Shtatëdhjetë kompani serbe po marrin pjesë në Panairin ndërkombëtar “Prishtina 2018”, të cilave po i prinë kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadez. Në këtë panair ka qenë i pranishëm edhe zëvendës-kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili i ka ngritur gotat me raki me z. Çadez. Në këtë panair tashmë tradicional, për herë të parë kompanitë serbe po prezantohen me numër kaq të madh dhe, natyrisht flamurin shtetëror të Serbisë. Kryetari, Aleksandër Vuçiq ka kërkuar javë më parë nga kompanitë serbe të marrin pjesë në numër sa më të madh dhe ta pushtojnë panairin e Prishtinës. Serbia për çdo vit shet rreth 500 milionë euro mallra në tregun e Kosovës, përderisa eksportet e Kosovës drejt shtetit fqinj nuk janë më të larta se 20 milionë euro.
Tregtarët shqiptarë që blejnë lirë mallrat në Serbi, shpeshherë edhe të skaduar, që blejnë krunde derrash dhe e shesin për miell në Kosovë dhe në Shqipëri, janë ata që i kanë sjellë kompanitë prodhuese të Serbisë në Kosovë, janë ata që edhe gjatë kohës së luftës kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe kanë përfituar mbi kurriz të bashkëkombësve të tyre, të cilët regjimi i Beogradit i vriste dhe i masakronte. Nuk është për t’ u habitur me këta tregtarë e matrapazë sepse ata Zot, Atdhe, Komb kanë paranë dhe fitimin por edhe për keq ardhje pse Qeveria Haradinaj i bën lëshime të tilla kompanive të Serbisë dhe pse Koalicioni: PDK-AAK -NISMA, rrah gjoks në vlerat e luftës dhe të lirisë, të cilat do të duhej ta nënkuptonin edhe pavarësinë ekonomike të Kosovës ndaj Serbisë. Është turp e faqe e zezë përjashtimi i kompanive të Shqipërisë, në këtë panair, dhe hapja e dyerve firmave serbe në Kosovë. (RKL)