Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vlerësuar se Serbia po bën një politikë me dy e më shumë fytyra ndaj Kosovës, sepse në njërën anë po zhvillon bisedime për normalizim të marrëdhënieve, e në anën tjetër ndërmerr veprime për shkatërrimin e Kosovës. Autoritetet serbe po bëjnë politikë me dy e më shumë fytyra ndaj Kosovës. Deri sa në njërën anë po zhvillojnë bisedime për “ normalizimin e raporteve ”me Kosovën, në anën tjetër ndërmarrin të gjitha veprimet për të shkatërruar Kosovën , si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kohëve të fundit veprimtaria destruktive dhe kriminale e Serbisë po përqendrohet në komprometimin e personalitetit të kryeministrit Haradinaj, në planin e brendshëm sikur edhe bënë presion te shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që mos ta njohin atë si dhe ta tërheqin njohjen nga ato shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kërcënimet shkojnë aq larg siç është arrestimi i kryeministrit Haradinaj, presidentit Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Veseli. Në anën tjetër nuk kanë lënë gurë pa lëvizur kundër arrestimit të Gjuriqit për shkak të kalimit ilegal të kufirit.
Për këtë janë kërcënuar se do të arrestohen Shpend Maxhuni, i pari i AKI-së ( ish drejtor i përgjithshëm i PK) , Flamur Sefaj, ish- ministër për Punë të Brendshme, dhe Jetlir Zymberaj, këshilltar politik i Behgjet Pacollit, sepse e paskan koordinuar arrestimin e një, siç thuhet në kumtesën e KMDLNJ-së, huligani politik, siç ishte dhe është Marko Gjuriq.
KMDLNj e pati vlerësuar lart arrestimin e Marko Gjuriqit në Mitrovicë, por e kishte cilësuar si trajtim degradues , poshtërues dhe diskriminues shëtitjen e Marko Gjuriqit të prangosur, rrugëve të Prishtinës.
Nëse dikush duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë atëherë duhet t’i nënshtrohen ata që e liruan kundërvajtësin, Gjuriq dhe e deportuan në Serbi. Marko Gjuriq është dashur të dërgohet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe të gjykohet për kalim ilegal të kufirit dhe pastaj të vazhdohet sipas procedurës , pa pasur nevojë të sillet në Prishtinë. Serbia , çdo qytetar të Kosovës që e kalon ilegalisht kufirin , qoftë edhe nëse e ka gabuar rrugën (barinjtë, prerësitë e pyllit , ata që marrin zhavor) etj. me procedurë të përshpejtuar i dërgon në Burgun e Prokupjes , i dënon me kundërvajtje , i mbanë disa ditë në burg dhe pastaj dënimin ua zëvendëson me një shumë parash. E pse të veprohet ndryshe me Marko Gjuriqin ?! Nuk ka shtet në Evropë apo botë që vepron ndryshe me ata që e kalojnë ilegalisht kufirin. As BE nuk ka të drejtë të jep vlerësime sipas standardeve të dyfishta për arrestimin e Marko Gjuriqit .
Ndërkaq , sa i përket kërcënimit për arrestimin e kryeministrit Haradinaj , presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli , ka shumë më tepër arsye të arrestohen për krime lufte në Kosovë , Aleksander Vuçiq , Ivica Daçiq, Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandër Vulin si dhe të tjerët sepse , me politiken e tyre kriminale janë përgjegjës për vrasjen e së paku 12.000 qytetarëve të Kosovës , zhdukjen e 1658 qytetarëve të Kosovës , dhjetëra mijëra dhunimeve seksuale, 120.000 shtëpi , objekte afariste , monumente kulturore dhe fetare të shkatërruara , vjedhja e fondit pensional dhe të kursimeve , artefakteve dhe vlerave tjera si dhe deportimin e dhunshëm të mbi 800.000 qytetarëve të Kosovës me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës.
Nuk është me rëndësi se ku është varri i gjyshit të kryeministrit Haradinaj apo se kënd e ka baba Aleksandar Vuçiq por është me rëndësi që përmes dokumentimit të fakteve të adresohet përgjegjësia për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë dhe ndaj atyre që u dëshmohet fajësia të ndërrmerren masa në përputhje me ligjin , duke mos bërë dallime në baza etnike , fetare , racore etj. Më këtë retorikë që po e përdorë Beogradi kundër kryeministrit Haradinaj , presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli, jo që nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve por vetëm përkeqësim të situatës për çka faktori ndërkombëtarë, si ndërmjetësues dhe garantues duhet të jetë shumë i vëmendshëm.
Nuk mund dhe nuk ka të drejtë morale Serbia ta kërcënojë dikend me arrestim kur është bërë strehë e sigurt për të gjithë kriminelët që kanë kryer krime lufte në Kroaci , Bosnje dhe Kosovë , që nuk bashkëpunon për sigurimin e drejtësisë për viktima si dhe shqiptimin e përgjegjësisë për kriminelët deri sa nuk i arreston të dyshuarit për krime lufte që kanë gëzuar mbrojtje dhe kujdes shtetërorë sikur që ishin ; Ratko Mladiq, Goran Babiq , Radovan Karaxhiq dhe ultrashovenisti Vojisllav Sheshel.
Krimet e luftës nuk vjetrohen dhe nuk ka amnisti për kriminelët e luftës sikur që janë udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Serbisë ndaj të cilëve Kosova duhet të ngrejë kallëzim penal për krime lufte në Kosovë si pati e bërë KMDLNj kur në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë pati kallëzuar për krime lufte Sllobodan Millosheviqin dhe udhëheqësit tjerë të lartë të Serbisë , ndaj Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë dhe ndaj të dyshuarve tjerë për krime lufte e që po gjykohen në Kosovë.
Serbia është vend i krimit , vendi ku strehohen kriminelet e luftës e që kanë kujdes dhe mbrojtje të shtetit andaj nuk është shtet që i nënshtrohet procesit të ballafaqimit me të kaluarën si kusht themelor për normalizimin e marrëdhënieve përmes dokumentimit të së vërtetës e që për qëllim përfundimtar e ka pajtimin . Jemi shumë larg këtij qëllimi dhe shumë afër përkeqësimit të situatës.