Në një pritje të organizuar nga Ministria e Drejtësisë për nder të shënimit të 10-vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova si vend i ri është krenar me bazën e vet kushtetuese, duke shtuar se shqiptarët kanë traditë të normave e të kodeve dhe i takojnë popujve më të hershëm që kanë pasur norma e kode me të cilat e kanë rregulluar jetën e vet, disa prej të cilave kanë bërë bujë në botë në kohën e vet. “Duke qenë kështu, shqiptarët kanë pasur norma e kode ekuivalent me normat e kodet e avancuara të popujve të përparuar nëpër shekuj, nëpër mijëvjeçarë. Kjo është e vërteta e jetës sonë. Ata që janë studiues të shkencës, të drejtësisë, të ligjit, kushtetueshmërisë, e dinë këtë”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës ka fuzionuar standardet më të larta të kushtetutave të sotme, siç është respektimi i të drejtave të njeriut, atyre të drejtave që në disa vende ende janë tabu, pastaj integrimin dhe respektimin e komuniteteve. “Unë mendoj se është niveli më i avancuar në botë dhe këtë e them me plotë guxim. E di se bota është e madhe, por nuk e di një vend tjetër në botë që i ka dhënë pozita kaq të garantuara, me kaq privilegje komuniteteve etnike që jetojnë në vend. Duke qenë kështu, vërtet ne sot ne jemi ndër popujt e kontinentit tonë, por edhe të botës që kemi Kushtetutën më të avancuar me plot të drejta që u dedikohen edhe kategorive të margjinalizuara”, ka thënë kryeministri. Duke uruar të pranishmit e shumtë për Ditën e Kushtetutës, kryeministri Haradinaj ka shtuar se do të kishte dëshirë që edhe Kosova ta kishte një Kushtetutë sikur ajo e Amerikës që ka pak nene, që i dinë gjithë, e që nuk ndërron, por Kosova është bërë shtet së voni.