Lëvizja popullore për Liri, Pavarësi dhe Demokraci e viteve ’90-ta, në krye së cilës qëndronte dr. Ibrahim Rugova, përkundër represionit të pandalshëm serbo-sllavë, gjeti shtrirje në gjithë Kosovën. Kjo lëvizje për çlirim dhe pavarësim, nga krijesa e quajtur Jugosllavi, gjeti mbështetjen e pa rezervë, edhe në komunën e Deçanit, e që në raste ishte prijatare e zhvillimeve intelektuale, politike e ushtarake. Si çdo komunë, edhe Deçani kishte nismëtarët dhe bartësit e palodhshëm të kësaj lëvizje, duke bërë që kjo periudhë të jetë ndër etapat më të lavdishme të historisë sonë. Duke mos dashtë të dallojmë ndonjërin nga të gjithë “ushtarët dhe pishtarët e asaj kohe”, është e pamundshëm të mos përmenden emrat e të ndjerëve, Sali Çekaj, Binak Aliçkaj, Isat Mushkolaj, Haki Povataj, Isuf Sutaj, Maxhun Tishuku, Osmon Cacaj….por edhe të, Emrush Lokaj, Curr Mazrekaj, Sali Cacaj, Sadri Tafilaj, e shumë e shumë të tjerëve, të cilët ishin vënë në ballë të qëndresës sonë institucionale. Këto figura të paharruara në karvanin e gjatë të atdhetarëve deçanas, kishin marrë barrën e organizimit institucional deçanas, shtyllat e pa rrëzuar nga fortunat e egra fashiste të regjimit Millosheviqian.
Padyshim ndër figurat kryesore të kësaj lëvizje mbetët veprimtari i palodhshëm, nismëtari i të gjitha zhvillimeve politike dhe jo politike, luftëtar i lirisë, avokati Isat Mushkolaj, apo siç e thirrshim të gjithë në atë kohë, “Cati”. Ai, ishte ndër themeluesit e parë të, Degës së LDK-së në Deçan; Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut; Shoqatës së Juristëve; si dhe shumë organizimeve tjera politike dhe jo politike të atyre viteve. Isati, çdo herë ishte nismëtar, por asnjëherë nuk shprehte ambiciet e tij, për të marrë lëvdata, as për të thënë se unë e kreva, por çdo herë ishte ideator dhe promotor i lëvizjeve.
Sali Çekaj, Isat Mushkolaj, Xhevdet Lataj, Pashë Kuçi, Rrustem Bruçi, e juristë të tjerë deçanas, kishin themeluar Shoqatën e Juristëve, ku kryetar i Shoqatës ishte zgjedhur, Sali Çekaj, tashmë hero i Kosovës, kurse Isat Mushkolaj ishte zgjedhur sekretar i kësaj Shoqate. Këta, me kolegët e tyre, ishin të parët që jetësojnë shtetësinë e Kosovës, duke harmonizuar Statutin e Komunës, me Aktin më të lartë shtetëror të asaj kohe, me Kushtetutën e Kaçanikut, duke u vlerësuar si aktet më madhore të asaj kohe. Pas këtij akti madhor të mbetur në analet e historisë se shtetit tonë, Isati me shumë koleg të tij, ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykatat serbe, me 4.5 vjet burgim, si njëri nga protagonistët kryesor të këtij akti historik. Hiq më mirë nuk kishin kaluar as kolegët e tij. Mirëpo, avokatit Isat Mushkolaj, nga torturat e shumta gjatë mbajtjes nëpër burgjet serb-sllave, ia dëmtojnë të dy veshkat, duke bërë që ti nënshtrohet procesit të hemo-dializës, çka më doli të jetë vdekjeprurëse.
Për avokatin, Isat Mushkolaj, duhet përmendur edhe një fakt shtesë, ngase ishte ndër të parët që kishte ngrit zërin kundër vendimeve diskriminuese të Qeverisë së Millosheviq, ku ndër këto, ishte edhe Vendimi për falje të pronave publike, APIKO dhe ILIRIA, Manastirit të Deçanit, gjë që, edhe Sot mbetën ndër shqetësimet më të mëdha të deçanasve. Pa modesti mund të themi se avokati, Isat Mushkolaj, ishte njëri ndër intelektualët më të shquar, veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare dhe luftëtar i guximshëm në kohën e luftës.