Që nga koha e shfaqjes së tendencës, që bisedimet e Brukselit në mes të Kosovës dhe të Serbisë të udhëhiqeshin nga presidentet e dy vendeve, pata shkruar se këta presidentë nuk mund të sjellin normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bile shkrimin tim e pata përfunduar me konstatimin: “Kot po mundohen zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian”, se me këta presidentë nuk ka normalizim të marrëdhënieve.
Të gjitha qëndrimet e shpërfaqura të zyrtarëve nga Serbia viteve të fundit tregojnë se ata nuk janë të gatshëm të përballen me realitetin e ri të krijuar në Ballkanin Perëndimor. Politika serbe nuk është e gatshme t’i përqafojë vlerat evropiane të bashkëpunimit e të partneritetit. Nuk është e gatshme të shkëputet nga politikat luftënxitëse e as të angazhohet për një Ballkan të zhvilluar e paqësor.
Janë tri çështje të mëdha që tregojnë se Serbia nuk mund të shkëputet nga e kaluara shoviniste e saj.
E para, Serbia asnjëherë deri më tani nuk është shkëputur nga politikat luftënxitëse e të gjenocidit, politika që ishin të konstruktuara e të realizuara nga Beogradi zyrtar. Përkundrazi, drejtuesit e shtetit serb, duke qenë edhe vetë pjesë e këtij gjenocidi, po mundohen t’i akuzojnë të tjerët për veprime terroriste, kur ata (forcat e ROSU-së) ishin në mbrojtje të lirisë e të sovranitetit të shtetit të krijuar me flijime të shumta.
E dyta, i gjithë komunikimi i zyrtarëve të lartë serbë në raport me shqiptarët e Kosovën, në çdo rast, ka qenë e ka mbetur, në kornizat e shovinizmit të egër serb, të mitit të rremë serb, për Kosovën “zemër, djep e shpirt të Serbisë”. Bash mbi këto mashtrime ata kanë ushtruar politikën dhe zhdukjen e pjesërishme ose të tërësishme të shqiptarëve nga trojet e tyre të banuara denbabaden. Dhe
E treta, në vend që zyrtarët serbë të vinin në Republikën e Kosovës për të kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes serbëve të Kosovës si komunitet pakicë me shumicën shqiptare, ata vazhdojnë t’i përdorin serbët e Kosovës si “mish për top”, për rrënimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, pra për t’i vazhduar politikat e luftës e të gjenocidit.
Prandaj Vuçiqi duhet ta dijë se djalli i djeshëm i politikës së gjenocidit serb nuk mund të bëhet dot engjëll i sotëm i demokracisë.
Nuk kam asnjë dyshim se përgjegjësinë për fillimin e papërgatitur të bisedimeve politike (të përfunduara në Vjenë në vitin 2007), në mes të Kosovës e të Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit e ka Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe të gjithë ata që e mbështetën për këto bisedime (si mbështetësit e brendshëm e si ata të jashtmit), të cilat bisedime fare nuk është dashur as të fillonin. Madje jo vetëm që filluan, por ato ishin tërësisht të papërgatitura. Dhe ketë e kanë treguar, më shumë se qartë, dy rastet më eklatante: Treni i fillimvitit 2017 dhe rasti Gjuriq i 26 marsit 2018.
Shkurt, problemi nuk mund të zgjidhet në stilin siç po kërkojnë zyrtarët evropianë: “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë e nevojshme në mënyrë që gjendja aktuale në terren në Kosovë të mos përshkallëzohet më tej.”
Problemi real dhe rreziku për paqen dhe sigurinë është në Serbi dhe adresimi i tij duhet bërë po atje. Kosovës i mbetet vetëm qyqarllëku, nëse është vetëm ky. Politika në Kosovë mund të ketë 1001 gabime në udhëheqjen e vendit, por kërcënimi i paqes dhe i sigurisë në Kosovë e rajon vjen vetëm e vetëm nga politika luftënxitëse e gjenocidale e udhëheqësve serbë të Beogradit dhe mbështetësit e tyre potencialë. Politika e tolerimit që vjen nga Perëndimi për Serbinë dhe mos dënimi i Serbisë nga GJND-ja për gjenocidin e ushtruar në Kosovë, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, sikur i kanë dhënë krahë politikës luftënxitëse e shoviniste serbe si dhe impulse të reja agresiviteti.
Reagimi i fundit i institucioneve të Kosovës ishte i domosdoshëm, por jo vetëm si spektakël. Kushtetuta e ligji duhej të zbatoheshin në tërësi. Lirimin e Gjuriqit duhej ta bënte vetëm gjykata e askush tjetër. Këtu ndërhyrja politike, si në organin e sigurisë, e po ashtu edhe në atë të drejtësisë (në gjyqësor) ishte dhe është e qartë.
Zyrtarët serbë duhet ta dinë se edhe ardhja krejt miqësore e zyrtarëve të një shteti në shtetin tjetër ka rregulla e procedura që duhet respektuar maksimalisht, kurse ardhjet armiqësore nuk kanë e nuk duhet të kishin përfundim tjetër veç atij që e pamë. Bile, mund të themi se Gjuriqi ka shpëtuar tepër lehtë!
Konsistenca dhe koherenca e veprimeve të institucioneve dhe të organeve të sigurisë së shtetit ishte dhe është e domosdoshme! Kësaj radhe nuk ishte gjithçka okej, për faktin se Gjuriqi u lirua shpejt e pa procedurat e duhura ligjore. Le të presim e le ta shohim konsistencën politike se sa koherentë do të jenë në ta ardhmen udhëheqësit institucionalë në Kosovë!
Farsat janë të dëmshme. Farsa dhe pasojat e 25 korrikut 2011 dhe pasojat që derivoi nuk duhet të përsëriten.