Kryeministri Haradinaj - zyrtares britanike: Kemi punuar me përkushtim për liberalizimin e vizave

Kryeministri Haradinaj – zyrtares britanike: Kemi punuar me përkushtim për liberalizimin e vizave

Britania e Madhe e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe ndihma e këtij vendi mik është e nevojshme edhe për proceset e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, veçmas në rrugën e saj integruese. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë Britanike, Fiona Mcilwham. Kryeministri Haradinaj, gjatë takimit, e njoftoi me të arriturat dhe sfidat e shtetit të Kosovës, me theks të veçantë në angazhimet dhe përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e rendit dhe ligjit, implementimet e marrëveshjeve të Brukselit dhe përkushtimin e Kosovës për rrugën evropiane. Po ashtu, në takim u bisedua edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, avancimet e raporteve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kryeministri Haradinaj tha se Kosova dhe institucionet e saj kanë punuar me përkushtim të shtuar për të plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ndërkaq, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Fiona Mcilwham përshëndeti progresin e arritur në Kosovë dhe rajon, duke ofruar mbështetjen e plotë për angazhimin e institucioneve të Kosovës në sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe perspektivës evropiane të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …