Protestat e opozitës në Shqipëri nuk mund të ndalën kurrë, derisa nuk prangosen për krime të rënda kundër popullit dhe Shtetit, për abuzim me ligjin e drejtësinë, vjedhjen e shitjen e interesave të vendit: Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe pjesëtarët e klaneve të tyre, që po e mbajnë peng Shqipërinë por edhe kombin shqiptar në tërësi.
Si mund të arrihet paqe e stabilitet në një vend kur një opozitë e ndarë dhe e përçarë, e mekur në luftën për pushtet, meqë ka humbur në mënyrë katastrofale në zgjedhje, mundësinë e vetme për t’ iu qepur pushtetit e sheh në shkatërrimin e vendit, djegien e infrastrukturës shtetërore, bllokimin e komunikacionit, ngritjen e tendave në kryeqytet, dhe të gjitha këtyre veprimeve duke iu lëshuar pas lehësit e yshtësit të quajtur e të vetëquajtur analistë, gjithnjë sipas avazit të vitit 1997, por edhe më vonë…
Ky nivel militant, luftarak i opozitës, apo thënë shkurt i PD-së dhe satelitit të saj LSI, po gjallon falë pushtetit të mefshtë të frikacakut fjalëmadh e rrahagjoks, Edi Rama, i cili trimërinë e tij herë-herë edhe të çartur e shpalos në Kuvend, para medieve, para politikanëve qyqarë e mjeranë të Kosovës, por kur është momenti për të vepruar ligji, fsheh kokën si struci dhe përsërit ato vargjet e famshme të Shën Petrit mbi mangall, “Jo për Zotin moj aman s’ jam e s jam”.
Kjo është arsyeja pse gruaja e Ilir Metës, kryetarit të përgjumur të Shqipërisë, si pasojë e shërimit jo të plotë nga droga, zonja e quajtur Kryemadhi, (me apo pa ironi vetë fjala e bën “shehid”), e kapardisur në mesin e protestuesve, atje ku është më ngushtë dhe ku shtyrjet e fërkimet bëhen trup me trup, sikur në torishtat e berrave, trimërohet, çartet dhe bën thirrje për luftë, për armë, për djegie të institucioneve, për shembjen e regjimit, sepse regjimi ose duhet të jetë në duart e saj ose nuk vlen fare. Merreni me mend se çka do të ndodhte po ta merrte qeverisjen e Shqipërisë , një grua e harlisur e ograisur si kjo kryemadhja, që shan e fyen nëpër rrugë, me gjuhën më të ndyrë të rrugaçëve që heq këpucët e gjuan me to në Kuvend, dhe është e gatshme të heq gjithçka nga trupi, pa asnjë fije turpi.
Për dhe kundër taksës në “Rrugën e kombit”
Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për të vënë taksë në autostradën, që për folklorizëm patetik quhet edhe “Rruga e Kombit”, (sepse ato rrugët e tjera që lidhin trojet e gjymtuara shqiptare nuk qenkan rrugë, që lidhin komunikimin brenda një kombi) është i arsyeshëm, ashtu sikur në të gjitha vendet e rajonit e të Evropës, ku aplikohet taksë speciale për një autostradë të caktuar. Edhe po të ishte caktuar vetëm një euro taksë, nuk do të mirëpritej nga opozita. e cila në kohën kur kishte qeverisur vendin, kishte ndërtuar këtë rrugë, duke ia zhvatur Shtetit 230 milionë euro dhe një vit më vonë kishte paralajmëruar se do të caktohej taksa, por nuk e bëri të gjatë, sepse e mori të tatëpjetën dhe nuk po ngihet më.
Nga frika për përmbysjen me dhunë të pushtetit, kryeministri, Edi Rama jo vetëm ka lëshuar pe, por u ka kërkuar edhe falje protestuesve kuksjanë të Partisë Demokratike edhe protestuesve të tjerë gjithnjë partiakë, sepse tanimë është hapur “Kutia e Pandorës” dhe protesta ka arritur deri në Elbasan e në rrugët e tjera të kombit dhe në rrugët “jo të kombit”.
PD-ja dhe LSI-ja ilirmetiste, tani shohin shansin e tyre të vazhdojnë protestat, të bllokojnë Vettingun, të bllokojnë reformat dhe të kërkojnë zgjedhje të lira, apo qeveri teknike, apo edhe marrje të pushtetit me luftë, me armë. sikur kërkon zonja Kryemadhi, e cila sfidon “trimërinë” malësore të Sali Berishës e trimave të tjerë me nam, të cilët janë në gjendje të bëjnë “harakiri”, sikur ka bërë dikur Oso Kuka, por jo sikur bëri ai për Shqipërinë, këta e bëjnë për partinë e jaraninë, për pushtetin, pa të cilin vështirë jetohet, sepse është bërë pjesë e preokupimit të tyre të vetëm jetësor.
Bashkëpunimi partiak e zyrtar mes Kosovës dhe Shqipërisë çalon keq
Edhe pse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë lidhur me reagimin e krerëve të Kosovës për aplikimin e taksës në “Rrugën e Kombit”, ky “lëshim” i tij i ka pezmatuar krerët tanë institucionalë, të cilëve për pagat e ulëta që marrin taksa iu duket e lartë dhe ndihen të fyer ndoshta edhe sepse me apo pa të drejtë konsiderojnë se kjo është rruga e tyre, edhe pse nuk kanë dhënë asnjë lek ndihmë për këtë rrugë, por kanë ndërtuar po kështu pjesën e vet të Autostradës, që lidh Tiranën me Prishtinën e më vonë edhe me Nishin e Serbisë, sepse ne kemi aspirata të rikthemi atje ku kemi qenë “në kohën e Sulltanit” e shumë kohë para tij, edhe pse fqinjët serbë e malazezë po na i bëjnë synet këta kufijtë tanë të rrudhur e të tkurrur si mos më keq.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se taksa në Rrugën e Kombit do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve, sidomos tregtinë dhe turizmin. I pyetur, nëse Kosova po mendon vendosjen e një takse në pjesën tjetër të rrugës, Haradinaj është përgjigjur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në mandatin e tij si kryeministër, por mund të ndodhë në të ardhmen.
Ai nuk ka shpjeguar se a i dëmton taksa rrugore marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë, Malin e Zi ku taksën e paguajnë vetëm shqiptarët, andej e këndej kufirit, për më shumë se 30 vjet. Po kështu shqiptarët i paguajnë taksat nëpër të gjitha autostradat e Ballkanit e të Evropës, por në Shqipëri nuk u dashka të paguhen, ndoshta sepse qenkemi një komb, por të ndarë në dy Shtete dhe këtë ndarje e ka pranuar dhe e pranon zyrtarisht klasa politike në Kosovë dhe në Shqipëri.
Është paradoksal edhe fakti se kryeministri i Shqipërisë ka kritikuar disa herë kryeministrin, Haradinaj, i cili edhe ashtu politikisht dhe ideologjikisht është shumë i afërt me Sali Berishën e Partinë Demokratike si parti e vetë deklaruar, e djathtë antisocialiste e antikomuniste. Pavarësisht se edhe PDK-ja e Kadri Veselit është shumë-shumë e djathtë, në letër, ajo mbështet Edi Ramën dhe Ilir Metën, herë i djathtë herë i majtë, i afërt, madje shumë i afërt me socialistët e serbit Daçiq dhe grekut, Cipras, me villë milionëshe, në Beograd dhe në Athinë.
Pozitën më të pafavorshme në këtë mes duket se e kanë socialdemokratët e Kosovës, të Vetëvendosjes e të Nismës të cilët me programin e tyre të qendrës së majtë, nuk formojnë dot “koalicion ideologjik” me Partinë Socialiste, sepse ka prejardhje nga Partia e Punës, ndërsa LSI- ja është mësallë me dy faqe, herë e majtë e herë e djathtë, sipas interesit për të mbetur gjithnjë në pushtet. LDK-ja me prejardhje ideopolitike nga LKJ e dikurshme, është po kështu parti e deklaruar “puro” e djathtë, më e afërt me Berishën sesa me PS-në apo LSI-në e zonjës Kryemadhi, e cila kërkon që me luftë të marrë pushtetin. LDK-ja kurrë nuk ka kërkuar as ka bërë përpjekje ta marrë me dhunë e me luftë pushtetin, por çuditërisht në vazhdimësi e ka përkrahur Sali Berishën, i cili jo vetëm njëherë ka kërkuar madje edhe në Kuvend, që populli të armatoset dhe ta rrëzojë Ramën nga Qeveria. Kjo përzierje konceptesh politike e ideologjike brendashqiptare nxjerrë në pah përçarjet e thella të trashëgimisë epërmbajtjes bizantine, aziatike, ballkanike dhe është prodhim i trashëgimisë sonë nga e kaluara ideologjike shumë heterogjene e cila nuk homogjenizohet dot, madje as në ruajtjen e interesit të përgjithshëm kombëtar, edhe pse nganjëherë jepen deklarata të tilla verbale, të cilat nuk kanë kurrfarë peshe.