Opozita e bashkuar ka lëshuar një komunikatë për media, përmes së cilës ka komentuar gjendjen që mbretëroi sot në Kuvendin e Kosovës ku u arrestuan tre deputetë të opozitës dhe pati ndërprerje seancash në dy raste – rasti i parë në sallën e zakonshme të Kuvendit të Kosovës, dhe rasti i dytë në sallën alternative.
Komunikata e plotë:
Triumvirati i rrenave – Veseli-Mustafa-Thaçi
Seanca e sotme e improvizuar nëpër skuta i ka nxjerrë në pah tre gënjeshtarë të mëdhenj, të cilët edhe sot nuk hezituan të vazhdojnë ta mbulojnë diktaturën e tyre me fjalime hipokrite e patetike.
I pari foli ish shefi i SHIK-ut, i rehabilituar si kryetar i institucionit më të lartë të një demokracie parlamentare, siç është Kuvendi. Të gjithë e mbani mend kur, para pak ditësh Kadri Veseli betohej se kurrë nuk do të lejonte të hynte policia në Kuvend, dhe kurrë nuk do të përjashtohej opozita, për sa kohë që Ai, do të ishte kryetar kuvendi. E sot, Kadri Veseli bën thirrje për skanera specialë, ndërkohë që e ka mbushur sallën e Kuvendit me policë me maska gazi. Kadri Veseli ka urdhëruar kontrollin e deputetëve të opozitës, ndërkohë që shumë prej bashkëpunëtorëve të tij në SHIK, që sot janë deputetë e ministra të partive në pushtet, kurrë nuk janë kontrolluar e kurrë nuk janë hetuar. Kadri Veseli ka kërkuar sot edhe masa të shtuara represive kundër opozitës, sepse sipas tij policia nuk mjafton, edhe pse i kemi parë të gjithë arrestimet dhe ndërhyrjet policore ndaj opozitës dhe mbështetësve të saj.
Në seancën e turpshme ku partitë në pushtet u mblodhën të diskutojnë pasi e përjashtuan opozitën, kryeministri i Qeverisë së Rashkës, Isa Mustafa, ka përsëritur edhe një herë se kërkesat e opozitës për tërheqje të marrëveshjeve nuk janë të sinqerta, dhe kinse Opozita e Bashkuar paska kërkesa të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që Mustafa e thotë të njëjtën gënjeshtër, pasi ai këtë gjë e ka pretenduar edhe në kohën kur Opozita protestonte kundër ministrit të tij me qëndrime raciste, Jabllanoviqit. Por veprimet opozitare gjithnjë kanë qenë të përgjegjshme, dhe kanë vërtetuar të kundërtën. Mjafton që Isa Mustafa të heqë dorë nga dy marrëveshjet e dëmshme për të ardhmen e Kosovës, dhe ne garantojmë se secili aktivist e secili deputet opozitar do t’i kthehet normalitetit.
Mashtruesi i tretë ishte Hashim Thaçi, personi i cili i ka ndërtuar gjithë këto marrëveshje të cilat tash i ka nënshkruar Mustafa. Thaçi ka deklaruar me pafytyrësinë më të madhe se me bllokimin e këtyre marrëveshjeve, opozita ia paska pamundësuar Kosovës përfitimin e 60 milion eurove. Sipas zëvendësit të Mustafës ia vlen ta ndërtojmë Republikën Serbe në Kosovë, me një çmim të tillë. Hashim Thaçi mendon se qytetarët i kanë harruar aferat me qindra milionë të cilat ai dhe njerëzit e tij i kanë përfituar nëpër privatizime shkatërruese të pronës publike. Vetëm kontrata që Hashim Thaçi ka lidhur për privatizimin e KEDS-it, ia ka vjedhur fitimin mbi një qarkullim prej 300 milionë eurosh në vit. E kësaj i shtohen qindra milionë prej shumë privatizimeve e koncesioneve të dyshimta. Pra Thaçi nuk duhet të na tregojë çmimin me të cilin duhet të shesim Kosovën përmes marrëveshjeve, por duhet të shkojë sa më parë në Gjykatë për korrupsionin masiv të partisë të tij, korrupsion që tashmë është bërë shqetësimi kryesor edhe i ndërkombëtarëve në Kosovë.
Këta tre zyrtarë po thonë se në emër të demokracisë do të përjashtojnë e do të arrestojnë opozitën. Këta po thonë se në emër të drejtësisë do të përndjekin opozitën dhe do të mbrojnë korrupsionin e tyre.
Por ne jemi të vendosur se marrëveshjet për “Zajednicë” e Demarkacion, nuk kalojnë! Opozita nuk ndahet! Normaliteti do të kthehet vetëm kur të kthehet demokracia! Protestat nuk ndalen!