Enver Hoxha

Sot shënohet 33 vjetori i vdekjes së Enver Hoxhës

11 prilli i vitit 1985 shënon ditën kur në Tiranë  ka vdekur  Enver Hoxha, prijësi komunist i Shqipërisë. Ai  ka lindur më 16 tetor të vitit 1908, në Gjirokastër.

Enver Hoxha  ka qenë personaliteti më me ndikim dhe me reputacionin më të thellë kombëtar e ideologjik të kohës,  themeluesi  i Partisë Komuniste Shqiptare, komandanti, i cili me shokët e tij udhëhoqi me shumë sukses luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe ndërtimin socialist të vendit. Gjatë tërë kohës së sundimit të tij, kishte qenë figura ideologjike e politike e unitetit mbarëkombëtarë e shtetëror.  Edhe pse disa qendra botërore kishin bërë përpjekje të pareshtura për ta rrëzuar atë dhe regjimin e tij, asnjë prej tyre nuk kishte arritur, madje as ta befasonte.  Po thuajse të gjithë kishin dështuar. Ky dështim i qarqeve më të fuqishme të botës  ia shtonte fuqinë dhe besimin se askush nuk mund t’ i bënte asgjë. Dështimet e tilla bënin që Enver Hoxha ta sforconte bindjen se ishte i pathyeshëm, në radhë të parë sepse ishte në të drejtën e tij dhe në saje të besimit se komunizmi një ditë do të përhapej në tërë botën. Edhe ashtu, ky formacion shtetëror ishte zhvilluar në dy të tretat e botës. Kjo ishte ajo forca magnetike, e cila e tërhiqte dhe për më tepër, ai me kohë kishte filluar të besonte, se pasonte e ruante me konsekuencë marksizëm-leninizmin e vërtetë, atë të rrugës burimore, marksizmin ortodoks.

Duke qenë i rrethuar nga shtetet grabitqare fqinje, të cilat mbanin nën pushtim më tepër se dy të tretat e territorit të Shqipërisë, Enver Hoxha ndiente rrezikun e gllabërimit nga Jugosllavia, apo nga Greqia, apo nga të dyja bashkë,  dy shtete armike, të cilat ishin shumë më të fuqishme ekonomikisht e ushtarakisht. Mu për këtë qëllim ai kishte shpikur  dhe realizuar teorinë e mbrojtjes së përgjithshme të Atdheut nga çdo shqiptar, dhe për çdo qytetar. Pikërisht  për këtë qëllim kishte urdhëruar ndërtimin e qindra mijëra bunkerëve, në të gjitha këndet kilometrike të Shqipërisë, kishte ndërtuar strehimoret të forta e të shumta për tërë popullatën por edhe për kreun e Shtetit. Me ndihmën e shokëve të idealeve, me punën e palodhshme, me pretendime dhe me besim të madh në qenie se gjithçka e bënte në të mirë të popullit dhe të Shqipërisë, Enver Hoxha doemos se i besonte vizionit të tij dhe ishte në gjendje që me tërë forcën mendore e fizike ta mbronte, ta përparonte dhe ta përmbaronte atë vizion, të cilit në mos të gjithë, i besonte dhe e përqafonte shumica dërrmuese. Dhe ashtu kishte vepruar gjatë gjithë jetës së tij.

Ai kishte pranuar botërisht se ishte përfaqësues i Diktaturës së proletariatit, në kohë dhe rrethana të caktuara historike, sikur kanë qenë qindra të tjerë.

Me gënjeshtra amputime, falsifikime anime nga këndi tjetër i vështrimit edhe mund të kundrohet, por nuk mund të akuzohet pse Enver Hoxha  ishte marksist leninist dhe pse zhduku disa nga kundërshtarët, fakt realist ky, sepse kundërshtarët politikë i zhduk çdo regjim në botë, kush më shumë e kush më pak, dikush i zhduk duke ua vrarë ardhmërinë, duke i katandisur nëpër botë, duke i lejuar të drogohen të trafikojnë, të mbjellin, të korrin e të përdorin droga, të shesin e të kultivojnë bimët e vdekjes. Dikush i zhduk duke mos i arsimuar, apo duke i bërë ithtarë të Zotit të vetëm që nuk pranon asnjë zot dhe asnjë fe tjetër. Krejt kjo ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht, ashtu si dje e pardje ashtu edhe sot e nesër. Kundërshtarët e sotëm të Enver Hoxhës janë realiteti argumentuar faktik që tregon më së miri se  ai nuk i kishte zhdukur, sepse ose kishin qëndruar urtë e butë dhe nuk kishin pasur pikë trimërie e dinjiteti për ta kundërshtuar, ose kishin qenë bashkëpjesëmarrës në të gjitha veprimet e tij, ose kishin qenë të dyja bashkë.

Nuk vuajti asnjë ditë në burgjet e Enver Hoxhës, Sali Berisha, (respekt për ata që kanë vujatur). Ai që tani paraqitet si   kundërshtari më i ashpër, më i pa kompromis dhe i hakërryer deri në çmenduri kundër atij regjimi, përkundrazi ishte komunisti tipik i kohës, madje  mjeku personal dhe miku i ngushtë nga ana e tij, pavarësisht se kishte apo nuk kishte Enveri respekt për të.

Nuk janë pak ata që shtiren se i kishte dënuar, injoruar apo katandisur regjimi dhe të cilët në fakt ishin pjesa përbërëse shtytëse e regjimit, komisarët e saj.

Janë po ata që kishin brohoritur,  jo vetëm njëherë dhe jo vetëm me një rast: “Parti Enver Jemi gati kurdoherë”. Janë po ata që e kishin lavdëruar e madhëruar dje dhe që shajnë e pështyjnë sot. Kanë moral këta njerëz, kanë dinjitet, derisa nuk pranojnë hapur dhe botërisht  se ishin pjesë e regjimit, se ishin bashkëfajtorë, nëse 50 vitet e kohës së komunizmit kishin qenë faj njerëzor, ai ishte dhe faji i tyre. Ata ishin të tillë si Enveri,  i kishin besuar  me gjithë mend marksizëm leninizmit,  ata kanë lënë mijëra vepra trashëgim dhe  dëshmi të atij besimi. Nuk mohohen  këto fakte me një fjalë goje. Për më keq janë ata që mohojnë një pjesë, mbase pjesën më të madhe dhe më meritore  të jetës së tyre, të aktivitetit, zhvillimit e përparimit  të familjeve dhe të afërmve të tyre.

Përpjekja për t’ia veshur Enver Hoxhës dhe familjes e trashëgimtarëve të tij  të gjitha fajet, nëse i marrim dhe i pranojmë si të tilla, pra si faje të rënda, është përpjekje hipokrite, është mungesë morali qytetar, njerëzor e kombëtar, është mungesë identiteti e dinjiteti, është mungesë nderi e burrërie. Nuk mund ta ndërtojë dot një botë të mirë apo të keqe një njeri i vetëm, vetëm me familjen e tij  pa pasur përkrahjen e shumicës, pavarësisht rrethanave që kanë ekzistuar. Enveri dhe të gjithë liderët e bllokut komunist e kishin përkrahjen e shumicës, ose thirreshin në faktin se e kishin besimin e shumicës, një qëndrim gjithsesi demokratik. Edhe sot në Shqipëri sundon klasa politike, që ka fituar besimin e shumicës, ashtu sikur në pjesën dërrmuese të botës. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …