(Fragment nga Ditari i Luftës, Marec, 19 Prill 1999, Dita e dytë e betejës)
….. Pas aksionit që bëmë kundër forcave serbe, Shaqa (Shemsi Syla) edhe unë (Selami Neziri), u larguam me aq shpejtësi sa mundëm deri tek pika ku e kishim lënë njësitin e “Gërbeshëve” të udhëhequr nga Emin Gërbeshi për të na mbuluar me zjarr po qe nevoja….
Me të arritur tek pika e njësitit të “Gërbeshëve” filluan granatimet mbi kokën tonë. U krijua situatë e tmerrshme. Vinin predhat si breshër. Kisha përshtypjen se metër për metër bie nga një predhë. Habitesha se si Shaqa nuk ulej për asnjë sekondë. …
Afërsisht, pas 10 minutave pushuan granatimet. Shaqa (Shemsi Syla) ishte i bindur se tani do të vijë këmbësoria serbe dhe thoshte se ne duhet ti presim…
…….. por, dukej se kot prisnim. Pas disa minutash pritjeje të kotë edhe Shaqa vendosi të shkojë vetë. Dhe iku duke më thënë mua: “Rri ti, Agron, prit këtu. Do të kthehem shpejt”.
Pas pak, ende pa u kthyer Shaqa, erdhi ushtari me pseudonimin Rusi (Afrim Zeqiri) nga Cërnica me një mitraloz të lehtë 150tësh. dhe po pyet me çudi: – “Po çka je ka ban këtu, o Agron?”
– Po e pres ushtrinë e shkive, – i thash.
– A vetë a?
– Po, vetë, kështu si po më sheh – i thash. Këtu më la Shaqa deri sa të sjellë përforcime.
Pastaj, Rusi, thuaj se nuk kishte vend të mjaftueshëm në tërë atë hapsirë të pa fund, më tha: “Shtyju pak, lëshoma pak vend”. Pastaj pozicionoi mitralozin pikërisht në vendin ku isha unë.
Pas nje pritjeje prej disa minutave, Shaqa u kthye duke thirr; o Agron eja se në anën tjetër përballë metrave, diku mbi dardhë, paska mbetur një ushtar i yni dhe po kërkon ndihmë.
Menjeherë u ngritëm me Rusin dhe shkuam në drejtim të Shaqës. Sapo iu afruam, i thash;” Shaqë, a e ke pyetur Dullën(Abdulla Shasivari), a po i mungon ndonjë ushtar, pasi që ishte pika e tij atje afër dardhës? Se mos është far gracke e serbëve”.
– “Jo, jo se nuk është grackë”, – mu përgjigj Shaqa.
U nisëm menjëherë pas tij. Shtigjet e malit ishin të vështira për kalim. Duhej të shkonim tatëpjetë lugut disa metra, pastaj, të mernim drejtimin përpjetë kah metrat. Kur morrëm drejtimin përpjetë, takuam një ushtar të ri nga Kamenica i cili quhej Arsim (Arsim Hotlani). Dukej me shtat të plotë dhe mesatar. Ishte nisur nga Shtabi për në istikame. Në dorë mbante një kallashnikov. Ndërsa, pak më lart takuam edhe një djalë me pseudonimin Matiqani (Hysni Vllasaliu). Ishte shtat-gjatë, flokë kaçurrel dhe mjekërr si në të kuqe. Në dorë kishte një pushkë dhjetëshe, “gacë” të re, prodhim jugosllav. Edhe pak më lart takuam Emin Gërbeshin dhe të fundit e takuam ushtar Llofcën (Zhezair Haziri) nga fshati Llofcë. Ishte një djalë shtat-gjatë, i pashëm, me flokë pak të gjata pas qafe dhe me një pushkë me snajper. Edhe ky ishte nisur nga Shtabi për në istikame. Që të gjithë lëviznim me shpejtësi drejt metrave, apo drejt zërit që ishte dëgjuar më herët duke kerkuar ndihmë.
…
Me të arritur tek rruga ndaluam.
Tani ishim në dilemë, si ta kalojmë rrugën!!?? Që nga aty kodrën e kontrollonin snajperistët serbë të pozicionuar prapa metrave të drunjëve.
Shaqa që deri aty, pranë rrugës, kishte mendimin se duhet t’i dalim në ndihmë atij që po thërriste për ndihmë. Por, për nje çast ndërroi mendje.
– Mendoj se mund të jetë ndonjë grackë, -tha Shaqa, – dhe nuk do të dalim mbi rrugë.
Po në atë moment edhe një here u degjua zëri « oooooo Faik ».
Me të dëgjuar thirrjen për ndihmë, Llofca me snajperin e tij në dorë mu drejtua;
– Jam i gatshëm të hyjmë. Edhe pse kam problem me këmbën, nëse ti Agron hyn, do të hyj edhe unë që ta shpëtojmë të plagosurin.
– Po, patjetër, -iu pergjigja unë – do të ngjitemi ta shikojmë se kush po thërret.
– Nëse hyni ju, do të vijmë edhe ne, – thanë Arsimi dhe Matiqani
– Atëherë, unë dhe Llofca do të kalojmë rrugën të parët, ju thash. Ndërsa, ju na mbuloni me zjarr po qe nevoja.
– Mirë pra, – tha Shaqa. – Ne të tjerët po ju presim këtu.
Pa u vonuar asnjë minutë, Llofca dhe unë kaluam rrugën, kurse pas nesh Arsimi dhe Matiqani, me armët gati për zjarr na erdhën mbrapa. Ashtu zvarrë, ecëm diku 100 metra duke u fshehur pas shkurreve që nuk ishin më të larta se 30 apo 40 centimetra. Arsimi dhe Matiqani çdo herë të gatshëm të na mbulojnë me zjarr. Kështu me ngadal iu afruam të plagosurit. Ishte vërtet një i plagosur rëndë. Ishte i shtrirë në shpinë. Kishte pasur gjakderdhje të madhe. Plumbat e kishin kapur në pjesën e brendëshme të kofshës së majtë, në të hollë dhe në dorën e majtë, ku edhe i kishte mbetur plumbi. Pushka M48 ishte pak më larg, ndërsa cigaret i kishinë rënë në vadën e gjakut.
Arsimi e gjeti dhe mori pushkën M48 të të plagosurit, mori dhe armët tona sepse na pengonin në bartjen e të plagosurit.
Kurse unë e Llofca e morëm të plagosurin me shpejtësi për krahë dhe këmbë dhe e tërhoqëm tatëpjetë nga erdhëm.
Kur mberrimë nën rrugë, nga aty ku ishim nisur nuk gjetëm asnjërin që kishim lënë për të na pritur! Na u këputën këmbët. Ky largim nga vendi i pritjes, nuk ka shpjegim!
Ecëm edhe 150 apo 200 metra më poshtë, ku takuam Shaqën që ishte strukur dhe po na priste…
………
E tërhoqëm të plagosurin edhe 300-400 metra më poshtë dhe e lëshuam që të pushojmë pak. Meqense i plagosuri ende mund të fliste tani filluam ta pyesim: se kush ishte?
– Unë jam Shaip Pacolli,- u pergjigj ai- isha në njësitin e Emin Gërbeshit. Nuk e di se si jam ndarë nga njësiti dhe duke i kërkuar shokët aty ku më morët, më qëllun snajperistet serbë.
– Qe sa kohë je i plagosur? Vazhduam ne ta pyesim të plagosurin
– Qe gjashtë orë jam i shtrirë aty. Sa herë që përpiqesha të levizë më gjuanin snajperët.
– Sa vjeç je? A ke familje apo fëmijë?
– Po, kam 13 fëmijë dhe jam 49 vjeç, – u përgjigj për herë të fundit dhe asnjë fjalë më shumë, edhe pse ende kishte shenja jete.
E dërguam Arsimin që të shkojë në Shtab për të kërkuar ndihmë dhe të vijë dikush me vig që të na ndihmojë në transportimin e të plagosurit. Mirëpo, pas tij u nis edhe Shaqa.
Llofca dhe unë-Agroni pritëm gjatë, ose na dukej se po presim gjatë e nuk po vinte askush për të na ndihmuar. Hoqëm jaknet/xhaketat tona, premë dy drunjë dhe bëmë një vig që ta bartim më lehtë të plagosurin. Vendosëm të ecim. Pas ecjes prej disa metra, Llofca e përzdredhë këmbën e sëmurë dhe u detyrua të ulet. Kështu që u detyruam të presim ndihmën përkundër vullnetit tonë që të iknim sa më shpejt nga aty. Koha ecte, por nuk na vinte askush. Këmba e Llofcës filloi t’i enjtej edhe më shumë. I plagosuri nuk ndihej më, numëronte minutat e fundit.
– Agron, ti rri me të plagosurin e unë po shkoj tek Shtabi që të dërgoj dikë të të ndihmoj ty, – më tha Llofca me zë të ulët.
– Jo, të lutem, mos shko! – i thash – Më duket se i plagosuri po vdes. Nuk më ka rënë të shoh dikend të vdekur.
Llofca u pajtua dhe qëndroi me mua dhe me të plagosurin.
Nuk kaloi shumë kohë dhe i plagosuri ndrroi jetë duke iu bashkuar vargut të gjatë të dëshmorëve!
Llofca, leshoi nje ofshamë të thellë nga dhimbja , mblodhi forcë duke u ngritur në këmbë dhe duke u drejtuar nga unë, foli: “Ngrihu Agron! Ne vetë do ta dërgojmë dëshmorin tek Shtabi”.
Morëm forcë dhe u nisëm tatëpjetë në drejtim të Shtabit. Llofca çalonte. Rruga ishte e vështirë për të ecur një i shëndosh e të mos flasim të ecë një njeri me këmbë të enjtur dhe me barrë në shpinë. Unë përpiqesha që t’ia lehtësoj Llofcës barrën dhe ta mar në duart e mija, por ishte e pa mundur.
Gjatë rrugës Arsimi erdhi prap me dy ushtar të tjerë për të na ndihmuar, dhe na e morën vigun me trupin e dëshmorit.
Kështu, duke çaluar dhe duke pushuar çdo 50 metra, arritëm tek vendi i quajtur “te Kumbullat”.
Nuk ishte edhe aq larg nga Shtabi, diku 600-800 metra. Pikërisht aty takuam edhe katër bashkëluftëtarë të tjerë që po vinin të na ndihmonin për ta bartur trupin e dëshmorit.
Me të arritur tek Shtabi kishin dalur për të na prit shumë bashkëluftëtarë në mesin e tyre, edhe Baci – Emin Krasniqi.
Në ndërkohë, disa ushtarë kishin filluar me hapjen e varrit. Po në të njejtën kohë, na erdhën tri predha një-pas-një nga forcat armike. Të gjithë u shpërndame aty rrotull se nuk e dinim se sa do të vazhdoj granatimi. Mirëpo granatimet nuk vazhduan më. Ushtarët e hapën varrin dhe u mblodhëm të gjithë aty pranë për ta varrosur Dëshmorin e asaj dite.
Pikërisht në këtë moment, Baci mu afrua dhe më tha: “Agron, ty të takon që të lëshosh në varr dëshmorin pasi që ti me shokët tu e tërhoqët dhe në duart tua ndërroi jetë”.
– Po Bac, patjetër -iu pergjigja.
Shokët ma ofruan trupin e pa jetë të deshmorit Shaip Pacolli. Krejt ngadal e lëshova në varr. Më ofruan edhe një derë dhome për ta mbuluar trupin. Dola nga varri dhe filloi mbulimi i tij.
Baci iu drejtua të pranishmëve: “Agroni duhet të na i thotë edhe disa fjalë për dëshmorin”.
– Po, patjetër Bac-u pergjigja menjeherë.
Dola ne ballë të tyre dhe iu drejtova bashkëluftëtarëve që merrnin pjesë në varrim: “Të nderuar bashkëluftëtarë, Shaip Pacolli është edhe një dëshmor më shumë që po i shtohet vargut të dëshmorëve. Kjo do të thotë se, edhe një dëshmor më shumë, liria edhe nje hap më afër. “Lavdi Dëshmorit”.
– “Lavdi!” -Të gjithë njëzëri.
Pas këtij fjalimi, menjëherë reagoi Leka – Ymer Thaqi: “Bac, me leje? Mendoj se do të ishte mirë ta bëjmë edhe një lutje fetare”.
Baci pa folur, vetëm bëri me kokë, beri te kuptohej në rregull, bëjeni.
Leka u ul në gjunjë. Pas tij, të gjithë u ulën me duart e ngrehura përpara dhe u lutëm secili në mënyrën e tij.
Pas këtij rituali, iu drejtova të gjithë ushtarëve: “Të nderuar bashkëluftëtarë, pushkën M48 të dëshmorit do ta trashëgoj Arsimi, sepse nga ne që e tërhoqëm dëshmorin, ky është më i riu”.
Pushkën e dëshmorit e pranoi Arsimi me krenari.
LAVDI DËSHMORIT SHAIP PACOLLI!