leoni

Ministri Gashi: MKRS është e angazhuar për zhvillimin e bibliotekarisë në Kosovë

Ka filluar edicioni i 16-të i Javës së Bibliotekës Kombëtare, aktivitet ky i përvitshëm që shënon Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”. Këtë viti temë e javës do të jetë “Arsimimi dhe Trajnimi Bibliotekar” dhe do të zgjasë nga 10 deri në 14 prill. Në ceremoninë hapëse të Javës së Bibliotekës mori pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Ai e vlerësoi këtë organizim tradicional i cili me sukses ka trajtuar tema të ndryshme duke sensibilizuar publikun për rëndësinë e bibliotekarisë dhe të librit në fushën e dijes dhe të kulturës. Ai tha se Ministria është e përkushtuar që të ndihmojë në funksionimin e mirë të bibliotekave në Kosovë. “Ky aktivitet që zhvillohet vijimisht tashmë e 16 vite, ka arritur të zhvillojë e trajtojë tema dhe problematika të ndryshme nga fusha e biliotekarisë, bibliografisë dhe fushës së informacionit duke mbledhur po ashtu edhe studiues, krijues, kritikë e hartues të politikave kulturore me qëllimin të hedhjes dritë të arritjeve, sukseseve që kanë qenë evidente, por edhe të reflektimit mbi problematikat, sfidat dhe ngecjet mbi këtë fushë, për t’i projektuar më mirë, zgjidhjet dhe perspektivat e avancimit të kësaj fushe me rëndësi kritike për kulturën dhe dijen në Republikën e Kosovës”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi. Ministri vuri në theks se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit është e vetëdijshme për rolin fondamental të rolit të bibliotekës dhe rrjedhimisht është angazhuar që të krijojë kushte dhe bazë të mjaftueshme për zhvillimin normal të bibliotekarisë në Kosovë dhe ka implementuar dhe ndërmarrë veprime konkrete duke sponsorizuar politika në favor të botimit, përkrahjes dhe shpërndarjes së librit përmes ndërtimit të kapaciteteve administrative e profesionale si dhe të ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm të mbështetjes financiare. Ministri, po ashtu, përmendi edhe sfidat me të cilat ballafaqohet bibliotekaria në Kosovë si dhe objekti i Bibliotekës Kombëtare. “Përkundër arritjeve, natyrisht se vizioni ynë s’mund të quhet i përmbushur kur jemi të vetëdijshëm për sfida jo të pakta që aktualisht përballet rrjeti bibliotekar në vend, me theks të veçantë Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Ditë më parë, nga menaxhmenti i BKK’së, u njoftuam se përkundër investimeve që janë bërë në hapësirat e këtij objekti ku jemi sot, përsëri, koleksionet dhe materialet bibliotekare, por edhe tërë hapësira e objektit, rrezikohen nga përmbytjet dhe ujërat atmosferike dhe ato të zeza që depërtojnë në objekt nga mosfunksionimi i infrastrukturës. Siç i kam bërë të qartë Drejtorit dhe stafit të BKK-së, përkrahjen në zgjidhjen e problemeve bazë të këtij Institucioni me rëndësi kombëtare, do ta japim duke nisur nga problemet konkrete”, ka thënë ministri. Ministri Gashi, përmes ambasadorin amerikan, ka falënderuar qeverinë, institucionet dhe popullin amerikan për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për bibliotekën, duke vënë në fokus miqësinë e përhershme dhe të gjithanshme mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së. Në ceremoninë hapëse po ashtu morën pjesë edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj. Ndërsa kryeministri Haradinaj, që ishte prezent në hapjen e Javës së Bibliotekës, ndër të tjera u shpreh se “Qeveria e Kosovës vjen pak si e turpëruar para juve, sepse nuk po i kushtojmë kohë dhe vëmendje librit. Kemi biseduar së bashku që infrastrukturën e bibliotekave ta trajtojmë me respekt, duke filluar nga ky objekt. Pastaj marrëdhëniet me botues dhe gjitha institucionet e librit dhe gjithë ata që në mënyra të ndryshme e ngritin nivelin tonë, që na bëjnë të barabartë me popujt e tjerë”. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie tha se bibliotekat janë një nga institucionet më të rëndësishme të edukimit të brezave të rinj. “Bibliotekat janë thelbësore për edukimin e të rinjve, për këtë arsye i kemi mbështetur veprimtarinë e Bibliotekës në mënyrë të vazhdueshme. Bibliotekat në Kosovë përballen me disa vështirësi, duke filluar me ndërtesat e papërshtatshme dhe fondet e pamjaftueshme për burimet e reja, mirëpo me këto sfida përballen të gjitha bibliotekat në botë, mirëpo me qasjen e duhur mund të tejkalohen këto vështirësi”, ka thënë Delawie. Në kuadër të aktiviteteve të sotme në Javën e Bibliotekës së Kosovës, u ndanë mirënjohje për ata që kanë dhënë kontribut në ruajtjen dhe pasurimin e librit. Ministri Gashi i ndau mirënjohje Ibrahim Kuçit për pasurimin e biblitekarisë me 9996 ekzemplarë. Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skënderbeut. Gjithashtu, ministri Gashi mori pjesë edhe në ndarjen e materialeve bibliotekare për fëmijët me nevoja të veçanta, “Biblioteka n’shesh – Fëmijët me nevoja të veçanta, bibliotekarë të ardhshëm”, aktivitet ky i organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …