Adem Demaçi

Adem Demaçi ka qenë dhe përgjithmonë do të mbetet Mësuesi i idealizmit kombëtar të shqiptarëve

28 vite më parë, më 21 prill të vitit 1990, u lirua nga burgjet e Jugosllavisë, Simboli i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, i cili kishte mbajtur 28 vjet burg, i dënuar tri herë nga regjimi i RFSJ-së, për veprimtari atdhetare me kërkesë programatike  për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e viseve shqiptare me Shqipërinë. Lirimi i tij ishte  mirëpritur nga mijëra qytetarë liridashës, në Kosovës dhe kudo në trojet shqiptare. Adem Demaçit në vitin 1991 Parlamenti Evropian i ka ndarë Çmimin Saharov për qëndresë, paqe e humanizëm

Simboli i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi,  edhe pas lirimit nga burgu ishte angazhuar në drejtim të përparimit  dhe zgjidhjes së Çështjes Kombëtare shqiptare. Një kohë ka qenë drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të Njeriut, në Prishtinë. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së ishte i autorizuar nga SHP i UÇK-së të formonte institucionet, ndërkohë që në vitin 1999 kishte hapur, në Prishtinë, zyrën e UÇK-së.

Pas luftës klasa politike e Kosovës nuk i ofroi kurrfarë pozite për meritat e tij, sepse Demaçi me fakte kishte refuzuar Konferencën e Rambujesë, meqë ajo parashihte që Kosova të mbetej nën sovranitetin e Serbisë. Kjo ishte konfirmuar edhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, rezolutë në të cilën ende thirret OKB-ja, edhe pse shumica e shteteve të botës e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Katër vite më parë, me idesë të tij për një medium krejtësisht  të pavarur  iu kishin bashkuar disa ish të burgosur politikë dhe  kishte themeluar TV-Diellin, por ndërkohë ishte sëmurë dhe familja e tij ishte tërhequr nga projekti,  duke i tërhequr edhe mjetet e pajisjet teknike. Ideja e tij ishte pikërisht ashtu sikur kishte qenë dikur ideja e Tolstoit të madh, për ta lënë veprën e tij në shërbim të publikut.

Adem Demaçi njihet edhe në letërsinë shqipe si shkrimtar i një perceptimi  të veçantë krijues, ndërsa romani i tij i parë, “Gjarpinjtë e gjakut”,  ka qenë vepra më e kërkuar dhe e lexuar ilegalisht, gjatë tërë kohës sa ai ka qëndruar nëpër burgje. Demaçi ka qenë dhe  përgjithmonë do të  mbetet Mësuesi i idealizmit kombëtar të shqiptarëve.

Sot 28 vjetori i lirimit nga burgu ku kishte mbajtur 28 vjet Demaçin e gjen në moshë 82-vjeçare, me shëndet të rënduar por të paepur.

Jeta dhe vepra e Adem Demaçit, Mandelës së Evropës përbën një rast unik jo vetëm në historinë e kombit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Ish-negociatorja, Edita Tahiri, dikur i nënshtrohej Serbisë në Bruksel, tani kërcënon me luftë

Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …