Fetah Sylejman Sylejmani (14.8.1968 - 27.4.1999)

Fetah Sylejman Sylejmani (14.8.1968 – 27.4.1999)

Fetah Sylejmani ka lindur më 14 gusht të vitit 1968, në fshatin Shajne të komunës së Sharrit (ish-Dragash). Prindërit, Sylejmani e Xhania, rritën tre djem e një vajzë: Fetahun, Sherifin, Arhimedin dhe Nazyfen. Fetahu ishte fëmija i parë i tyre. Shkollën fillore, e kryen në fshatin e lindjes, ndërsa në Prizren e mbaron shkollën e mesme teknike. Meqenëse ishte orientuar në profesionet teknike, në Ferizaj regjistrohet në Shkollën e Lartë Teknike, mirëpo, sapo e kryen shkollën e mesme, e marrin në Shërbimin ushtarak, në Zagreb. Atje dallohet me zgjuarsi e shkathtësi, prandaj mbaron edhe kursin për oficer rezervë. Aftësimi në këtë kurs, Fetahut do t’i shërbejë pas më shumë se dhjetë vitesh, të demonstrojë shkathtësi ushtarake, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fetahu ishte punëtor i një ndërmarrje pyjore në Sharr, në të cilën punonte edhe i ati, Sylejmani. Babë e bir punonin bashkërisht dhe me paratë që fitonin mbanin familjen. Si punëtorë të kësaj ndërmarrjeje, ata bartnin lëndë drurësh për në sharrat e ndryshme, për t’i bërë dërrasa. Këtë punë ishin duke e kryer edhe kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës shtriu luftën kundër forcave të pushtuesit serb në Zonën Operative të Pashtrikut, në verë të vitit 1998. Lëvizja me kamion të ndërmarrjes në trevën e kësaj zone, për Fetahun ishte rast i përshtatshëm që ta ndihmonte UÇK-në me karburante.

Kontakti me UÇK-në kishte entuziazmuar shpirtin e tij, prandaj, në një rast, pasi formohet pika ushtarake në fshatin Vraniç të Therandës, shkon në këtë pikë, së bashku me të atin, me qëllim të mobilizimit. Ai e dinte, por edhe e ndiente në zemër se një ditë do të vinte momenti kur do të veshte uniformën e bukur të UÇK-së. Dhe ky moment erdhi më 2 prill të vitit 1999. Atë ditë, paraqitet në qendrën stërvitore të UÇK-së, në Kalimash, së bashku me dy bashkëfshatarët e tij, Fisnik Ibrahimi e Mazllum Beshiri. Në Kukës ishte ndarë nga familja e ngushtë, duke lënë me shpresë bashkëshorten, Sabajeten dhe dy fëmijët e tyre, Miralimin dhe Enisin. Fetahu me familjen e tij arrin në Kukës, më 30 mars, pas shpërnguljes me dhunë të popullatës shqiptare nga fshatrat e komunës së Sharrit.

Me rastin e largimit nga shtëpia, pasi përcjell Fetahun me anëtarët e tjerë të familjes, i ati Sylejmani mbetet të përkujdeset deri në gjetjen e mënyrës për ta shpërngulur edhe babain e vet, Mustafën, i cili ishte i moshuar dhe i sëmurë. Qëndrimi në shtëpi i babait dhe i gjyshit, e brengos Fetahun. Ai nuk e dinte se ç’kishte ndodhur me ta, prandaj këtë merak mbante edhe në Kalimash. Lehtësohet vetëm pasi sheh të atin, Sylejmanin, i cili një javë më vonë arrin në Kalimash për ta vizituar të birin. Së bashku me të, kishte ardhur për ta vizituar për të dytën herë ato ditë, të birin edhe babai i ushtarit Mazllum Beshiri, Jahiri. Ata qëndruan me të bijtë, biseduan e u çmallën me ta. Biseduan e u çmallën edhe me Fisnik Ibrahimin, bashkëfshatarin dhe bashkëluftëtarin e tyre.

Në bisedën gjatë vizitës, Fetahu shpreh hapur gëzimin e tij që është bërë ushtar i UÇK-së. “Babë, tash u plotësua dëshira ime” – i thotë në një moment bisede, të atit. Tash edhe babait, Fetahu po i dukej më madhështor. I gjatë, i zhvilluar e i shkathtë fizikisht, me flokë të hequra, ai reflektonte vendosmëri për ta mposhtur eushtuesln, qoftë edhe me përballjen fyt më fyt.

Në ndarje të kësaj vizite, Fetahu i thotë të atit të mos e kërkonte më në Kalimash, sepse së shpejti do të shkonte në frontin e Koshares, në pikën e Padesht, në Popaj apo Te Rrasa e Zogut. Ishte rregull e zakonshme që në prag të nisjes për në vijën e frontit, ditën e fundit nuk bëheshin stërvitje ushtarake. Atë ditë, edhe Fetahu kishte pushuar. Fjalët e fundit të Fetahut, të thëna babait, ishin parandjenjë, e cila mund të burojë vetëm nga vendosmëria e atij që është i gatshëm për të luftuar deri në momentin e fundit të jetës, për liri: “Babë, m’i përshëndet djemtë! Unë po shkoj te komandanti Adem Jashari”, – i kishte thënë ai të atit.

Më 9 prill të vitit 1999, Fetahu shkon në vijën e frontit, në pikën ushtarake A777 të Padeshit, ku komandonte eprori i Brigadës 138 të UÇK-së, Abaz Thaçi. Ditët që do të vijnë ishin ditë luftimesh të ashpra e të pandërprera. Duhej thyer kufiri Kosovë-Shqipëri, duhej shkulur me rrënjë gurët e mallkuar të tij. Forcat e pushtuesit kundërsulmonin me tërë arsenalin e armëve, sepse aty ndahej fati i luftës. Për ta nuk kishte prapakthim, sepse pas i priste humbja dhe kapitullimi.

Me trimërinë dhe shkathtësinë e tij, Fetahu kishte shkëlqyer në çdo aksion ushtarak. Ai, bashkë me dëshmorin Bekim Thaçi, merr pjesë në aksionin e kapjes së korrierit të një oficeri serb, ushtar rus, të cilit iu gjetën shumë stoli dhe orendi të ndryshme, të plaçkitura nga popullata e shpërngulur shqiptare.

Në këto luftime, deri më 26 prill të vitit 1999, në orën 22 e 45, jehoi edhe pushka e lirisë e dëshmorit Fetah Sylejmani. Te numrat 22 e 45 ishin ndalur edhe akrepat e orës me xham të thyer në dorën e Fetahut. Në këtë orë pushon së rrahuri zemra e tij. Rrahjen e saj e ndërprejnë pesë plumbat e pushtuesit në anën e majtë të gjoksit. Përkrah tij bie edhe bashkëluftëtari Bekim Thaçi, nga Arbana e Prizrenit.

Përafërsisht në këtë kohë të mbrëmjes, një sëmbim ankthi ndiejnë motra dhe bashkëshortja e Fetahut, Nazyfja e Sabajeti, refugjate në Shqipëri. Ato që të dyja çohen jerm nga gjumi, pa orientim e pa mbamendje.

Trupi i dëshmorit Fetah Sylejmani varroset në varreazt e qytetit Bajram Curr. Në Babinë, vend disa kilometra larg këtij qyteti, ku silleshin trupat e të rënëve në frontin e luftimeve, para se të vorroseshin, deponohen gjërat që Fetahu kishte pasë në xhepat e uniformës: fotografi të fëmijëve të tij, disa pako cigaresh, brisk thonjsh dhe orën e dorës, të cilat më vonë do t’i marrë babai i tij dhe sot ruhen nga familja e Fetahut si shenja kujtimi për të.

Për rënien e Fetahut, familja e tij informohet më 15 maj të vitit 1999. Vërtet, që të mos përjetonte tronditje, asaj i ishte thënë se Fetahu kishte marrë plagë. Me të marrë këtë lajm, i ati niset për në Popaj dhe prej atje shkon në Padesh, ku takon edhe komandantin e brigadës 138, tashmë e emërtuar “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha. Aty shfleton regjistrin e ushtarëve të rënë, por shënimet për rënien e Fetahut i gjen pasi shkon në spitalin e qytetit Bajram Curr.

Në këto shënime përshkruhet se në këtë spital, trupi i Fetahut, me pesë plagë plumbash në pjesën e majtë të gjoksit, ishte dërguar i pajetë.

Në shtator të vitit 1999, trupi i dëshmorit Fetah Sylejmani u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të Sharrit. Mbi varrin e tij janë gdhendur fjalët: “Askush nuk mund të matet me ju. Askush nuk gjendet më thellë se ju. Askush më lart se ju!”.

Sot, bijtë e dëshmorit Fetah Sylejmani, Miralemi dhe Enesi, të cilët po rriten të shëndetshëm e nën përkujdesin e përkushtuar të nënës së tyre, Sabajetës, e të tërë familjes, ndonëse atëherë ishin shumë të vegjël, kujtojnë momentin e shpërnguljes nga fshati, udhëtimin në drejtim të Kukësit dhe ndarjen në Kukës nga i ati, i cili merr rrugën që do të çojë te liria e Kosovës. Çdo 9 prill, ditën kur babai i tyre kishte arritur në vijën e frontit, e cila ditë simbolizon edhe fillimin e sulmit vendimtar për thyerjen e kufirit të robërisë Kosovë-Shqipëri, ata vizitojnë Kosharen, vendin ku i ati kishte hyrë në përjetësi. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …