Koha është e vlefshme dhe politika e Kosovës ka nevojë ta mësojë se si ta përdorë në debate për të ardhmen, në vend se ta shpenzojë në debate për të kaluarën…
Ka vite që në Kosovë dëgjohen ankesa për ngopje të qytetarëve nga politika, gjersa arsyeja mendoj të jetë se këta qytetarë presin apo kanë pritur më shumë nga ajo që realisht është në gjendje të ofroj politika kosovare. Sot, shoqëria në Kosovë konsideroj se ka para vetës detyrën kryesore, atë të përgjegjshmërisë së veprimit politik, ta detyroj politikën në reformim dhe më pas të vendosen kufijtë mes demokracisë e sallamadisë. Dikush nga politika duhet ta ketë guximin për ta bërë prerjen dhe hapjen e faqes tjetër të librit të historisë së re të Kosovës, 17 vite pas luftës. Politika në fletën e re të librit të Kosovës duhet së pari të hap debatin intern për të ardhmen, e i cili ushqehet nga problemet e një jete më të mirë e më të denjë të qytetarëve që përfaqëson si standard, që hap rrugën e Europës, në mënyrë që ne të ndjehemi si të barabartë me popujt tjerë dhe për këtë të arrirë të bëhemi krenarë me vendin tonë. Ndërtimin dhe debatimin për reformën nuk duhet parë e bërë si një zëvendësim pa domethënie për shoqërinë e personelin drejtues politik, por ndërrim në stilin dhe përmbajtjen e politikës. Është koha që politika në Kosovë ta bëjë kapërcimin e hendekut mes të thënës dhe të bërës. Debati komunikues së pari brenda vet partive politike, si debat për të ardhmen, gjithsesi duhet të qartësoj gjërat dhe pozicionet për mënyrën se si duhet të funksionoj ndryshe sistemi i drejtësisë për të vendosur kufirin se ku mbaron politika e fillon kriminaliteti, pozicionin për reformat në sistemin e arsimit, shëndetësisë dhe veçanërisht pozicion qartësues për mënyrën se si të arrihet zhvillimi ekonomik i vendit. Sot, qytetarët e shumtë të vendit nuk arrijnë t’i përmbushin detyrimet publike që i kanë ndaj shtetit e kjo jo me dëshirën e tyre. Vargu i tillë po rritet dhe fakti i tillë nuk i bënë nder shtetit. Debati me temën se si do ta dëshironin të ardhmen gjithsesi që do të eliminonte defektet e së kaluarës dhe pa e lënduar të tashmen e krijuar. Mendoj që roli i politikës nëse e do ekzistencën është një ndërtim i alternativave programore për të ardhmen e vendit e jo të konsumohet gjithnjë në debate, kundërshti e armiqësi për të kaluarën. Koha është e vlefshme, politika e Kosovës ka nevojë të mësoj se si ta përdorë në debate për të ardhmen, në vend se ta shpenzoj në debate për të kaluarën.
Egot që jetojnë në gjendje frike nuk mund ta projektojnë mendjen për të ardhmen
Nxitimi, përkatësisht vrapi për tek idealja politike, shpeshëherë prodhon kundërproduktivitet e mbase edhe utopi. Gjendja e tillë është rezultat kryesisht i vonesës së vetës sonë, duke mos ecur atëherë kur do të duhej të ecnim e vrapi sot është i kotë. Sot, një pjesë e politikës kosovare, për fat të keq vazhdon ta ushqej ndjenjën dhe qëndrimin për të kaluarën dhe pozicioni i tillë me dëshirë do t’i bartej si arenë e kundërshtive në gjithë spektrin politik. Të shtyrë nga një gjendje emotive, kjo pjesë e politikës ka humbur arsyen e racionalitetin dhe e ëndërron vetën si aktere kryesore politike nëse e rikthen të kaluarën apo proceset politike të Kosovës. Egot që e ushqejnë politikën e tillë në Kosovë me të kaluarën jetojnë vazhdimisht në gjendje frike dhe të tillët vështirë e kanë ta projektojnë mendjen për të ardhmen. Abraham Linkolni ka thënë: “Një pikë mjalti tërheq më tepër miza sesa një litër uthull.” Konsideroj se me të drejtë e ka njerrë këtë konstatim ish presidenti i SHBA-ve dhe që lidhet me politikën edhe të Kosovës. Gjithsesi që mjalti në politikë është dhënia e alternativës politike si produkt i dialogut e diskutimit për të ardhmen. Ne si politikë, sot për herë të parë kemi diçka në dorë e që është kjo pavarësi e tillë si është. Debati për të kaluarën e rrezikon që edhe ajo të na humbet, gjersa debati për të ardhmen nënkupton që nga ajo që kemi në dorë të nxjerrim vlera më cilësore e të vyera për ta bërë sa më funksionale.