Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë angazhimin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor, u shprehën pjesëmarrësit në një seancë dëgjimore të zhvilluar dje në Nënkomisionin për Evropën të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Ata theksuan se njëzet e tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, qëndrueshmëria e rajonit po kërcënohet nga ndikimi i dëmshëm nga faktorë të jashtëm, mungesa e përparimit në procesin e integrimit euroatlantik dhe konfliktet e pazgjidhura. Matthew Palmer, Drejtor i Departamentit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, i ftuar për të dëshmuar në seancë, tha se Rusia është kërcënimi më i madh i jashtëm ndaj vendeve të Ballkanit. “Aktori i jashtëm, për të cilin jemi të shqetësuar në këtë kohë është Federata Ruse. Qëllimet e tyre, jo vetëm në Bosnje, por në të gjithë rajonin, në thelb janë në kundërshtim me qëllimet tona. Ne po punojmë për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike, ndërsa në të njëjtën kohë, rusët po punojnë për mbjellur mosbesim dhe konflikt. Kjo është shqetësuese për ne. Ne jemi të shqetësuar në lidhje me fushatën ruse të dezinformimit dhe mbështetjen ruse për grupet në Bosnje që po punojnë në shkatërrimin e identitetit të vendit”.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë
Sllovakia, është njëra nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …