Një festë-dasmë e rrallë dhe e pazakontë. Një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën më të rrallë shqiptare në themelet e kalasë së vjetër të Kaninës legjendare. Dje, në datën 22 prill 2018, ora 12:00, në Kalanë e Kaninës, Deputeti dhe djali i Kaninës, Fate Velaj, realizoi një ëndrrën e tij të vjetër. Në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina” , si dhe me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës, ai organizoi për herë të parë në histori, “DASMA E SKËNDERBEUT”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë. Në këtë festë merrnin pjesë, ministri Gjiknuri, deputeti i PS Vullnet Sinaj, kryetari BSHKISË Vlorë, Dritan Leli, Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, Kryetari i Shoqatës “Labëria” Prof. Ago Nezha, Prof. Sulejman Muça, historianë, shkrimtarë, studiues si dhe shumë grupe polifonike dhe grupe të ndryshme folklorike të ardhur nga Kosova si dhe me pjesëmarrjen e një delegacioni special, prej 60 vetash, të ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve ishte dhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit. Kalaja e vjetër e Kaninës ishte zbukuruar si kurrë ndonjëherë. Rreth 100 flamuj kombëtare dhe 50 banderola me simbolet e flamurit kishin zbukuruar gjithë këtë kala me histori qindravjeçare. Në fjalën e hapjes së dasmë-festës, deputeti Fate Velaj theksoi rëndësinë e kësaj dasme, por mbi të gjitha përcolli mesazhin se pse duhet ta përkujtojmë këtë ditë dhe kush është rëndësia e saj ën ditët e sotme kur historia po deformohet.
Një festim madhështor për të na kthyer plot 567 vjet më pas për të festuar në mënyrë imagjinare 567-vjetorin e dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590-vjetorin e lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. “Çifti Skënderbe- Donika” hynë në kalanë e plot ngjarjeve mbi kuaj të bardhë të ndjekur nga dhjetëra “luftëtarë”. Me kurorat mbretërore, ata përcollën tek pjesëmarrësit ritet e dasmës së Heroit tonë Kombëtar Gjegj Kastriot Skënderbeu. Pas uljes së çiftit mbretëror në poltronet mbretërore filluan gëzimi, kënga, daullet dhe hareja. Festimeve ju bashkua dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare të Kosovës. Dje Kanina solli në kujtesë një ngjarje të madhe, një ngjarje që ka lënë gjurmë në historinë e Vlorës por edhe të gjithë kombit shqiptar. Dje Kanina e lavdishme përjetoi si asnjëherë vendin e saj në historinë shqiptare. Koncerti me këngë të grupeve të ndryshme polifonike, këngët dhe vallet arbëreshe si dhe këngët dhe vallet e grupit Lëvizja “Foleja Kombëtare Shqiptare” gjatë gjithë kohës u ndoqën, u duartrokitën dhe u shoqëruan nga mbi 1000 pjesëmarrës. Pas përfundimit të koncertit, në shenjë kujtimi, përjetësimi dhe vazhdimi të traditës në themelet e hyrjes së kalasë u mboll një pemë ulliri, e cila do të vazhdojë të mbillet për çdo vit, për të nxitur respektin dhe vëmendjen e kësaj feste të rrallë. Brezat që do vijnë, do na jenë mirënjohës. Mbas festimeve të Kaninës, në orë 16:00, pjesëmarrësit në festë-dasmën u nisën për tek Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesën e tyre në kishë.
Kush ishte Donika Arianiti (Skënderbeu)
Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte bija e princit të famshëm, Gjergj Arianiti, njërit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika ishte një dukeshë. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare Andronika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë. Andronika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:
Ç’dasmë që bëri Araniti
Atë natë kalaja ndriti,
Kënga dhe vallja buçiti
Çelën llamba, ndezën pisha
Plot tryeza me të gjitha,
Mish dashi, Labërie,
Verë Parge Çamërie…”
Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur, pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: “…
Dhëndëri si dielli ndriste,
Edhe nuseja që prunë,
Porsi hëna vetëtinte,
Dritënë në dritë e shtunë…”