MINISTRI BYTYQI VIZITOI PRIZRENIN KU KA FILLUAR DITA E PARË E MBAJTJES SË TESTIT PISA

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar në qytetin e Prizrenit, komunë në shkollat e të cilës edhe është shënuar dita e parë e fillimit të mbajtjes së Testit PISA 2018, i cili do të vazhdojë deri më 5 maj në të gjitha shkollat e përzgjedhura për organizimin e këtij testi ndërkombëtar në Kosovë. Duke respektuar rregullat e PISA-s, të cilat nuk lejojnë publikimin e shkollave ku organizohet Testi, ministri Bytyqi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtori për arsim në këtë Komunë, Skender Susuri ka vizituar shkollat “Ibrahim Fehmiu” dhe “Mati Logoreci” në Prizren (shkolla ku nuk mbahet testi), nga ku edhe ka uruar të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e këtyre shkollave dhe të shkollave të tjera të Kosovës ku do të organizohet testi PISA. Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka falënderuar Komisionin për PISA, kryetarët e komunave, drejtorët komunalë të arsimit, koordinatorët dhe drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe të gjithë ata që janë angazhuar rreth përgatitjeve për mbajtjen e këtij testi. “Të gjithë kemi pasur një angazhim të jashtëzakonshëm për të ardhur te kjo ditë dhe po vërehet një entuziazëm i përgjithshëm. Kemi arritur që me një mobilizim të përgjithshëm, duke i kontaktuar të gjitha shkollat, mësimdhënësit dhe nxënësit kanë arritur ta kuptojnë rëndësinë e testit PISA. Pra, kanë marrë informacionet e duhura dhe e kuptojnë rëndësinë e këtij testi, diçka që ka munguar në vitin 2015. Ky angazhim neve na jep shpresë se do të dalim shumë më mirë me rezultate se që kemi dalë në atë vit”, tha ministri Bytyqi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …