leoni

Behxhet Musli Brajshori (7.10.1961 - 19.4.1999)

Behxhet Musli Brajshori (7.10.1961 – 19.4.1999)

Të parët e dëshmorit Behxhet Brajshorit janë të zbritur në Kosovë prej Toplice, si rjedhojë e shpopullimeve të bëra nga Serbia në vitin 1878. Fillimisht ata u sistemuan në Gllavnik të Llapit dhe më vonë blejnë tokë e sistemohen përfundimisht në fshatin Sharban të Epërm të Malësisë së Gollakut, ku merren kryesishtë me bujqësi dhe blegtori. Në masakrat e kryera nga ushtria serbe, në vitin 1921, vriten 52 pjestarë të Brajshorve. Përndjekja dhe vrasjet e pësuara nga Serbia e bënë këtë familje të jetë vigjilente dhe mosbesuese ndaj çdo qeverie sërbe që vëndosej në Kosovë.
Behxhet Brajshori, bir i kësaj familjeje, vetë i gjashti vëlla dhe dy motra, ka lindur në Sharban të Epërm. Shkollën tetëvjeçare e përfundon në këtë fshat, ndërsa të mesmen e përfundoi në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme teknike, në vitin 1983 punësohet në ndërmarrjen Elektromontazha të Prishtinës, ku punoi deri në vitin 1990, kur filluan pushimet e dhunshme nga puna të punëtorisë shqiptare, nga pushtuesi serb. Pas kësaj ai i rikthehet punës në bujqësi, në fshat, duke ndihmuar edhe vëllezërit e tjerë, të cilët filluan të merrein me tregti. Krahas punëve në bujqësi, u aktivizua nga pushteti paralel shqiptar në Kosovë për ruajtjen e shkollave në Sharban e Prishtinë, gjatë kohës së mësimit, për të mos u penguar zhvillimi i tij apo ndonjë incident për të frikësuar fëmijët dhe prindërit e tyre. Gradualisht Behxheti e kuptoi se politika pacifiste, e cila u aplikua pas pushimeve masive të dhunshme nga puna, nuk ishte rrugë që i çonte shqiptarët në dritë. Parulla e mjegullt disfatiste e pacifistëve shqiptare: “Ne duhet të luftojmë, por jo me armë, pasi nuk kemi forcë për t’u përballur me një armik të tillë, si Serbia, shteti më i fuqishëm në Ballkan”, edhe Behxhetit filloi t’i krijonte neveri.
Duke qënë edhe kunat me njërin prej bashkëluftëtarëve më të ngushtë të Zahir Pajazitit, Hasan Zenelin, Behxheti u bind shpejt për rrugën e vetme që mund ta çonte drejt lirisë së vërtetë, lufta e armatosur. Kontaktin e parë me veprimtarinë ilegale, Behxheti e pati në gusht të vitit 1994, kur Zahir Pajaziti i bëri pritë me zjarr partullës policore serbe te Kërshi i Sali Butës. Në kohën që policia kërkoi ndihmë dhe erdhi helikopteri i zbulimit, Hasan Zeneli, për të çorientuar policinë, që ishte në kërkim të atentatorit, qëllon kundër helikopterit dhe shkon e strehohet te shtëpia e Behxhetit në Sharban, tek e motra. Pasi i tregon Behxhetit ngjarjen, ky i fundit ngarkon qerren me dru, për t’i “shitur” në Prishtinë dhe e shpie Hasanin deri te baza e tij ilegale, në Ulpianë.
Rasti i dytë, ku Behxheti rrezikon më shumë se në rastin e parë, është ai i datës 1.9.1994, kur, së bashku me Muharem Krasniqin transferon armët e njësitit gueril, prej shtëpisë së Hasan Zenelit nga Ballabani në Orllan. Prej kësaj date ai bën pjesë në njësitin gueril. Në aksionin kundër pikës së policisë, që ruante kolonët sërbë të strehuar në konviktin e shkollës Normale të Prishtinës, 23.9.1994, Behxhetit i vihet detyra nga Zahir Pajaziti që të ngarkonte qerren me dru dhe t’i “shiste” ato në afërsi të konviktit. Detyra e tij ishte që në rast se gjatë momentit të kryerjes së aksionit do të vinin forca policore nga ai drejtim, ai të hapte zjarr për të penguar përforcimet e mundshme, për t’i dhënë kohë grupit të aksionit të tërhiqej.
Në vjeshtën e vitit 1994, pas daljes në skenë të UÇK-së, dihet që Zahir Pajaziti e kish rritur shumë rrethin e ilegalëve dhe e ndau atë në dy njësite guerile, ku njëri prej tyre u emërtua “Rrufeja”, me përgjegjës njësiti Hasan Zenelin. Në këtë njësit bënin pjesë: Behxheti, Jonuz Zeneli, Agim Makolli, Isuf Ferizi, Latif Brajshori, Muharem Krasniqi, Ismajl Sejdiu dhe Sabit Lahu nga Rimanishta. Ky njësit kish për detyrë të evidentonte policët, ushtarakët, agjentët e sigurimit dhe bashkëpuntorët e tyre më të rrezikshëm e më të dëmshëm për popullin në zonën: Prishtinë, Gollak, Gjilan, Shtime dhe të bënte asgjësimin e tyre. Aksonin e parë ky njësit e kryen kundër postbllokut të policisë, te penda e liqenit të Batllavës, në prill të vitit 1995, me qëllim të dyfishtë: policia të dëmtohej dhe të frikësoheshin e të largoheshin nga Kosova kolonët serbë, të cilët i ruante ai postbllok dhe që ishin strehuar te kamp-shtëpizat e atjeshme. Behxheti, pasi çoi armatimin dhe municionin në afërsi të objektit të sulmit, kish për deryrë të siguronte tërheqjen e njësitit.
Aksionin e dytë, ku merr pjesë edhe Behxheti, e kryjnë kundër stacionit policor në Orllan, së bashku me Agimin, Jonuzin dhe komandantin e njësitit. Këtu ai bëri pagëzimin e parë me zjarr, duke marrë pjesë drejtpërdrejt në sulm. Pas rënies heroike të Zahir Pajazitit, njësiti ndrmerr aksionin më të rrezikshëm, më 18.2.1997, ku goditet pukti policor pranë Fakultetit Filologjik, për rëzimin e përmendores së Vuk Karaxhiqit, ku u vra edhe një polic serb. Ky aksion u ndërmor për t’i treguar armikut se njësiti vepronte dhe, madje brenda në Prishtinë, nën hundët e tij. Këtë aksion e kryen Behxheti, Isufi, Jonuzi dhe Agimi, nën drejtimin e komandantit të njësitit. Dy muaj më vonë policia arreston Hasan Zenelin, Latif Brajshorin, Jonuz Zenelin dhe Muharrem Krasniqin, ndërsa të tjerët dalin në mal të Gollakut, në ilegalitet të thellë.
Edhe kur shkonte në shtëpi, pranë fëmijëve (ka dy djem: Xhevdetin dhe Jetonin dhe tri vajza: Shqipen, Shyhreten dhe Egzonën), ai flinte në degët e dardhës në kopsht, me qëllim që në çdo rast të mos kapej në befasi nga policia. Për të mundur që të kundërvepronte me shpejtësi, ai i mbante të fshehura armët, në tri rrugë tërheqjeje, përveç pistoletës që e mbante gjithëherë më vete.
Gjatë ardhjes në një rast në Prishtinë, në fshehtësi, në mars të vitit 1998, për të marrë informacione të nevojshme, diktohet dhe arrestohet. Për mungesë provash lirohet pas një muaji hetimesh. Të nesërmen, policia shkon ta arrestojë përsëri, por komiti nuk gabon dy herë. Ai kish rrëmbyer armët dhe luftonte në Malësinë e Gollakut. Në maj 1998, i vjen i vëllai refugjat në Suedi, Isufi, dhe i sjell një pasaportë për ta marrë me vete, por Behxheti i përgjigjet: “Sikur ta di se vdes dhe kurrë nuk iki nga Kosova. Këtu kam lindur e këtu do të vdes”.
Në korrik 1998 ishte krijuar nënzona e Llapit dhe ishte marrë vendimi për krijimin e njësitit të parë të UÇK-së, me qëndër në Sharban të Epërm. Në njësit bën pjesë edhe Behxheti si luftëtar i thjeshtë, të cilit iu ngarkua edhe detyra për mbajtjen nën kontroll drejtimet e mudshme të ardhjes së befasishme të forcave ushtarako-policore serbe që mund të afroheshin nga drejtimi: Siçevë – Sharban dhe Bërnicë e Epërme – Sharban.
Në tetor 1998 kemi rritje të formacioneve të UÇK-së dhe kështu kemi krijimin e njësitit të lagjes së Brajshorëve, me dhjetë luftëtarë, me komandant Behxhet Brajshorin. Përveç kësaj detyre, atij iu ngarkua edhe plotësimi i nevojave logjistike (ushqime, veshmbathje dhe karburante). Mblidhet kuvendi familjar. Vijnë edhe Haliti dhe Isufi nga Suedia. Pse i kërkonte Behxheti me urgjencë? Ç’farë kish ndodhur? Mblidhen në shtëpinë e tij në fshat. “Të dashur vëllezër, ju e dini që Kosova ka gati një vit që lufton. Lufta do të bëhet edhe më e ashpër. Edhe ne duam që Kosova të çlirohet e ta heqë qafe sunduesin serb. Erdhi momenti ta tregojmë veten edhe ne. Komanda eprore mua, veç të tjerave, më ka ngarkuar të siguroj sa më shumë rezerva materiale për të qenë të përgatitur të luftojmë sa më gjatë, pasi nuk i dihet se sa zgjat lufta. Këtë detyrë do ta kryejmë së bashku. Ne të katërt që jetojmë në Kosovë: të gjithë me logjistikën, të gjithë me pushkë. Ju të dy në kurbet ndihmojeni luftën tonë me propagandë dhe financa. Gjithçka që kemi grumbulluar si vëllezëri duhet ta shkrijmë për luftën çlirimtare dhe të vëjmë në vend nderin dhe gjakun që e kërkon historia”. Ky ishte fjalimi i Behxhetit. Luftëtarët i kanë fjalët me kursim. U tha, u bë. Nën drejtimin e Behxhetit ndërtohet bunkeri-depo me përmasa 10x13x2.5 m., në Sharbanin e Epërm. Në atë depo u grumbulluan 3-4 mijë litra naftë, të cilën e pat marrë Behxheti nga depotë shtetërore serbe të “Beopetrolit” në Bardhosh (ish-Devet Jugoviq), natën, në datat kur kryente shërbimin bashkëpuntori i UÇK-së, Selman Rexha. Gjithashtu, nën drejtimin e vëllait të tij Ismetit, grumbullohen 3-4 mijë litra vaj ushqimor; 3-4 mijë kg. fasule; një ton kripë dhe me dhjetra tonë miell, ku 80 % e të gjitha shpenzimeve ishin nga pasuria e familjes Brajshori, përveç 20-30 shliperë (maune) me miell të dërguara në Malishevë, pranë njësiteve të UÇK-së, nën maskimin e shitjes prej kompanisë private “SM Comerc”, me pronar Ismet Brajshorin.
Në janar 1999 kemi fuqizim të UÇK-së. Në Gollak shtohen forcat luftëtare. Kemi njësite me nga 20-30 luftëtarë në Zllash, Keçekoll, Prapashticë, Marec, Grashticë, Koliq. Për të sigurur drejtimin e tyre u vendos radiolidhja ritrasmetuese në lagjen e Brajshorëve, në një nga dhomat e shtëpisë së Sadri Brajshorit, pasi ishte pozitë trigonometrike, që shihej nga të gjitha lartësitë e tjera të Gollakut. Edhe në Malësinë e Gollakut u krijuan kushtet për të kaluar në formacione më të mëdha luftarake. Kështu, më 28 shkurt 1999 krijohet Brigada 153 e UÇK-së, ku detyrën e komandatit të saj do ta kryente Fatmir Sopi, deri në mbërritjen nga Tirana të Kapitenit Adem Shehu. Batalioni i parë i asaj brigade përbëhet nga njësitet e Sharbanit të Epërm, i Siçevës dhe një pjesë e atij të Rimanishtës (kompania “Buna 26”); nga njësiti Rimanishtës (kompania “Buna 26A”), me komandant Behxhet Brajshorin dhe njësiti i lagjes së Brajshorëve (kompania “Buna 26 B”), me komandant Ejup Maqedoncin.
Aksionin e parë forcat e kësaj brigade e kryejnë më 15 mars 1999 në hyrje të fshatit Besi, ku iu zu pritë një xhipi ushtarak serb, ku nga ana e armikut mbetën të plagosur një nënkolonel dhe dy ushtarë, ndërsa forcat e UÇK-së largohen pa dëmtime. Drejtpërdrejt në aksion merr pjesë edhe Behxheti. Ky aksion u trasmetua të nesërmen në mediat e Prishtinës si dhe nga agjencia AFP. Pas disa orësh forcat ushtarake serbe ndërmarrin një sulm hakmarrës për dëmet e pësuara, duke sulmuar fshatin Besi, kundër fshatit Siçeve dhe në fshatin Rimanisht. Kur po afroheshin, në kolonë paraluftimi, ranë nën zjarrin e forcave të UÇK-së dhe u detyruan të zbresin nga automjetet e të hapen në formacion luftimi. Nga zjarri i dendur i kompanisë, që komandohej nga Behxheti, vritet një ushtar serb dhe ata, pasi e tërheqin të vrarin tërhiqen edhe vetë.
Më datën 26 mars 1999, ushtria serbe ndërmerr sulm për të bërë zbulim me luftim, me qëllim që të përcaktonte vendndodhjen e forcave çlirimtare, duke sulmuar në drejtim të Siçevës, Rimanishtës dhe Sharbanit të Epërm. Kontaktin e parë me zjarr e patën me këto forca në Siçevë, të komanduara nga Behxhet Brajshori dhe u tërhoqën me shpejtësi. Përqendrohen në Vranidoll dhe Besi dhe fillojnë bombardimin me artileri, nga zjarri i së cilës u dogjën komplet shtëpitë e lagjeve Rexhaj dhe Sylaj si dhe u plagosën dy fshatarë. Pas mbarimit të luftimeve të asaj dite komandanti i brigadës bën riorganizimin e radiondërlidhjes duke e bërë më efikase dhe duke e zbritur atë deri në skuadër.
Prej datës 1 prill 1999 , në drejtim të rajonit të veprimeve luftarake të Batalionit të Parë kish filluar të vinte popullsi e shumtë prej qyteteve Prishtinë e Podujevë, e cili nuk kishte pranuar të dilte jashtë Kosovës. Deri ditën e ndërmarrjes së sulmit nga armiku në atë rajon ishin grumbulluar 35-50 mijë banorë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë. Popullata ishte sistemuar në të dy anët e rrugëve: Dyz – Koliq-Stallovë-Grashticë dhe Sharban i Ulët-Sharban i Epërm-Siçevë-Llukar. Të gjithë meshkujt e aftë për luftë, komanda e batalionit, sipas urdhrit të brigadës, i organizon në ndihmë të forcave të UÇK-së për hapjen e transheve, strehimeve të ndryshme për popullsinë dhe ato logjistike, maskim etj., përveç asaj pjese që u pajis me armatim dhe u përforcuan me më shumë forca kompanitë e batalionit. Komanda e brigadës, për shkak se kish shumë popullsi dhe që nuk mund të manovronte vendosi të zhvillonte luftime mbrojtëse. Gjatë kësaj periudhe në lagjen e Brajshorëve ngrihet dhe funksionon edhe qëndra stërvitore.
Priteshin sulme të tjera nga ana e armikut. Komanda e brigadës pasi bëri vlerësimin e gjëndjes të të dy palëve, hartoi planin e veprimeve luftarake të ardhshme. Në pjesën sqaruese të urdhrit luftarak të brigadës, të datës 1.4.1999, dërguar Batalionit të Parë, midis tjerash, thuhej: “Armiku pritet të sulmojë me forca të shumta nga disa drejtime. Sulmim, parashikohet ta mbështesë me tanke dhe artileri të kalibrave të ndryshëm. Drejtimet e mundshme të afrimit të tij, në drejtim të rajonit të veprimeve tona luftarake pritet të jenë: Prishtinë-Bërnicë-Siçevë-Sharban; Besi-Rimanisht; Sharban i Poshtëm-Rruza e Gjatë dhe Vranidoll- Serovc-Rimanisht.”
Në pjesën urdhëruese të tij, midis të tjerave thuhej: “Për të mbrojtur popullsinë e zhvendosur dhe për të thyer sulmet e mundshme të armikut URDHËROJ: Batalioni i Parë i brigadës 153 të planizojë dhe organizojë mbrojtjen në dy skalione, në rajonin: Halabak – Merovc – Stallovë. Vija e parë e mbrojtjes, duke filluar nga e djathta, të kalojë: Roga e Drenit-Gryka e Siçevës- Maja e Xhavit. Vija e dytë: kryqëzimi i rrugëve Sharban i Ulët – Sharban i Epërm – para fshatit Rimanisht- në veri të fshatit Bërnicë – Makofc, me detyrë: të mos lejohet depërtimi i armikut në thellësi të Malësisë së Gollakut, duke i thyer sulmet e tij me zjarr dhe kundërsulme dhe të mos lejohet përparimi i tij me çdo kusht, duke e mbrojtur popullatën e grumbulluar në rajonin: Dyz – Siçevë – Stallovë. Në pamundësi të vazhdimit të mëtejshëm të luftimeve, të fillojë shkëputja pjesë-pjesë e kontaktit me forcat e tij, gjatë errësirës, me skuadra dhe toga, ku një pjesë e forcave të kalojë në shpinë të armikut dhe, pasi të rigrupohen me shpejtësi të ndërmarrin sulme të rrufeshme e të pandërprera kundër tij. Me pjesën tjetër të forcave të vazhdojë ruajta dhe zhvendosja e popullatës, duke u tërhequr me luftime nga vija në vijë. Kur të shihet e pamundur mbrojtja e mëtejshme e popullsisë, të orientohet ajo për t’u futur në qytetin e Prishtinës, përmes rrugëkalimit kryesor: Stallovë – Grashticë – Llukar, duke e mbrojtur nga të dy krahët, për të mos e lejuar armikun ta diktojë e godasë atë. Për këtë qëllim forcat e dala në prapavijë të armikut ta godasin atë nga shpina dhe krahët, ndërsa forcat kryesore të lëvizin paralel me kolonën në të dy anët e luginës, deri në kazermat e Llukarit, duke mbajtur me çdo kusht lartësitë dominuese.
Për realizimin e kësaj detyre, Kompania “Buna 26” të përhapet për mbrojtjen e drejtimeve Lluzhan-Bellopojë-Halabak dhe atë Halabak-Sharban. Kompania “Buna 26 A” të përhapet për mbrojtjen e drejtimit Vranidoll-Rimanisht, ndërsa Kompania “Buna 26 B” të përhapet për mbrojtjen e drejtimit Bërnicë-Siçevë-Sharban dhe vazhdonte me udhëzimet për sigurimin e luftimit.
Disa ditë pas marrjes së urdhrit luftarak, komandanti i brigadës shkon për të bërë përnjohjen e terrenit dhe për të parë nga afër zbatimin e urdhrit të dhënë prej tij, ku u bënë korrigjimet dhe plotësimet e nevojshme.
Armiku e filloi sulmin më 18 prill, në orën 5 e 15 minuta, pothuajse nga ato drejtime që ishin parashikuar në urdhrin luftarak të komandës së brigadës. Afrimin e forcave armiku e kish bërë gjatë natës, në fshehtësi dhe e fillon sulmin e njëkohëshëm me zjarr artilerie dhe këmbsori, duke angazhuar në secilin drejtim, një deri dy batalione këmbësorie. Zjarri i artilerisë ishte i njëjtë si në vijën e parë të mbrojtjes edhe më në thellësi të forcave të Batalionit të Parë si dhe kundër shtëpive të banimit dhe popullsisë. Dënduria e lartë e zjarrit të armëve të UÇK-së dhe befasia e tij, bëri të mundur thyerjen e shpejtë të sulmit të parë të armikut. Pas një përpunimi të gjatë me artileri, që zgjati mbi një orë, armiku sulmon përsëri me këmbësori. Përsëri forcat e UÇK-së dalin me shpejtësi në transhetë e para, duke e lënë armikun të afrohet 50 deri 30 metra, me qëllim që të mos kish mundësi të bënte zjarr me artileri mbi forcat e UÇK-së të vijës së parë dhe, kështu e detyruan armikun të ndalet para tyre, duke shkëmbyer zjarr me armët e lehta. Kompania e komanduar nga Behxheti, ndërmerr edhe dy kundërsulme me 3 skuadrat e skalioneve të dyta të togave të skalionit të parë dhe i përforcoi pozitat në drejtim të Bërnicës, duke mos e lënë armikun të përparonte në atë drejtim. Gjatë luftimeve të ditës së parë, të cilat zgjatën 10 orë, bien duke luftuar luftëtarët: Dalip Alshiqi, Shaban Avdiu dhe 7 qytetarë. Me rënien e errësirës të dy palët i ndalun luftimet. Batalioni, pasi bëri tërheqjen e të vrarëve, dhënien e ndihmës së parë të plagosurve dhe dërgimin e tyre në spital të brigadës dhe eleminimin e pasojave të tjera, riorganizoi forcat, duke qëndruar në gatishmëri për luftimet e ditës së nesërme.
Ditën e nesërme, luftimet filluan shumë më herët se ditën e parë dhe me zjarr të përforcuar artilerie nga ana e armikut. Pati edhe luftime në largësi 5 deri 10 metra. Në luftim e sipër bie Fadil Balaj së bashku me babain dhe axhën e tij, të cilët lënë punën në kuzhinë dhe shkojnë në përforcim të vijës së parë, për thyerjen e sulmeve të armikut.
Behxhet Brajshori, duke e parë pamundësinë e mëtejshme të qëndrimit në ato pozicione, ia pason urdhrin popullsisë që të fillojë lëvizjen drejt Prishtinës, ndërsa me një pjesë të forcave kalon te Kërshi i Sharbanit dhe në grykë të Siçevës, duke bërë sigurimin e krahëve të kolonës. I shoqëruar nga luftëtarët Shefqet e Shaqir Brajshori dhe nga pesë luftëtarë të brigadës 152, që kishin ardhur në përforcim, kapi me sulm Kërshet e Sharbanit, përballë shtëpisë së tij. Ndërkohë sulmohen nga dy drejtime nga forcat sërbe. Pas dy orë luftimesh, kur po u mbaronte municioni, Behxheti urdhëron grupin e luftimit të tërhiqet dhe vetë bën mbulimin e tij me zjarr, kurse vëllain tjetër, Latifin, që ndodhej në grupin e tij të sulmit në Kërsh e urdhëron të kapë Sukën e Radashevcit dhe të përparojë përgjatë kreshtës, paralel me rrugët Rimanisht – Mramor dhe Rimanisht – Siçevë, për sigurimin e kolonës, duke i dhënë edhe koordinatat për vendndodhjet e armikut dhe veprimet e tij, pasi Latifi ishte edhe përgjegjësi i pikës së ndërlidhjes dhe lidhej me të gjithë vëzhguesit e batalionit. Zjarri i Behxhetit dhe shokëve të tij bëri të mundur që sërbët të mos i kapnin Kërshat e Sharbanit dhe të mos mundënin të futeshin në fshatin Siçevë, ku kishte ende popullsi të shumtëmajën, ndërsa kolona ndërkohë vazhdonte rrugën drejt Prishtinës. Në ora 13 nuk dëgjohet më krisma e armës së Behxhetit, pushka M48. Ishte goditur mu në zemër. Ushtria sërbe mundi që të mbrinte në vijën: Sharban i Ulët, Sharban i Epërm, Radoshec, Grashticë, por pasi kolona e popullit kish mundur të futej në qytet. Ushtria sërbe, e revoltuar për humbjet e pësuara dhe mos mundjen e asgjësimit të forcave të UÇK-së e mosgoditjes së kollonës gjatë kalimit të saj, duke shfrytëzuar ndalimin e mëtejshëm të përparimit të forcave tona, në shoqërim të kolonës, (për mugesë municioni), mundën të kapin fundin e kolonës, duke bërë masakër e pushkatuar mbi 70 qytetarë të pafjshëm në Makovc. Në mbrëmjen e asaj dite, pas përfundimit të luftimeve mungonte komandanti i kompanisë, Behxhet Brajshori. Të nesërmen forcat e batalionit të parë, të përforcuara edhe nga batalionet e tjera të brigadës, ndërmarrin kundërsulm dhe i zmbrapsin forcat serbe. Kur mbërritën te lartësia e Sukës së Radashevcit, luftëtarët e gjetën komandant Behxhetin në pozicion luftimi, me kokën të mbështetur mbi armën e tij. Nuk i mbetet as edhe një fishek. Në largësinë 10-20 m. u gjetën mbi 800 gëzhoja të armëve të armikut. Shokët e përcollën komandantin me breshëri armësh, duke e varrosur atje, te oborri i shtëpisë së tij, ashtu sikundër i pat thënë të vëllait emigrant, Isakut: Unë nuk largohem as i vdekur nga Kosova. Edhe në Sudi, u shkuan Isufit dhe Halitit për ngushëllim mbi 5 mijë refugjatë shqiptarë, kur mësuan përmes TVSH-së rënien heroike të Behxhet Brajshorit.
Edhe sot Behxheti i bën roje Kosovës nga kodra e Përmendores të Dëshmorëve në Prishtinë, ndërsa te vendi kur u nda prej bashkëluftëtarëve, pranë shtëpisë së tij, është ngritur lapidari me fotografinë e tij dhe të shokëve të tij, dëshmorët e batalionit, për t’u thënë vëllezërve dhe gjithë popullit të Kosovës se, ja ku më kini, aty ku linda. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …