Ka kohë që liberalizimi i vizave është shndërruar në doktrinë të politikës së jashtme të Kosovës. Mungesa e vizionit për mbarësinë e vendit, duke u përqendruar në ekonominë prodhuese, është kompensuar me përpjekje të sforcuara për ‘rrugën evropiane’ të Kosovës, sintagmë kjo që përsëritet thuajse në mënyrë rituale nga krerët drejtues të shtetit. Këmbëngulja për liberalizim të vizave, ndërlidhet me jetëgjatësinë e elitave të korruptuara politike në koketimet e tyre me Brukselin. Në mungesë të krijimit të vendeve të reja të punës, elitat politike në Kosovë e Shqipëri e shohin liberalizimin e vizave si një mënyrë për të shkarkuar pakënaqësitë sociale gjithnjë e në rritje, duke nxitur migrimin e të rinjve. Të njëjtat elita politike asnjëherë nuk e sipërfaqin anën tjetër të medaljes: faktin që integrimi në BE nuk sjell domosdo zhvillim. Shembujt që ofrojnë shtetet fqinje të sapo anëtarësuara në BE, nuk problematizohen asnjëherë. Ekonomitë e brishta të vendeve të Evropës Lindore e Jug-Lindore, po vërshohen nga hegjemonia e shteteve të forta të BE-së, sidomos ekonomisë gjermane e cila po i përthith resurset njerëzore të Evropës. Asnjëherë nuk u tregohet e vërteta njerëzve: BE ende nuk njeh pavarësinë e Kosovës, duke ndjekur një qasje ‘asnjëanëse’, por që anon kah respektimi i Rezolutës 1244. Është e njëjta BE, e cila po e avancon Serbinë në kurriz të vendeve të rajonit, e sidomos të shqiptarëve. BE po e ringjall ‘Jugosllavinë’, duke krijuar infrastrukturë fizike në emër të liberalizimit të gjithçkaje, por që në instancë të fundit, kthehet në leverdi të Serbisë si shteti me staturën më të fortë politike, ekonomike dhe ushtarake në rajonin e rrëgjuar nga eksperimentet ndërkombëtare. Gjithnjë në këshillat e Brukselit, Kosova po bie poshtë e më poshtë në rrathët e purgatorit: sovraniteti po minohet nga krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një entitet me ingerenca të mjaftueshme sa për të paralizuar organet qendrore. Fragmentarizimi i vendit përgjatë vijave etnike, favorizimi i pakicës serbe në kurriz të shumicës shqiptare, zhduk prospektet për një jetë më të mirë. Zhvillimi ekonomik, ashtu siç japin të kuptojnë rastet e Bosnjës, Qipros dhe Ukrainës, pamundësohet kur vendi është i fragmentarizuar nga entitete të brendshme. /rkl/
Kontrolloni gjithashtu
Bedri Hamza ka premtuar rritje prej 50 për qind të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka premtuar rritje …