim” për arsimin?! Keni parë dhe dëgjuar për gjithë ato programe (eksperimente) me shkollën tonë?! Keni dëgjuar e keni parë me dhjetra seminare (trajnime) që janë organizuar e organizohen për mësuesit dhe arsimtarët?! Keni parë qeveritarë e deputetë që derdhin lotë krokodili për gjendjen e rëndë në shkollën tonë?! Sigurisht që i keni parë e dëgjuar me qindra herë… Por, qytetarët tanë ndoshta nuk e kanë ditur dhe nuk kanë dëgjuar që Kryeministri i vendit të tyre nuk i beson shkollës së shtetit që e qeverisë! Djalin e tij e ka në shkollën private të Gylenit (ISP), sepse Kryeministri i vendit nuk i beson shkollës së shtetit të tij! Më shumë i beson një turku se shtetit të tij! Qytetarët tanë nuk besoj që e dinë se edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës fëmijët i ka në shkollën e Gylenit (ISP), ku paguhet rreth 3 000 euro në vit për fëmijë! Ky i ka tre a katër fëmijë në këtë shkollë të turkut! Janë edhe qeveritarë, profesorë universitarë, mjekë, drejtorë, deputetë e tregtarë të shumtë që fëmijët e tyre i shkollojnë në këtë shkollë ose në shkolla të ngjashme si kjo, duke paguar shumë para, sepse nuk kanë besim në shkollën e shtetit të tyre!
Ngacmimi seksual dhe fenomene tjera të dëmshme e të shëmtuara
“Ku ka zë s’është pa gjë”, thotë fjala e urtë. Jo vetëm këto ditë, por edhe më herët është folur e është përfolur për dukuri të shëmtuara dhe të dëmshme në shkolla dhe universitete të Kosovës! Madje, ka kaq shumë fakte të shënuara sa qytetarët tanë të besojnë se shkolla jonë dhe universitetet tona janë larg “standardeve” të dëshiruara për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre! Nëse këto shkolla nuk i “begenisin” krerët e shtetit dhe “aristokracia” (e krijuar me pak mund pas luftës!) për fëmijët e tyre, atëherë pse mos të besojmë që gjendja është alarmante! Krerët e shtetit me sa duket shkollën publike në Kosovë e konceptojnë si shkollë për popullin, për varfanjakët! Derisa fëmijët e tyre i shkollojnë në shkolla private këtu dhe në universitete jashtë vendit s’kanë pse çajnë kokën për shkollën publike të shtetit!
Janë me dhjetra lajme (në mos me qindra!) gjatë vitit për nxënës që shpërndajnë e përdorin droga të ndryshme në shkolla! Sigurisht edhe në universitete! Dihet nga të gjithë (kjo pranohet edhe nga drejtoritë komunale dhe nga policia) se ka nxënës që shkojnë në shkollë me thika në xhepa e çanta, madje edhe me revolver! Nuk janë të rralla therjet me thika ndërmjet nxënësve! Ka patur raste edhe të vrasjeve me armë zjarri! Nuk po flasim për disiplinën, cilësinë në mësimdhënie dhe mësimnxënie dhe për probleme tjera më të “lehta”, që janë të përhapura në shkollatë tona…
Këto ditë doli në publik edhe një temë ose dukuri e shëmtuar, që zakonisht është “tabu”, por që është folur e përflitet vazhdimisht: ngacmimi seksual i studenteve nga profesorët dhe asistentët e tyre, siç u tha sot edhe nga studentët! Në protestën e organizuar sot kundër ngacmimeve seksuale të studenteve pati studente që u deklaruan hapur dhe pa e fshehur identitetin e tyre se janë ngacmuar seksualisht nga profesori apo asistenti! Njëra prej tyre, studente e fakultetit të arteve, ishte detyruar edhe t’i ndërpres studimet pasi organet e Universitetit dhe as policia e drejtësia nuk kishin marrë masa kundër pedagogut që e kishte ngacmuar seksualisht! Pati edhe studentë të tjerë që thanë se “nuk shtrohet çështja a ka ngacmime seksuale në Universitet, por pse nuk merren masa me i parandalu ato”! Flitet poshtë e lartë se në universitet sot ka edhe pedagogë që dikur kishin abuzuar me nxënset e tyre në shkolla të mesme! Këta sigurisht që kanë abuzuar dhe abuzojnë edhe me studentet e tyre! Ka patur lajme ndonjëherë për ngacmime seksuale të nxënëseve edhe në shkolla fillore nga arsimtarët e tyre! Kjo vërtetë është dukuri e shëmtuar dhe e dënueshme! Në të gjitha vendet e civilizuara ngacmimi seksual i nxënëseve apo studenteve dhe abuzimi i arsimtarëve a profesorëve me to dënohet ashpër… Prandaj, shkollatë dhe universitetet tona duhet urgjentisht të “shtrëngohen” nga shteti dhe organet e tij ligjzbatuese që të jenë (ri)vendosin marrëdhënie korrekte civilizuese midis nxënëseve e studenteve dhe arsimtarëve e profesorëve… Të merren masa disiplinore, ligjore dhe penale të ashpëra ndaj atyre arsimtarëve e profesorëve (edhe asistentëve) që në çfarëdo forme ngacmojnë seksualisht nxënëset apo studentet.
Këto ditë është bërë debat i madh edhe për punën e “veshjes provokative” të disa studenteve a nxënëseve… Shkak i këtij debati u bë deklarata e prodekanes, Teutë Pustina, e cila tha se “shkak i ngacmimit seksual nganjëherë bëhet edhe veshja provokative e studenteve, prandaj duhet respektuar kodi i veshjes”… Ka një të vërtetë edhe në deklaratën e prorektores. Studente të tilla me veshje provokative ka në mjediset universitare, por edhe nxënëse të shkollave të mesme, por kjo nuk i jep të drejtë dhe nuk e arsyeton në asnjë mënyrë arsimtarin a profesorin që ngacmon nxënësen ose studenten! Rektorati, por edhe komunat e ministria duhet të kërkojnë format dhe mjetet më të mira për ta parandaluar këtë fenomen të shëmtuar dhe për ta denoncuar secilin që përfshihet në ngacmime të tilla në shkollë apo universitet. Edhe kodi i veshjes duhet te “imponohet” nga shkollat e universitetet! Nuk duhet të lejohen ekstreme të tilla si nxënëse a studente me shami e me veshje “fetare” (turko-arabe!), nga njëra anë, dhe nxënëse e studente të lakuriqosura, në anën tjetër! Një veshje dhe sjellje e ekuilibruar dhe emancipuar… Ndoshta përmes kutijave të posaçme, apo një numri telefoni, një imejli, etj. mund t’u krijohen mundësi studenteve apo nxënëseve që t’i denoncojnë ngacmimet e tilla të shëmtuara, duke garantuar mbrojtjen e identitetit të personit që nuk dëshiron të identifikohet. Sot ka mundësi të mëdha edhe me ajfona, etj. Nxënëset dhe studentet e ngacmuara dhe të abuzuara nga arsimtarët dhe profesorët e tyre nuk duhet të hezitojnë t’i denoncojnë hapur apo fshehur rastet, qoftë edhe ato që kanë ndodhur vite më parë… Kështu ndihmojnë shkollatë dhe universitetet tona të pastrohen nga arsimtarë dhe pedagogë të tillë me deformime psiqike, emocionale…