Analisti Daniel Serwer, studiues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin Johns Hopkins, tha të hënën se reagimi i kryetarit turk Rexhep Tajip Erdogan, pas depor- timit të shtetasve turq nga Kosova, është shqetësues, por është në vazhdën e prirjeve të tij brenda vendit dhe jashtë tij. Serweri ka thënë se lidhur me rrethanat e deportimit do të ishte mirë të priteshin rezultatet hetimit. Ai ka shtuar se Erdogani përbën shqetësim për shumë amerikanë jo vetëm për këtë arsye, por edhe për të tjera, përfshirë një sjellje gjithnjë e më autokrate, që nuk është aspak e përshtatshme për një vend që ka pasur aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që ende aspiron të jetë demokraci.
Serweri ka pohuar se Turqia ka luajtur rol pozitiv në Ballkan, veçanërisht në vitet ’90 dhe 2000. Duke e analizuar ngjarjen e fundit në kontekstin e masave të Turqisë, pas asaj që Erdogani e ka konsideruar si tentativë për grushtshtet të lëvizjes së Fetullah Gulenit, Serweri tha se masat kundër mbështetësve të tij janë të tepruara. Serweri ka theksuar se Perëndimi duhet t’i ndjekë me vëmendje zhvillime në Turqi dhe ta kritikojë Erdoganin për shumë aspekte, përfshirë këtë çështje. Ai shton se mungesa e vëmendjes nga Perëndimi është pjesë e arsyes që Erdogani nuk druhet të veprojë me forcë brenda dhe jashtë Turqisë.