Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë nëpërmes një komunikate ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Sipas komunikatës, të akuzuarit janë: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi dhe Faton Topalli. Ata akuzohen, secili veç e veç, se kanë kryer veprat penale: përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPRK-së dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 409 par.1 të KPRK-së. Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë.
18. 12. 2915. 8.00
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar dorëzimin e 80 kallëzimeve penale në Gjykatë. Ato kanë të bëjnë me intervenimin e Policisë së Kosovës në zyrat e kësaj partie, kur arrestoi ish liderin e saj e deputetin, Albin Kurti, i cili ishte ani pse kishte urdhërarrest, ishte paraqitur në Manifestimin e opozitës kundër Marrëveshjeve me Serbinë e me Malin e Zi, për Asociacionin e Komunave me shumicës serbe, përkatësisht demarkacionin. “Sot, në ora 13:30, në Pallatin e Drejtësisë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të dorëzojnë 80 Kallëzime Penale lidhur me intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës më 28 nëntor të këtij viti brenda zyrave të Vetëvendosjes”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti. Kurti është ende duke vuajtur paraburgimin prej 30 ditësh, masë e cila ju dha pasi hodhi disa herë gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, për të penguar ato që opozita po i konsideron marrëveshje të dëmshme.
Në “Sheshin e Dëshmorëve” në Malishevë dje morën pjesë mijëra qytetarë në kundërshtim të marrëveshjeve që ka nënshkruar Qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, dhe demarkacionin me Malin e Zi. Pjesëmarrës në këtë manifestim, ishin liderët e tri subjekteve opozitare Ramush Haradinaj, Visar Ymeri dhe Fatmir Limaj, të cilët i prezantuan kërkesat e opozitës së bashkuar për të dal nga kriza politike. Po ashtu masës ju drejtuan edhe liderët lokalë, kryetari i Komunës Ragip Begaj, Muhamet Bytyçi nga Vetëvendosje dhe Bashkim Krasniqi nga AAK-ja. Liderët e opozitës Fatmir Limaj, Visar Ymeri dhe Ramush Haradinaj, kanë deklaruar në Malishevë se manifestimet që po mbahen kundër Asociacionit për Komunat Serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi janë për të kundërshtuar Serbinë në Kosovë dhe ata të cilët duan ta sjellin atë këtu. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve që janë mbledhur në sheshin “Adem Jashari” në këtë qytezë, kryetari i Nismës tha se janë këtu për të njoftuar qytetarët me rrezikun që kanoset vendi me këto dy marrëveshje.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, i ka akuzuar gjyqtarët e EULEX-it për vendime të paligjshme. Një aktvendim i tillë është marrë nga kolegji me shumicë gjyqtarësh të EULEX-it, i cili ka vendosur ta dërgojë në gjykim aktakuzën kundër Sami Lushtakut dhe të tjerëve për një tender në KEK, ani se Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë atë. Hasani ka thënë se të gjitha ato aktakuza që ngrihen pas afatit prej 24 muaj hetimesh janë arbitrare dhe në kundërshtim më ligjin. Kreu i Supremes ka thënë se nuk ka autoritet mbi kolegët ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, kanë lejuar ankesa edhe ndaj vendimeve të formës së prerë, çka nuk parashihet me ligj.
Pranë termoeltranës Kosova B në Kastriot u bë përurimi i projektit “ Rregullimi sekondar, Frekuencë-Fuqi, Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonjetive 400 Kv deri në kufirin me Shqipërinë. Ndërtimi i linjës 400 kilovoltëshe është projekt i një rëndësie të jashtëzakonshme në fushën energjetike në mes të dyja vendeve. Duke four për rëndësinë e tij, kryeministri, Isa Musrafa theksoi se Kosova dhe Shqipëria tashmë po krijojnë kushte për furnizim me energji, shpërndarje, cilësi dhe hapje të tregut të liberalizimit me efekte të larta mjedisore. Ky projekt modern energjetik hap perspektiv të jashtëzakonshme në bashkëpunim të drejtpërdrejtë në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërtimi i kësaj linje në Shqipëri, pritet të përfundoj në pranverë të vitit të ardhshëm.
Gjykata e Shkupit miratoi aktakuzën e prokurorisë për rastin e Kumanovës dhe hodhi poshtë ankesën e palës mbrojtëse e cila kërkonte shfuqizim akuzës dhe lirimin e të arrestuarve. Në njoftimin e Gjykatës themelore të Shkupit thuhet se Këshilli për vlerësimin e aktakuzës, pas një analize të detajuar të materialeve të paraqitura në formë të shkruar në aktakuzë, të paraqitura në gjykatë, si dhe të materialeve të të akuzuarve dhe të mbrojtjes së tyre, si dhe duke marrë parasysh faktet në bazë të të cilave bazohet akti, ka miratuar aktakuzën, ndërsa ankesat i ka hedhur poshtë si të pa baza. Sipas gjykatës, në seancën gjyqësore që pritet të nis pas formimit të këshillit gjykues, palët do të kenë mundësinë të paraqesin argumentet e tyre mbi akuzën e ngritur ndaj 29 personave. Rasti i Kumanovës ka qenë pjesë edhe e raportit të progresit të Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar një hetim të ri ndërkombëtar për të ndriçuar këtë rast.
Duke komentuar fjalimin e kryetares së vendit, Atifete Jahjaga të mbajtur në Kuvend, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri deklaroi se gjatë fjalimit ajo përdori fjali të kryeministrit, Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi. Ajo nuk po i përmbush obligimet kushtetuese dhe në anën tjetër nuk po shërben si shefe e diplomacisë së jashtme të Kosovës, që e ka me kushtetutë, veçanërisht karshi marrëveshjeve. Ajo është në anën e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, është vegël e tyre. Kryetarja, Atifete Jahjaga mbajti fjalim siç flet Thaçi e Mustafa në skutat e Kuvendit ndërsa ne do të vazhdojmë me protestën tonë për sa kohë vazhdojnë ta rrezikojnë Kosovën këto marrëveshje, theksoi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, në këtë qytet u protestua kundër grabitjes së tokave të banorëve të kësaj ane nga Manastiri i Deçanit. Protesta me moton “Pronat janë tonat” u mbajt për të kundërshtuar pretendimeve pronësore të Manastirit të Deçanit dhe vendimin e padrejtë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës karshi pronave të Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”.
Kryetari i Rusisë Vladimir Putin, e ka cilësuar miliarderin amerikan Donald Trump, si lider në garën amerikane presidenciale dhe ka thënë se mirëpret thirrjen e biznesmenit amerikan për marrëdhënie më të ngushta amerikano – ruse. “Ai është një person që shquhet – është i talentuar, pa asnjë dyshim”, ka thënë Putin, duke e cilësuar kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, si favorit të dukshëm. Edhe zoti Trump ka thënë se do të mund të bashkëpunonte me liderin rus. “Mendoj se do t’ia kaloja mirë me të”, ka thënë Trump gjatë një interviste dhënë rrjetit televiziv CNN, në tetor.