KK i Malishevës, mbajti mbledhjen e katërt të rregullt

Kuvendi i Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi Rrahim Morina, ka mbajtur  mbledhjen e katërt të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje, Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka marrë disa vendime, që kryesisht kanë të bëjnë për ndërrim destinimi të tokës bujqësore në tokë ndërtimore, si dhe një rregullore është dërguar për shqyrtim publik. Po ashtu është shqyrtuar edhe raporti i komisionit, i cili është marrë me  shqyrtimin e realizimit të kontratës për mbulimin e shpenzimeve në ceremonitë e varrimit. Kuvendi i Komunës së Malishevës, po ashtu i ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme disa nga pikat e parapara për shqyrtim në këtë mbledhje, ndërsa i ka miratuar tetë kërkesa të qytetarëve, për ndërrim të destinimit të tokës bujqësore, në tokë ndërtimore. Rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, për vitin 2018, e ka dërguar në diskutim publik. Po ashtu, në këtë mbledhje, KK i Malishevës, i ka miratuar emrat e anëtarëve në disa nga komisionet dhe komitetet e formuara. Për shkak të paqartësive në procesin e votimit, anëtarët, nuk i kanë miratuar emrat për anëtarët e Komisionit të Aksionarëve. Për këtë situatë të krijuar, anëtarët e NISMA Social Demokrate, e kanë lëshuar mbledhjen. Në këtë mbledhje, Kuvendi i Komunës, gjithashtu ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve për  mbulimin e shpenzimeve të ceremonive të varrimit. Bazuar në raportin e bërë, gjatë implementimit të kësaj kontrate mes komunës dhe Bashkësisë Islame, nuk është gjetur asnjë keqpërdorim gjatë implementimit të kontratës dhe janë regjistruar të gjitha shpenzimet e bëra. Bazuar në raportin e komisionit, anëtarët e KK të Malishevës, autorizuan Kryetarin e Komunës, që të vazhdohet me këtë shërbim, për mbulimin e shpenzimeve të varrimit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …