leoni

Seanca ndaj deputetëve të opozitës mbahet me 6 janar

Katër deputetët e opozitës që ngarkohen për vepra penale, së shpejti do të sillen para drejtësisë. Gjykata Themelore e Prishtinës tashmë ka caktuar seancën e parë me 6 janar të vitit 2016, për shqyrtimin e aktakuzës për deputetët, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi. Në aktakuzën e ngritur, deputetët e apostrofuar ngarkohen me përgjegjësitë penale ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ si dhe ‘pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’.


 


28. 12. 2015   ora 6.00 dhe 8.00


 


Përfaqësuesit e partive politike të opozitës kanë bërë të ditur për mediet se protesta gjithëpopullore e 9 janarit të vitit 2016, do të pasohet me protesta të tjera masive deri në rrëzimin e Qeverisë. Ata thonë se kjo Qeveri nuk mund të vazhdojë të funksionojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi “gardiani i Kushtetutës” ka dëshmuar se me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit është shkelur akti më i lartë juridik në vend. Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se protesta e 9 janarit nuk do të jetë e dhunshme, por opozita do të protestojë në mënyrë masive derisa shkelësit e Kushtetutës të largohen nga pushteti. Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se Qeveria aktuale duhet të bjerë, pasi i ka shkaktuar shumë dëme vendit, prandaj edhe nuk e meriton të qëndrojë më gjatë në pushtet. Tani Gjykata Kushtetuese me vendimin e vet tregon se pjesa kryesore e kësaj Marrëveshje e ka dëmtuar interesin e shtetit dhe se është shkel Kushtetuta, ka saktësuar, Ahmet Isufi.


 


Vetëvendosje njofton se policia e Kosovës ka arrestuar koordinatorin e sekretariateve të Lëvizjes, Nol Nushi. Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje po përndjeken politikisht na policia partiake, për shkak se protestuan kundër marrëveshjeve antikushtetuese me Serbinë. “Në vend që Isa Mustafa e Hashim Thaçi të dorëhiqen, pasi nënshkrimit të marrëveshjeve të dëmshme, tashmë të shpallura edhe antikushtetuese, ata po vazhdojnë ta burgosin opozitën. Kjo mënyrë e të vepruarit, paralajmëron fundin e kësaj Qeverie. Mustafa e Thaçi nuk do të mund t’i mbulojnë gabimet e tyre duke arrestuar qytetarë dhe aktivistë. Qytetarët do të protestojnë masivisht më 9 Janar dhe nuk do të ketë represion policor që do të arrijë ta ndalë opozitën”, është thënë në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje!


 


Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti ka thënë se kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi me kokëfortësi duan të vazhdojnë punën për themelimin e Asociacionit, edhe pse Kushtetuesja e shpalli këtë marrëveshje jokushtetuese.  Mustafa e Thaçi nuk mund të qeverisin më dhe, se ata e kanë vendin në burg. Edhe pse në gjuhën më të butë të mundshme, Gjykata Kushtetuese i tha Qeverisë së HashimIsës se marrëveshja e 25 gushtit është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, këta me kokëfortësi duan të vazhdojnë punën për themelimin e Zajednicës. Këta shkelës të shumëfishtë të Kushtetutës, le ta dinë se më nuk mund të qeverisin!. Nuk mund as të shkojnë në shtëpi! Për shkak të veprës penale të tradhtisë ndaj vendit, këta i duam në burg, ka shkruar ajo.


 


Shefja e grupit parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ka reaguar kundër deklaratës së kryeministrit,  Isa Mustafa se nuk do të udhëtojë në Evropë në rast se nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Valdete Bajrami ka kërkuar largimin e Mustafës nga posti i kryeministrit, pasi vendi është ngulfatur më të. “Po dëgjojmë deklaratë pas deklarate nga kabineti i çoroditur qeveritar duke filluar nga kryeministri në ikje e deri tek vartësit e tij, e besa njëri nga ta mbrojtësit e kushtetutës, deputetët dhe aktivistët e opozitës i quajti ISIS. I pari i cili është në ikje dhe vetëm hija i ka ngel paska thënë që nuk do të udhëtojë në Evropë në rast se nuk do të ketë liberalizim për qytetarët e Kosovës. Sa për rikujtim z. Mustafa për fajin tënd dhe për dështimin tënd dhe të vartësve tuaj nuk po e kanë qytetarët lëvizjen e lirë. Dhe për shkak të dështimit tuaj personal dhe të kabinetit tënd po ndëshkohen qytetarët. Boll më vajtuat largohuni sa më parë se shumë dëm i keni sjellë vendit dhe qytetarëve. Ju lutem ndaloje atë farë ministri mos të shitet se kinse është duke punuar në rritjen e numrit të të punësuarve se me të vërtetë shumë ama shumë qesharak po dukeni. Largohuni sa ma parë dhe lejoni që qytetarët dhe Kosova të merr frymë ndryshe se ju e keni ngulfatur shtetin tonë, ka shkruar Bajrami.


 


Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se kur Isa Mustafa flet për Prishtinën e di se aty shpërfaqet dallimi kryesor në mes te koncepteve të qeverisjes.  Mustafa nuk përmend  çerdhet, as tregun e prodhimeve vendore, as vendet e punës, as rrugët e ndriçimin.  “Por e ka një temë e cila e frikëson më shumë se të gjitha. Është dallimi në qasjen ndaj korrupsionit, parregullsive, nepotizmit”, ka thënë Ahmeti.


Dikur Isa Mustafa nuk bënte dot dallim mes ndërtimeve me leje e pa leje. Sot nuk përmendet fare, sepse është bërë normal ndërtimi me leje ndërsa ndërtimet pa leje janë anomali. Pra kemi dallimin edhe atëherë edhe sot në mes të s’mundet dhe mundet. Storiet e korrupsionit janë normale për të. Nuk janë normale për ne. Storiet e nënshtrimit janë normale për të. Nuk janë normale për ne. E shumë e shumë shembuj të tjerë. Edhe atëherë Mustafa  përbuzte nderin, punën dhe argumentin e të tjerëve. Atëherë humbi dhe Prishtina mund të shihte ndryshe. Edhe Kosovës sot i  duhet të shohë ndryshe. Ne mundemi të kemi shtet normal. Ne mundemi të jetojmë të barabartë”, ka shtuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.


 


Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka prezantuar të arriturat e ministrisë brenda një viti, duke  theksuar se prioritet për vitin 2016 mbetet punësimi. Ai, në një konferencë për media ka thënë se ideja themelore ka qenë që të ndryshojnë imazhin e krejt kësaj ministrie që nga fillimi. Ndërsa nuk ka bërë të ditur sesi përmirësohet imazhi i një ministrie, kur nuk raportohet  saktë dhe nga rreth 300 mijë të papunë sa ka Kosova  ai zbret shifren në 115 mijë. Po ashtu ministri  Abrashi, kohë më parë kishte deklaruar si të zënë me punë edhe rreth 12 mijë veteranë, të cilët  16 vjet pas luftës arriten më në fund të sigurojnë një pagë lëmoshte prej 170 euro. Nëse ai konsideron se edhe familjet me asistencë sociale janë të punësuar, atëherë del se në Kosovë nuk paska fare papunësi. Numrin e të papunëve ministri Abrashi e zbret edhe për rreth 100 mijë të papunë, të cilët  vetëm gjatë  këtij viti kanë ikur për në shtetet e Evropës, ndërsa deri tani janë kther rreth 15 mijë prej tyre. Imazhi i ministrisë nuk përmirësohet me atë që quhet performancë dhe që nënkupton vetëm paraqitje verbale të imazhit pozitiv, paraqitje shifrash gjysmake, të cilat as përafërsisht nuk tregojnë realitetin faktik, kur dihet botërisht se Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe barazohet me vendet më të varfra të Afrikës. Nuk përmirësohet imazhi i vendit duke fshehur shifrat. Ato mund të deformohen, mund të manipulohen por nuk fshihen dot, sepse këtë e tregon më së miri niveli në rritje i varfërisë dhe niveli në ngritje i korrupsionit dhe i pasurisë së zyrtarëve dhe klasës së të pasurve.


 


 Zyra serbe për Kosovën, që udhëhiqet nga Marko Gjuriq ka emëruar Zoran Stojkoviqin në krye të zyrës për rajonin e Anamoravës në Kosovë, me seli në Kllokot. Stojkoviq do të bëjë koordinimin e funksionimit të institucioneve të Republikës së Serbisë në rajonin e Anamoravës. Ai ka qenë kryetar i komunës paralele në Gjilanit. Zyra e Anamoravës do të jetë përgjegjëse për Gjilanin, Artanën, Vitinë dhe Dardanën. Zyra të tilla të strukturave paralele ka edhe në Mitrovicën Veriore, në Graçanicë dhe në Kralevë. Ndërkohë, drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se pas marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, në tavolinën e negocimit duhet të vijnë për t’u sqaruar disa pyetje të tjera. Ai ka përmendur këtu çështjen e Kishës Ortodokse Serbe, pronën publike dhe private serbe, personat e pagjetur, njohjen e diplomave universitare të Mitrovicës Veriore dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetin serb në Kosovë.


 

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …