Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, përmes rrjetit social e ka kujtuar fillimin e betejës së lavdishme të Koshares në të cilën UÇK-ja ka dalë fitimtare duke e thyer kufirin Shqipëri-Kosovë. Ai ka shkruar UÇK-ja është themeli i lirisë sonë, ajo i është kundërpërgjigjur terrorit dhe spastrimeve mizore që i bënte Serbia në Kosovë.
“Kujtojmë me nderim e krenari Betejën e Koshares, e cila filloi në 9 prill 1999. Kjo betejë nisi kur Brigada 138 nën komandën e heroit Agim Ramadani sulmoi ushtrinë e regjimit jugosllav, duke hyrë në territorin e Kosovës, prej pjesës së Shqipërisë. Në atë betejë morën pjesë mijëra ushtarë, nga të gjitha trojet shqiptare, e mbi 100 prej të cilëve ranë dëshmorë duke dhënë jetën për lirinë e kombit. Beteja e Koshares është momenti i parë kur UÇK-ja e theu kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, kufi i cili ka qenë i vendosur dhunshëm, që në 1913 pasi që Serbia e kishte pushtuar Kosovën. Forcat e UÇK-së sulmuan në kundërpërgjigje të terrorit dhe spastrimeve mizore që kishte nisur t’i bënte Serbia në Kosovë. Çlirimtarët tanë heroikë u mbështetën edhe nga Ushtria e Shqipërisë, si edhe nga forcat e NATO-s. I përulemi me respekt të thellë kujtimit të lavdishëm të dëshmorëve e heronjve të Kombit që ranë në Koshare, por edhe veteranëve të kësaj beteje. UÇK-ja është themeli i lirisë sonë. Çdo hap shtetndërtues që e hedhim pa e kujtuar luftën çlirimtare, është hap i pasigurt”, thuhet në shkrimin e Kurtit.