leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: Indiferenca idiotike ndaj rënies demografike

Gënjejmë vetveten dhe na konsiderojnë të tjerët, për “natalitet të lartë”.

Shpesh dëgjojmë nga njerëz të painformuar mirë, por edhe nga asi që ia mbajne vetes se dijnë gjithçka, apo nga mjete të ndryshme të informimit, për numrin e shqiptarëve: 7,5 milionë në Ballkan, e mbi 15 milion në gjithë botën; për natalitetin e lartë dhe pretendimet se deri në vitin 2050 apo 2060, do t’ua kalojmë të gjithë popujve tjerë të Ballkanit,- e broçkulla tjera kësofare, pa bazë as analizë të realitetit. Sepse, po të analizosh me kujdes të dhënat e statistikave demografike, figura na del jo ajo e pretendimeve optimiste  e të rrejshme, por shumë pesimiste dhe brengosëse për të ardhmën e kombit. Nga populli më i madh në Siujdhesën Ballkanike (Ilirikumi), jemi tkurrë e shndëruar në popull më të vogël se fqinjët tanë sllavë e grekë.

Politikani e shkrimtari Ben Blushi, në romanin e tij “Hëna e Shqipërisë”(2014),duke trajtuar në mënyrë letrare, por me argumente dhe prognoza mjaft reale problemin e demografisë së shqiptarëve, thekson se në vitin 1800, në Ballkan kishte 180 mijë Serbë, 630 mijë Grekë dhe afro 700 mijë Shqiptarë. Njëqint vjet më vonë (1900), kishte 3 milionë Serbë, 2,6 milionë Grekë dhe 1,5 milion Shqiptarë! Në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 1 milion banorë më pak, parashikon Blushi, në bazë të analizës së faktorëve që ndikojnë në rënien e popullsisë së Shqipërisë. Absurdi është se të tjerët na konsiderojnë, edhe na “besojmë” se kemi shtimin më të lartë të popullsisë, e nga ana tjetër dy popujt fqinjë na kanë kaluar  për disa miliona!

Studiuesja. Elena Kocaçi-Levanti, në librin e saj “Planet për zhdukjen e Shqiptarëve”, duke iu referuar burimeve të hueja (Ami Bou), thotë se në gjysmën e parë të shekullit 19, Shqipëria etnike ka pasur 180 mijë km/katrore dhe 1,5 milion banorë (pa llogaritur Shqiptarët e Greqisë), kur Serbia kishte 900 mijë banorë, me gjithë shqiparët e asimiluar  (fq.174).  Me trendin e shtimit të popullsisë që kishte atëherë, sot populli shqiptar duhej të kishte 30 milionë banorë. Por, shtetet fqinje: Greqia, Serbia, Mali Zi, Bullgaria, me pushtimin e territorit e të popullit, me vrasjet, dëbimet dhe asimilimin që kanë kryer gjatë kohës, kanë bërë që populli shqiptar të ngelet në çdo pikëpamje, pra edhe në pikëpamje demografike.

Profesori Banisllav Sinadinovski, që kohëve të fundit njihet si një intelektual i cili ka ngjallur ndjenjen e përkatësisë kombëtare shqiptare të ortodoksëve në Maqedoni, pohon se në atë shtet, me identitet të kontestuar nga të gjithë, janë së paku 70-75 mijë shqiptarë ortodoksë nga rrethi i Mavrovës, të shpërndarë në gjithë Maqedoninë, e më se tepërmi në Shkup, të cilët janë asimiluar krejtësisht, në rrethana e periudha të ndryshme, dhe tash nuk guxojnë të deklarohen se janë me prejardhje shqiptare! Vitin e kaluar Sinadinovskin e patën rrahur persona të maskuar, për shkak se kishte deklaruar publikisht origjinën e vet shqiptare dhe kishte kërkuar hapjen e një kishe ortodokse shqiptare.

Po, sa është numri i shqiptarëve autoktonë të asimiluar në Serbë, apo Malazezë, e të mos flasim për arvanitët dhe ortodoksët e Çamërisë, të cilët janë asimiluar, nën presionin e kishës dhe të shtetit grek. Shqiptarët e shpërngulur dhe asimiluar në Turqë, janë “kapitull” i veçantë.

Tranzicioni po e ha demografinë shqiptare

Në qoftë se për periudhën e kaluar, deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe deri në çlirimin (dhe pavarësimin) e Kosovës, fajin për tkurrjen tonë territoriale dhe demografike e kishin shtetet fqinje dhe fuqitë e mëdha të Evropës, për periudhën pas këtyre datave fajin e kemi vet na shqiptarët, respektivisht elitat tona politike e shtetërore. Të paktën, për sa u përket këtyre dy shteteve shqiptare,  sepse  Shqiptarët që janë nën Serbi,  Greqi, Maqedoni e Mal të Zi, gjithnjë janë të shtypur e të diskriminuar në çdo pikëpamje dhe nën presion, ose për t’u shpërngulur dhe emigruar, ose për t’u asimiluar. Dhe, nëse procesi i asimilimit, përveç shqiptarëve ortodoks në Greqi, në vendet tjera fqinje ku kanë shkollat në gjuhën shqipe, është pothuajse i pamundur, shtetet përkatëse me masa shtypëse e diskrimunuese, po i detyrojnë të shpërngulën, dhe ata po emigrojnë kryesisht në shtetet e zhvilluara të Perëndimit, ku po integrohen shpejtë, me mundësi potenciale që brezi i dytë  ose më së largu i treti, të asimilohen plotësisht. Sidoqoftë, për shkaqe dhe në mënyra të ndryshme, substanca demografike shqiptare po tkurret me shpejtësi. Mjerisht, emigrim enorm të popullsisë shqiptare kishte dhe vazhdon të ketë edhe nga shtetet e pavarura shqiptare: nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në një analizë të Bankës Botërore  “Treguesit e zhvillimit në botë”, për ecuritë demografike në Ballkan, për periudhën 2010-2020, vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë kishte paraparë shtim natyror të popullsisë; për Kosovën 0,7% në vit, ndërsa për Shqipërinë 0,2%. Për Maqedoninë kishte paraparë 0,0, dmth. numër i barabartë i lindjeve dhe vdekjeve, dhe këtë “barazim” vetëm në saje të popullatës shqiptare në Maqedoni, që ka normë më të lartë të shtimit natyror. Por, Maqedonia tërë kohën ka manipuluar dhe i ka fshehur të dhënat statistikore nga regjistrimet e popullsisë. Asnjëherë nuk i ka publikua të dhënat e plota nga regjistrimi i fundit, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002, ka pasur 2022547 banorë, prej të cilëve: Maqedonë 1297981, Shqiptarë 509083, Turqë 77959, Romë 53879, Serbë 35939, Boshnjakë 17018, Vëllehë 9695, dhe të tjerë 20993. Për Serbinë. Banka Botërore kishte paraparë se do të ketë rënie të shtimit natyror të popullsisë  0,2% në vit, Kroacia 0,3%, ndërsa rënien më të madhe do ta ketë Bosnje-Hercegovina 0,4%. Por  prognoza optimiste e Bankës Botërore nuk doli e saktë, sepse në të dy shtetet shqiptare pati rënie rapide të shtimit natyror të popullsisë. Dhe kjo po ndodhë për shkak të politikave të gabuara të qeverive të të dy vendeve, që kanë pllakosur popullin me varfëri dhe papunësi. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në proporcion me numrin e banorëve, Shqipëria zë vendin e parë në botë përkah numri i  emigrantëve (në Greqi, Itali, e gjetkë). Shkaqet e këtij emigrimi janë të natyrës ekonomike, sociale dhe politike. Por, emigrimi po e lëndon substancën tonë kombëtare dhe po ndikon në ngecjen e zhvillimit  të gjithmbarshëm, sepse po emigron kontigjenti më produktiv në të gjitha aspektet.

Nataliteti ka rënë në mënyrë rapide

Në Republikën e Shqipërisë

Nuk është vetëm emigrimi shkak i rënies së numrit relativ dhe absolut të popullsisë së Shqipërisë. Faktori i dytë, por edhe më i rëndësishëm dhe më brengosës, është rënia permanente e natalitetit, respektivisht rënia e shtimit natyror të popullsisë,  dmth. raporti midis numrit të fëmijëve të lindur (gjallë) dhe numrit të personave të vdekur, gjatë vitit. Kjo rënie mund të ilustrohet me të dhëna të statistikave: për numrin e lindjeve, vdekjeve, kurorëzimeve, shkurorëzimeve, regjistrimit të nxënësve në shkolla e fakultete, etj,

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, INSTAT, në periudhën 2012 deri 2017, Shqipëria ka pasur këto shifa të lindjeve e vdekjeve, respektivisht të shtimit natyror të popullsisë:

 Viti    Lindje  Vdekje  Shtimi natyror

2010    34061  20107   13954

2011    34285  20012   14273

2012    35473  20870   14603

2013    35750  20442   15308

2014    35760  20656   15704

2015    32712  22418   10297

2016    31733  21388   10345

2017    30869  22232     8637

Siç shihet nga tabela më sipër, në raport me vitin 2010, në vitin 2017 shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë ka rënë për 5317 banorë më pak, gjithnjë me tendencë të rënies së vazhdueshme, që shihet nga të dhënat për tre  vjetët e fundit. Përveç rënies së numrit të lindjeve, në pakësimin e popullsisë po dikton emigrimi. Derisa në vitin 2017 kishte 30869 lindje, në të njëjtën kohë kanë emigruar 39910 veta. Figura e rënies së shtimit natyror të popullsisë do të jepë pasqyrë katastrofale po të krahasojmë shënimet me statistikën e vitit 1990. Atë vit në Shqipëri ishin lindur 82135 fëmijë, kishin vdekur 18193 persona, ndërsa shtimi natyror vjetor  ishte 63982 banorë, që do të thotë se shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë prej vitit 1990 deri 2017, ka rënë më se shtatë herë (63892:8637=7,..). Në një shkrim të kësaj  fushe, kam lexuar se shkallën kaq të lartë të rënies së shtimit natyror të popullsisë, Franca nuk e ka arritur për 200 vjet, sa e ka arritur Shqipëria për më pak se 30 vjet!! A nuk është kjo jo vetëm për t’u brengosur, por edhe për t’u alarmuar të gjitha strukturat e shoqërisë shqiptare dhe i gjithë kombi shqiptar?!

Një problem tjetër  demografik dhe social në familjet shqiptare është  trendi i rritjes së numrit të divorceve. Statistika shënon se në Republikën e Shqipërisë në vitin 1990 kishte 9 divorce nga 100 martesa, kurse në vitin 2016 ky numër arriti 24,7 divorce në 100 martesa. Ja të dhënat  statistikore për divorcet:

Viti  2012  2013  2014  2015  2016

Martesa 22891  23820  23769  24997  22562

Divorcet   3561    3747     4220     5255    5582

Përqindja    15,6      15,7      17,8      21,0      24,7

Shkaqet e divorceve janë të shumta, por duket se shkaku kryesor është emigracioni, ndonëse në këtë fenomen ndikojnë edhe shkaqe tjera: dhuna, alkooli, droga, varfëria, tradhtia bashkëshortore, hedonizmi, narcisoizmi, mendjemadhësia, demokratizimi i shoqërisë dhe pozita e avancuar e femrës në shoqëri, diferencat në arsim, etj. Veçse pasojat sociale të divorceve janë të mëdha, sidomos për fëmijët e prindërve të divorcuar.

Rënia e shtimit demografik, përcillet edhe në të gjithë treguesit tjerë. Të dhënat për regjistrimin e nxënësve dhe studentëve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë në Shqipëri, japin këtë pasqyrë:

Viti shkollor   2012/2013 2013/2014 2014/2015 2015/2016 2016/2017

Të regjisrur gjithsejt:  719509        704782      665994       622156       596624

Arsimi 9-vjeçar:

-cikli i ulët, fillor  198897          195720     188371        179564      174836

-cikli lartë,arsimi bazë  191940           181354     175037        163935      153264

Arsimi i mesëm:  154425 151937     140042        130380      127114

a)gjimnazet   130137 124619       112775       104952       101995

b)shkollat profesionale   24288    27318          27267         25428        25119

Arsimi pas të mesmes,

(jo i lartë)  1686         1952           2017                1521              1803

Arsimi i lartë  172561     173819  160527   146756  139607

Prej vitit shkollor 2012/2013, deri në vitin 2016/2017, dmth brënda pesë vjetëve, numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve të regjistruar ka rënë për 122805 veta, dhe kjo rënie ka vijuar në të gjitha kategoritë dhe shkallët e arsimit.

Në kushte të tilla të ecurive demografike, rritje ka shënuar vetëm kategoria e popullsisë së moshuar, që ka arritur shkallën mbi 18% të totalit të popullsisë. Në vitin 2017 Shqipëria kishte 546000 të moshuar mbi 65 vjeçë, me tendencë të rritjes së përhershme në numrin e përgjithshëm të popullsisë, që është një tregues i pafavorshëm demografik  nga aspekti i ngarkesës ekonomike  dhe sociale të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Aq më tepër që shteti nuk është i përgatitur për përkujdesjen e numrit të madh të nevojtarëve të moshuar, ndërsa kujdesi joformal, nga familja, po përballet me sfidat e kohës. Për shkak të ecurive demografike të pafavorshme, mosha mesatare e popullsisë po rritet me shpejtësi. Bie fjala, në vitin 2015 mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri ishte 34 vjeç, në vitin 2016 ajo arriti në 35 vjeç. Sipas shkencës së demografisë, një popull zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve të grupmoshës mbi 60 vjeçë arrinë të jetë 2,5 herë më i madh se numri i banorëve të grupmoshës deri 19 vjeçe. Në vitin 2017 raporti në mes këtyre dy grupmoshave në Shqipëri ka qenë 743047 : 642637 në favor të grupmoshës së të rinjëve deri 19 vjeç, dmth. diferenca midis këtyre dy grupmoshave ekstreme është mjaft e vogël, gjithsejt 104410 veta, dhe me tendencën e rëniës së natalitetit, shumë shpejtë mund të arrijmë në shkallën e rrezikshme të zhdukjes, si komb e si popull. Historia mbanë “mend” zhdukjen e shumë popujve në botë.

Në Republikën e Kosovës

Rënie e madhe e numrit të lindjes së fëmijëve, rrjedhimisht edhe rënia e shtimit natyror të popullsisë është shënuar edhe në Kosovë. Në harkun kohor prej 15 vjetëve (2002-2016), shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë më se dyfish. Derisa në vitin 2002 shtimi ishte me 30482 fëmijë, në vitin 2016 ky shtim ka rënë në 14921. Shkaqet e kësaj rënie të madhe të shtimit natyror të popullsisë, janë pothuajse të njëjta sikur ato në Shqipëri, dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, por përafërsisht të njëjta janë edhe në gjithë rajonin: emigrimi i të rinjëve, martesat e vonshme, më pak lindje për shkak të punësimit të femrave dhe ambicjeve të tyre për karrierë, hedonizëm e jetë më komode, mungesa e kushteve dhe kujdesit social për fëmijët, etj.

Planifikimi i familjes është një relikt i socializmit, që ka kuptimin për Kinën e stërpopulluar, por jo për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilave po iu pakësohet popullsia me të shpejtë. Këtë relikt, të planifikimit të popullsisë e zbatonte Serbia në Kosovë, për të zvogëluar natalitetin, ashtu që edhe shtesat fëmijënore nuk ua paguante për fëmiun e katërt e tutje. Dhe kjo ishte një masë raciste, ndërsa gratë shqiptare i quanin “makina për lindjën e fëmijëve”, që thoshin se po bëhet

me qëllim të rritjes së kombit dhe pushtimit të territoreve! Për inatë të këtij racizmi serb, poeti boem, i ndjeri Mirko Gashi, botoi një poezi, me këto vargje: “Kur më lindi gëzimi i parë / E mbolla një lis/, Kur më lindi gëzimi i dytë/ e mbolla edhe një lis/, Kur më lindi gëzimi i tretë/ i stërmbushur me gëzim/ E mbolla edhe një lis/; Lis pas lisi e plis pas plisi/ Bëhet pylli e rritet fisi/, Do të vie koha/ Edhe Adriatiku do të jetë i vogë për t’i larë mnelat e fëmijëve tanë/. Kështu poeti ynë i kundërvihej politikës raciste që Sërbia zbatonte kundër natalitetit të shqiptarëve. Por,atë që nuk mundi ta bënte politika raciste serbe kundër natalitetit tonë, këtë po e bëjmë na vet, me politikën tonë të shtirur si modernë, me planifikim të familjes, me martesa të vonuara, me lindje sa më pak fëmijë, me pushim 9 mujor për lehonat, me mosstimulim material-financar për fëmijët e lindur, pa shtesa fëmijënore, pa sigurim shëndetësor; shteti po ndikon negativisht në politikën popullative dhe po shkakton rënien drastike të natalitetit.  Ja si paraqitet tabela e ecurive demografike të Kosovës në periudhën 2002 – 2016:

Viti Lindur gjallë Persona të vdekur Shtimi natyral  Kurorëzime  Shkurorëzime

2002   36136   5654  30482   18280   –

2003 31994   6417  25577   17034   –

2004 35063   6399  28664   16989  1293

2005 37218   7207  30011   15732  1445

2006   34187   7479  26708   15825  1480

2007   33112   6681  26431   16824  1558

2008   34399   6852  27547   17950  1026

2009    34240  7030  27210   20209  1555

2010    33751  7234  26517   18289  1453

2011    27626  7111  20515   16619  1469

2012    27743  7317  20426   17169  1328

2013    29327*  7135  22192   14664  1040

2014    25929  7634  18295   16239  1243

2015    24594  8202  16392   16274  1268

2016    23416  8495  14921   *)Për vitin 2013, janë llogaritur edhe lindjet jashtë Kosovës

Nga të gjitha parametrat, rezultatet na dalin negative në raport më vitin fillestar krahasues. Kështu, në raport me vitin 2002, në vitin 2016, kemi 12720 lindje më pak; kemi 2841 vdekje më shumë; shtimi natyror i popullsisë është për 15561 veta më pak; janë 2006 kurorëzime më pak. Vetëm shkurorëzimet oscilojnë gati në vlera të njëjta.

A po rrëshqasim në humnerë demografike me këto shifra? A duhet të qëndrojmë indifferent ndaj këtyre ecurive? Edhe prej ditës së sotme sikur të merrën masa për ndaljen e këtij trendi, humbjet e deritashme nuk mund të kompensohen kurrë, ndërsa efektet e masave në këtë fushë nuk japing rezultate shpejtë. Nga rënia e natalitetit dhe procesi i migrimit të grupmoshave të reja, na shfaqet fenomeni i plakjes së popullsisë, me të cilin do të përballet Kosova, e pa përgatitur  me fondet pensionale, shëndetësore, sociale etj.

Është karakteristikë me statistikën e nxënësve dhe studentëve të Kosovës, të regjistruar në arsimin publik dhe privat. Përkundër rënies aq të madhe të natalitetit, rënia e numrit të nxënësve të regjitruar është shënuar vetëm në shkollat fillore, dhe kjo pasqyron realitetin e rënies së natalitetit, ndërsa në shkolla të mesme dhe në arsimin universitar ka shënuar rritje. Kjo mund të shpjegohet me papunësinë e madhe që mbretëron në Kosovë, prandaj rinia duke mos pasur mundësi punësimi, po vazhdon arsimimin në shkolla të mesme dhe universitete publike e private, me shpresë se pasi t’i kryejnë ato, do të gjejnë punë, apo si njerëz të arsimuar do të gjejnë punë edhe në shtete të jashtme.

Ja ecuritë statistikore, të numrit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në arsimin publik dhe privat, të regjistruar në vitet shkollore 2007/2008 – 2016/2017

Niv.arsimit  2007/2008 2008/2009 2009/2010 2010/2011 2011/2012

Parashkollor  24864  23826  24033  24655  24945

Fiillor dhe i

mesëm i ulët  325544 319154 306299 302253 294419

I mesëm i lartë   91536    96765  104806 108503 109513

Fill. i mes/ult.special      722        752        791        807        782

I mes.i lartë special       169                   83                    94          96         133

Ars.universitar   25840    29051    37839    45725    49844

Gjithsejt:  468675 469631 473862 482041 479636

2012/2013 2013/2014 2014/2015 2015/2016 2016/2017

Parashkollor   26431  26768  25928  27508  29473

Fillor, mes/ultë 266677 280523 273649 263779 255093

Mesëm i lartë  107303 100437   83743    87647    90941

Fillor dhe i mesëm

special           720        635            307        254         203

I mesëm/lartë spec.      146        147        138                   103           68

Universitar     65305   52159     69220   120429   123988

Gjithsejt:  486582 450969 452985 499920 499766

Trendi negativ i zhvillimeve demografike përcillet në të gjitha sferat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.Të dhënat e regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore kanë shënuar rënie për 70451 nxënës më pak në vitin shkollor 2016/2017, në krahasim me dhjetë vjet më parë (2007/2008). Në qoftë se marrim si numër mesatar 300 nxënës për një shkollë, po del se për 10 vjet kemi afro 234 shkolla më pak! Në arsimin universitar kemi shtim pesëfish të numrit të studentëve të regjistruar, dhe ky shtim është bërë në saje të hapjes së pakontrolluar të universiteteve publike dhe private në të gjitha qendrat e qyteteve, dhe në shumicën e qytezave të Kosovës, në të cilat nuk arrihet dije e nivelit të dëshiruar, sepse nuk kanë kushte objektive, kritere mësimore as personel  pedagogjik të nevojshëm e të kualifikuar.

Serbinë po e godet “murtaja e bardhë”

Sado brengosëse që janë zhvillimet demografike në Shqipëri, në Kosovë e në gjithë trojet shqiptare, megjithatë në krahasim me fqinjët tanë, akoma qëndrojmë ku e ku më mirë, sidomos në pikëpamje të grupmoshave të popullsisë më të re. Të gjithë fqinjët tanë qëndrojnë më keq, dhe janë alarmuar se i ka përfshirë “murtaja e bardhë”. Në Serbi, qysh moti Akademia e Shkencave dhe Arteve, shkencëtarë të demografisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë alarmuar dhe i bëjnë thirrje popullit dhe shtetit, të ndërmarrin masa për të stimuluar lindjen e sa më shumë fëmijëve, sepse kombi po u rrezikohet, e bashkë me te edhe shteti dhe territori. Ata të gjitha ecuritë i vëjnë në konotacion politik e territorial, prandaj thonë se nëse vazhdon rënia e popullsisë me këtë trend, populli serb do të mbetet të jetojë nëpër enklava në shtetin e vet. Atje ka emigrimi i të  rinjëve, si proces nuk është i shprehur sikur te shqiparët, prandaj shkaku kryesor i depopullimit në Serbi është rënia e natalitetit, martesat e vonshme, dhe një prej shkaqeve dhe fenomeneve më të theksuara dhe më të kritikuara nga kisha serbe, është numri enorm i madh i abortimeve (afro 300 mijë abortime në vit).  Nga ana tjetër, janë më se 250 mijë “djemë” të pamartuar deri në moshën 40 vjeçare. Prandaj, kisha dhe shteti u bëjnë apel: lindni sa më shumë fëmijë nga martesat e jashtë martesave. Janë 300 shkolla me vetëm nga një nxënës. Dhe ajo që është më brengosëse për Serbinë, është procesi i plakjes së popullsisë. Nga 7.186.862 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, mbi moshën 60 vjeçe janë 1.778.730 banorë, ndërsa në grupmoshën 0 – 19 vjeçe janë 1.427.272 banorë.  Sipas “matrices” demografike, një popull mund të zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve mbi 60 vjeçë është dyfish e gjysëm më i madh se numri i grupmoshës së popullsisë deri 19 vjeçe. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, në vitin 2017 në Serbi ka pasur 65.000 lindje, ndërsa 104.000 persona kanë vdekur, gjë që bilanci negativ është për 39000 banorë në vit. Mosha mesatare e popullsisë është 43 vjeçe.

Të alarmuar nga depopullimi, Qeveria e Serbisë, në strategjinë e saj, ka ndërmarrë një varg masash ekonomiko-sociale për stimulimin e natalitetit. Me një ligj për mbështetjen finnciare të familjeve me fëmijë, i cili hyn në fuqi më 1 korrik 2018, ka përcaktuar se për fëmiun e parë, nënës do t’i paguhen 100 mijë dinarë, për fëmiun e dytë do t’i paguhen nga 10 mijë dinarë dy vjet rresht, për fëmiun e tretë nga 12 mijë dinarë, ndërsa për fëmiun e katërt 18 mijë dinarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme. Këtu strategjia serbe ka bërë një hile të qellimshme, duke ndalë stimulimin për më shumë se 4 fëmijë, sepse me këtë do të stimulonte lindjet edhe te Shqiptarët (e Luginës së Preshevës), apo te Boshnjakët e Sanxhakut, të cilët mund të lindin më shumë se katër fëmijë!

Fushatën e aksionit për stimulimin e natalitetit, të cilën para  disa ditëve e paralajmëroi kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë  “e mbësheti” edhe ministri i mbrojtjes, Aleksandar Vullin, duke thënë se edhe ushtria do ta jep kontributin e vet në këtë drejtim. Shkagjinjtë e shumtë në rrjetet sociale, gadishmërinë e ministrit të mbrojtje e komentuan si mundësi që Vullini ta caktojë nga një ushtar për secilën familje, “për t’iu ndihmuar të lindin sa më shumë fëmijë”!.

 

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …