“Homazhe” dhe hipokrizi për një Akademi

        Në 40-vjetorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sot krerët më të lartë të shtetit nuk kursyen asnjë fjalë miradije e patriotizmi pa deklamuar për Akademinë e LDK-së, institucionin më parazit të vendit. Kryeministri, Isa Mustafa shkoi aq larg sa kësaj Akademia ia atribuoi edhe çlirimin e Kosovës, por nuk përmendi as një emër konkret të një akademiku të vetëm, në mesin e atyre të gjallëve që të ketë kontribuar për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe. Akademinë për punën e “çmueshme” e lavdëruan, sipas zakonit  edhe kryekuvendari, Kadri Veseli, Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi e të tjerë.

Elozhetë, lavdërimet, retorika e çjerrë dhe mbështetja për këtë kruzhok pleqësh, që një analist me të drejtë e quajti “Azil pleqsh”, tregon nivelin e mjerë të politikanëve servilë, të cilët shfrytëzojnë çdo përvjetor për të promovuar fjalimet e tyre të shkruara nga këshilltarët, gjithnjë me patetikë dhe retorikë bajate.

 

Veseli, Mustafa, Thaçi dhe Atifetja nuk treguan asnjë meritë konkrete të ASHAKU-ut.

Ata as janë të interesuar të dinë:

-Pse  ASHAK-u nuk është prononcuar dhe nuk prononcohet për asnjë problem politik e shoqëror të vendit, ashtu sikur bëjnë Akademitë e akademikët kudo në vendet e rajonit dhe të botës?  

 -Pse kryetari i Akademisë vazhdon të jetë kryetar i përjetshëm i saj dhe pse në Akademi nuk ndodhet asnjë anëtar, i cili të mos ketë qenë anëtar i zellshëm i ish Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë?

-Pse të gjithë anëtarët e ASHAK-ut u dashka të jenë vetëm nga radhët e LDK-së dhe kurrsesi nga partitë e tjera, dhe assesi nga radhët e intelektualëve të Qëndresës sonë Kombëtare?

-Pse Adem Demaçi nuk mundur të jetë, të paktën anëtar nderi i kësaj Akademie?

-Pse kjo Akademi me gjuhën e kryeparit të saj, fyen deri në neveri akademikun,  Rexhep Qosja, madje me një gjuhë rrugaçe, të cilën do ta lakmonin horr-horrorët e disa portaleve më të ndragëta?

-Pse kjo Akademi nuk ka marrëdhënie në nivelin e duhet me Akademinë simotër  në Shqipëri?

– Të shumta, për të mos thënë pa mbarim janë pyetjet, në të cilat asnjëherë deri sot nuk është përgjigjur ASHAK-u parazit, i cili financohet për parazitizëm me paratë e taksapaguesve të Kosovës?

2 milionë euro në vit nga Buxheti i ndahen institucionit më parazit të vendit, institucionit më pak akademik se çdo institucion tjetër i vendit.

-Si ndahen ato para, kush zhvat me tenderë për botim librash autorialë, kush merr rroga, mëditje, vizita nëpër vende të ndryshme etj. Kush jeton si pasha në ASHAK pa bërë asnjë punë?

Kjo është Akademia Parazite e Shkencës dhe Arteve të Kosovës, e cila edhe ankohet për mos mbështetje financiare, sepse pak i duken 2 milionë euro për punën që nuk e bën, ajo do t’i pranonte edhe 10 milionë po t i jepeshin,  sepse njeriu dhe njerëzit që janë mësuar ta mbushin plot lugën e turpit janë të pangopshëm.

Kjo është “lavdia e marrëzisë” e një shoqërie parazite, e cila po degjeneron në skajin ekstrem të degradimit të vlerave kombëtare e shoqërore.  Dhe shembulli më i mirë i këtij zvetënimi, degjenerimi, deformimi e kalbëzimi është ASHAK-u, mjerisht edhe shumë institucione  të tjera parazite.

Nuk thonë kot: “peshku qelbet nga koka”. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …