leoni

Shabi Avdush Gërbeshi (5.5.1971 - 18.4.1999)

Shabi Avdush Gërbeshi (5.5.1971 – 18.4.1999)

Avdushi babai i dëshmorit Shabi Gërbeshi, me vëllanë e tij Bejtush Nuhi Gërbeshin, ka qenë pjesëtarë i forcave NDSH-iste, në radhët e luftëtarit popullor, Shyt Mareci.

Babai i Shabiut, edhe pse ekonomikisht i patrajtuar si duhet, bijtë e bijat i edukoi me ide përparimtare dhe çlirimtare. Djali i tij, Faiku ishte pjesërnarrës në demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981. Në kohën e luftës së UÇK-së Faiku dhe Shabiu kanë marrë pjesë aktive në çlirimin e vendit. Nga njësit i Gërbeshit, gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë: Rrahim Gërbeshi, Rrahman Murati, Shabi Gërbeshi, Zijaver Vllasaliu, Shaip Pacolli dhe Bali Pacolli.

Shabiu lindi më 5 maj të vitit 1971, në Gërbesh të fshatit Marec të komunës së Prishtinës. Tetëvjeçaren e kreu në Viti të Marecit. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, nuk arriti të vazhdojë shkollimin, mirëpo duke qenë i edukuar drejt dhe me pikëpamje atdhetare çlirimtare, ai nuk reshti së punuari e së vepruari për lirinë e atdheut. Për të ndihmuar familjen ai u mor me punë fizike. Edhe pse ishte bujk dhe punonte tokën ashtu sikurse bashkëfshatarët e tij, Shabiu nën ndikimin e babait dhe përgjithësisht të familjes ishte frymëzuar dhe edukuar kombëtarisht.

Në vitin 1991, kur Serbia tashmë kishte futur masat e dhunshme kolonizues e në tërë Kosovën, Shabiu ashtu sikurse edhe shumë të rinj të tjerë nga mbarë vendi, nuk iu përgjigj ftesës për të kryer shërbimin ushtarak.

Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 nëntor të vitit 1997, Shabiu si të gjithë liridashësit e Kosovës ishte bindur se lufta për çlirim tashmë kishte filluar.

Në dhjetor të vitit 1998, në kohën kur njësitet e UÇK-së të Zonës Operative të Llapit ishin konsoliduar dhe kishin zënë pozicionet e luftës, vëllezërit Shabi dhe Faik Gërbeshi radhitën në mesin e luftëtarëve të lirisë.

Në janar të vitit 1999, ata kryen stërvitjet në pikën ushtarake të UÇK-së në Zl1ashë. Eprorë të tyre ishin: Musli Halimi, “Llapi”, Behxhet Vitia, Emin Boroci, “Triumfi’ e të tjerë.

Fillimisht, Shabiu, me të vëllanë, Faikun, janë inkuadruar në Njësitin luftarak të Gërbeshit, njësit i cili bënte pjesë në Batalionin e Dytë të Brigadës 153, të cilën e komandonte eprori dhe atdhetari i mirënjohur nga Shqipëria, Adem Shehu. Ndërsa, komandant i Batalionit të Dytë ishte Behxhet Vitia.

Njësiti i Gërbeshit ka vepruar edhe në Zllashë sipas nevojave të luftës. Luftëtarët e parë, themelues të këtij njësiti kanë qenë: Emin Ali Gërbeshi komandant togu, Faik Gërbeshi, komandant i njësitit, pastaj Haki Gërbeshi, komandant i skuadrës së Parë, Dul Gërbeshi, Murat Gërbeshi, komandant i skuadrës së Dytë, Veli Gërbeshi, Shabi Gërbeshi, Rrahim Gërbeshi, Shaip Pacolli, Baki Pacolli, Naim Nuhiu, Selatin Nuhiu, Afrim Gërbeshi, Demir Gërbeshi, Jahir Gërbeshi e të tjerë. Pjesëtar i këtij njësiti ishte edhe dëshmori Rrahman Murati, nga Ballabani, i angazhuar një njësitin e Gërbeshit.

Më 18 prill të vitit 1999, fshati Marec, sulmohet nga forcat ushtarake dhe policore serbe në dy drejtime. Nga drejtimi i fshatit Prekovc, prej fshatit Vllasali dhe prej Lagjes “Gilnevad”, forcat e këmbësorisë serbe u ndeshën në Njësitin e Gërbeshit, i cili asokohe kishte 26 luftëtarë.

Njësiti kishte zënë pozicione në vendin e quajtur “Roga e Gërbeshit”. Luftëtarët, Emin Gërbeshi, Faik Gërbeshi, Shabi Gërbeshi, Rrahim Azem Gërbeshi, Rrahman Murati, Murat Gërbeshi, Veli Gërbeshi, Adem Gërbeshi, Dul Gërbeshi, Jahir Gërbeshi, Vehbi Gerbeshi, e të tjerë, kishin zënë pozicione nëpër istikamet, që i kishin hapur me qëllim të mbrojtjes. Ata ishin të armatosur me kallashë, bomba dore, me pushkë M -48, gjysmautomatike, ndonjëri prej luftëtarëve, në mungesë të automatikut ishte pajisur edhe me karabinë, ndërsa njësiti kishte edhe një mitraloz 84.

Forcat serbe, me të gjitha llojet e armëve dhe me qindra ushtarë këmbësorë, ishin nisur Luginës së Prekocit, që shpie në Marec. Përleshja kishte filluar rreth orës 9 të mëngjesit.

Serbët kanë goditur me mitraloz të rëndë dhe me breshëri armësh të ndryshme. Luftëtarët e UÇK -s kishin zënë pozicionet e tyre nëpër istikamet e hapura kohë më parë, ku edhe kishin qëndruar trimërisht.

Në fillim të luftimeve serbët hasin në një rezistencë të fuqishme, duke lënë disa të vrarë dhe të plagosur. Po ashtu, pësojnë humbje edhe në teknikën e luftës. Pas një tërheqjeje taktike, ata sërish fillojnë sulmin në drejtim të “Rogës së Gërbeshit”.

Ndërkohë, eprorët e njësitit Emin Gërbeshi dhe Faik Gërbeshi dërgojnë disa ushtarë për të ndihmuar dhe për ta zhvendosur popullatën civile, e cila ndodhej në lagje, në mënyrë që të tërhiqej dhe të vendosej në një vend më të sigurt.

Pas tërheqjes së popullatës, komandati i togut, Emin Gërbeshi jep ardhë r për tërheqje taktike të luftëtarëve nga pozicionet, ku të gjithë luftëtarët e lirisë kaluan në pozicionin te “Kodra e Gërbeshit. Gjatë tërheqjes të tyre kishin arritur në përforcim një tog ushtarësh nga zona e Karadaket, në krye me komandant “Dardanin”.

Ndërkohë, pasi forcat armike po përparonin, meqë kishin epërsi të konsiderueshme në njerëz dhe teknikë lufte, me urdhër të komandantit të njësiti, Faik Grëbeshi, Shabiu depërton në lagjen “Vllasaliu”, me qëllim për të marrë municion. Pa vonuar, ai depërton në këtë lagje dhe së bashku me Zijaver Vllasaliun kthehet në vijën e frontit “Te Kodra e Gërbeshit”.

Atë ditë, edhe pse krejtësisht të pabarabartë në numër të forcave dhe në armatim, luftëtarët e UÇK -së të njësitit të Gërbeshit luftuan heroikisht e trimërisht, gjashtë orë rresht. Luftimet u zhvilluan në një distancë tejet të afërt, deri në 30 metra. Ndërkohë, breshëria e plumbave dhe predhave të armikut godet Shabi Gërbeshin dhe Zijaver Vllasaliun, të cilët atë ditë ranë për të fituar pavdekësinë.

Bashkëluftëtarët i tërheqin kufomat e Shabi Gërbeshit dhe Zijaver Vllasaliut. Varrimi i tyre edhe pse në rrethana të luftës u bë me nderime ushtarake, gjatë natës. Dëshomrët, fillimisht i varrosen në vendin e quajtur te Roga e Gërbeshit. Në varrim morën pjesë komandanti i togës, Emin Ali Gërbeshi, Faik Gërbeshi, e të tjerë.

Rivarrimi u bë më 20 nëntor 1999, në varrezat e dëshmorëve në Viti të Marecit, ku pushojnë eshtrat e 15 dëshmorëve të rënë në betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga njësiti i Gërbeshit, gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorët: Rrahim Gërbeshi, Rrahman Murati, Shabi Gërbeshi, Zijaver Vllasaliu, Shaip Pacolli dhe Bali Pacolli.

Në përkujtim dhe nderim të dëshmorëve është emërtuar rruga Dëshmorët e Marecit, në Prishtinë.

Familja Gërbeshi ka marrë Mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjës, nga Kuvendi Komunal i Prishtinës dhe nga shoqatat e dala nga lufta.

Shabiu ka lënë babanë, Avdushin, nënën, Nazifen, vëllezërit: Ragipin, Tefikun, Faikun, Nuhiun, Mehdiun dhe motrat: Sadijen, Haziren, Miniren dhe Lumnijen. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …